Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rifillojmë mbulimin direkt për ngjarjet e lidhura me pushtimin rus të Ukrainës.
Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë mbajnë të martën bisedimet e paqes.
Delegacionet kanë arritur në Stamboll të Turqisë. Delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe këshilltari presidenciali, Mikhail Podolyak.
Kievi tha se prioritet i tyre është arritja e një armëpushimi.
Takimi sy më sy midis delegacionit ukrainas dhe rus do të zhvillohet në prani të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Takimi është planifikuar të nisë në ora 10:00 sipas kohës lokale.
Ndërkaq, delegacioni i Rusisë po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, një çështje që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.
Çështje të tjera që pritet të diskutohen është fati i dy rajoneve lindore të Ukrainës – Donjecku dhe Luhansku – por edhe statusi i Krimesë, gadishull të cilin Moska e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme më 2014.
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë.
Rikthehemi të martën, 29 mars, në orën 07:00!
Ndër zhvillimet më të rëndësishme të ditës së 33-të të luftës kanë qenë këto:
- Miliarderi rus, Roman Abramovich, është përballur me simptoma që dyshohet se janë të helmimit, gjatë bisedimeve në kufirin Ukrainë- Bjellorusi më herët gjatë këtij muaji, kanë konfirmuar burime të afërta me të
- Ai është shëruar që atëherë, mirëpo në fillim ka përjetuar qërim të lëkurës dhe skuqje të syve, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal. Gazeta ka raportuar se simptoma të njëjta kanë pasur edhe të paktën dy pjesëtarë të ekipit negociator ukrainas
- Rusia ka thënë se është duke zhvilluar masa për të kufizuar hyrjen në këtë shtet, për banorët e vendeve “jomiqësore”.Qeveria ruse ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në këtë listë të shteteve, por edhe dhjetëra vende tjera
- Ukraina ka mbyllur korridoret humanitare nga qytetet e saj të hënën, pas paralajmërimeve për “provokime” ruse nëpër rrugë
- Kryetari i Mariupolit, Vadym Boichenko, ka thënë se ky qytet i rrethuar nga forcat ruse është në prag të katastrofës dhe duhet të evakuohet plotësisht. Sipas tij, 5,000 banorë kanë vdekur prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt
- Rundi i radhës i negociatave në mes të Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet këtë javë në Turqi
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë të hënën se deklarata e tij që ka bërë në Varshavë, se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të largohet nga pushteti, ka reflektuar vetëm zemërimin e tij moral, dhe nuk është politikë e administratës amerikane. Biden ka thënë se “nuk tërheq asgjë” nga deklarata, pas sqarimit të saj.
Ndërpriten shërbimet ukrainase të internetit për shkak të sulmit “të fuqishëm” kibernetik
Kompania shtetërore e telekomunikimeve në Ukrainë, Ukrtelecom është përballur me ndërprerje të shërbimeve të internetit të hënën, pas një sulmi “të fuqishëm” kibernetik, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe përfaqësueseve të kompanisë.
Incidenti përbën sulmin e fundit të hakimit kundër shërbimeve ukrainase të internetit, prej kur forcat ushtarake ruse kanë pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.
“Sot, armiku ka nisur sulm të fuqishëm kibernetik kundër infrastrukturës së Ukrtelecom”, ka thënë Shërbimi Shtetëror për Komunikime Speciale dhe Mbrojtje të Informacionit në Ukrainë.
“Sulmi është zmbrapsur. Tani Ukrtelecom ka aftësi për të rikthyer shërbimet te klientët”.
Kryetari i Mariupolit: Mbi 5,000 banorë të vdekur në qytet
Të paktën 5,000 banorë kanë vdekur në qytetin e rrethuar të Mariupolit, përfshirë 210 fëmijë, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, është thënë në disa të dhëna të kryetarit të qytetit.
Deri të dielën, 170,000 banorë kanë vazhduar të qëndrojnë në Mariupol, ka thënë kryetari, Vadym Boichenko, sipas transmetuesit britanik, BBC.
Ai ka thënë se 90 për qind e banesave janë dëmtuar dhe 40 për qind e tyre janë shkatërruar.
Në mesin e objekteve të dëmtuara janë shtatë spitale dhe 57 shkolla.