Shefi i agjencisë bërthamore të OKB-së viziton Ukrainën
Shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrje bërthamore, Rafael Grossi, gjendet në Ukrainë për të biseduar për “sigurinë e centraleve bërthamore të këtij shteti”, njoftoi sot Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.
“Qëllimi i vizitës së drejtorit të përgjithshëm [Rafael Grossi] është për të iniciuar sigurinë dhe mbështetjen e sigurisë për ndërtesat bërthamore të Ukrainës”, u tha në deklaratën e agjencisë.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës, forcat ruse kanë marrë nën kontroll centralin e çmontuar bërthamor të Çernobilit dhe centralin në Zaportizhja.
ANEB-i u ka bërë thirrje palëve të përfshira në konflikt që të garantojnë siguri për centralet bërthamore të Ukrainës.
Arrihet pajtim për hapjen e tri korridoreve humanitare
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se Rusia është pajtuar për hapjen e tri korridoreve humanitare, përfshirë edhe një nga Mariupoli, në mënyrë që civilët të largohen nga zonat e luftës.
Vereshchuk tha se përveç Mariupolit, qytetarët do të mund të largohen edhe nga qyteti i okupuar ukrainas Melitopol për në Zaporizhja.
Korridori i tretë humanitar do t’iu mundësojë civilëve që të largohen nga qyteti Energodar për në Zaporizhja.
Ky njoftim vjen një ditë pasi Ukraina njoftoi se nuk ishte hapur asnjë korridor humanitar për shkak të “provokimeve” të mundshme nga forcat ruse.
Sulmohet ndërtesa administrative në Mikolajiv
Një sulm ajror ka goditur një ndërtesë administrative në Mikolajiv, tha guvernatori.
Sipas AFP-së, guvernatori Vitaly Kim tha se shumica e njerëzve që ndodheshin brenda ndërtesës “ikën”, por ende nuk dihet për fatin e disa civilëve dhe ushtarëve.
Mikolajivi, një qytet port ukrainas, për javë të tëra po përballet me sulmet ruse.
Erdogan bën thirrje për arritjen e paqes
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë hyrë në një fazë që duhet të japin rezultate konkrete. Ai tha se Turqia është e gatshme që të kontribuojë në arritjen e paqes, teksa delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë po takohen në Stamboll në një rund të ri të bisedimeve.
Më poshtë mund të shikoni një pjesë të fjalimit të presidentit të Turqisë, Erdogan: