Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:15 29.3.2022

Zelensky liderëve botërorë: Frika ju bënë bashkëfajtorë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje shteteve perëndimore që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, përfshirë edhe vendosjen e embargos mbi naftën.

Përmes një video-mesazhi në orët e para të së martës, ai kritikoi natyrën “pasive” të disa sanksioneve, duke thënë se bota nuk mund të presë për veprimet ruse në mënyrë që të përgjigjet.

Zelensky tha se nëse “sanksionet e forta parandaluese” do të ishin miratuar më herët, mund të kishin parandaluar pushtimin.

“Një luftë e shkallës së gjerë ka nisur”, tha Zelensky. “Ka pasur shumë sugjerime dhe paralajmërime për sanksione më të ashpra, siç është embargoja mbi furnizimet e naftës ruse në Evropë, do të vendosen nëse Rusia përdor armë bërthamore”.

“Thjesht nuk ka fjalë. Ne, populli që jemi të gjallë, duhet të presim. A nuk është gjithçka që ka bërë ushtria ruse deri më sot një embargo nafte? A nuk po granatojnë me bomba fosforike? Një granatim i një objekti kimik apo granatimi i një centrali bërthamor nuk është mjaftueshëm” që të vendoset embargoja e naftës”, tha Zelensky.

Ai shtoi se planifikon t’iu adresohet parlamenteve të një sërë shtetesh gjatë kësaj jave për t’iu kërkuar më shumë armë.

“Ukrainasit nuk duhet të vdesin vetëm se dikush nuk gjen kurajën për të na dhënë armët e duhura”, tha ai.

“Frika gjithmonë ju bënë bashkëfajtorë”, shtoi ai.

07:57 29.3.2022

Çfarë kanë thënë Ukraina dhe Rusia për bisedimet?

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë takohen sot në Turqi. Ky do të jetë takimi i parë sy më sy i dy delegacioneve pas dy javësh, teksa Kievi kërkon një armëpushim pa hequr dorë nga territori apo sovraniteti i tij.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë për bisedimet në Stamboll: “Ne nuk po këmbejmë njerëz, tokë apo sovranitet”.

“Minimalisht ne do të flasim për çështjet humanitare dhe maksimalisht për të arritur një marrëveshje armëpushimi”, tha ai gjatë një adresimi televiziv.

Por, këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Vadym Denysenko, tha se ai ka dyshime se mund të arrihen rezultate konkrete.

Dyshime të ngjashme ka shprehur edhe një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, edhe pse shprehu shpresë se mund të ketë përparim. Ky zyrtar tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk duket i gatshëm të bëjë kompromise që t’i jepet fund luftës.

Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se bisedimet deri më tani nuk kanë rezultuar me ndonjë përparim të rëndësishëm, por ai ka shtuar se është e rëndësishme që palët të takohen sy më sy.

Flamuri i Ukrainës dhe ai i Rusisë. Fotografi nga arkivi.
Flamuri i Ukrainës dhe ai i Rusisë. Fotografi nga arkivi.

07:45 29.3.2022

Ukraina: Sulmi me raketa në Harkiv shkatërroi shtëpi

Forcat e armatosura ruse të hënën kanë kryer një sulm me raketa në qytetin Liubotin në rajonin verilindor të Harkivit, thanë zyrtarët ukrainas.

Ata thanë se si pasojë e këtij sulmi janë rrafshuar disa shtëpi.

Ndërkaq, zyra e prokurorit të Harkivit, në një deklaratë të postuar në Telegram tha se sulmi la të plagosur shtatë persona. Zyrtarët thanë se kanë nxjerr trupin e një personi nga rrënojat.

07:19 29.3.2022

Ushtria ukrainase: Rusia, e përqendruar në bombardimin e depove të karburanteve

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se forcat ruse po vazhdojnë sulmet me raketa në lagjet e banuara në mbarë vendin. Por, ushtria ruse, sipas shtabit, është e përqendruar në sulmet ndaj depove të karburanteve në përpjekje për të shkaktuar “komplikime logjistike” dhe “për të krijuar kushte për krizë humanitare”.

Në ditët e fundit, depo të karburanteve në disa qytete ukrainase, përfshirë edhe kryeqytetin, Kiev, por edhe Lviv, është raportuar se kanë qenë cak i sulmeve.

Ushtria ukrainase po ashtu pretendoi se njësitë ruse po terrorizojnë banorët lokalë të Kievit, Zaporizhjas, Hersonit dhe Harkivit, përmes plaçkitjeve, rrëmbimeve dhe mbajtjes peng të civilëve.

Një depo karburantesh në Lviv, që ishte shënjestër e një sulmi me raketa.
Një depo karburantesh në Lviv, që ishte shënjestër e një sulmi me raketa.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG