Zyrtari amerikan: Ukraina ka rimarrë kontrollin e qytezës Trostjanets
Forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e qytezës Trostjanets, afër Sumit, dhe janë duke punuar për të larguar forcat ruse kanë Hersoni, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.
Duke folur para gazetarëve, ky zyrtar ka shtuar se forcat ruse “nuk kanë bërë përparim” drejt Kievit dhe janë rreth 20 kilometra larg qendrës së qytetit.
Sipas tij, mbetet e paqartë pse forcat ruse janë duke u fokusuar në rajonin Donbas.
Kjo strategji mund të jetë tentim për të fituar në negociata, apo edhe që rusët janë duke “rivlerësuar” qëllimet e tyre, ka thënë ky zyrtar.
Biden thotë se komentet për Putinin kanë qenë “zemërim moral”
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë të hënën se deklarata e tij që ka bërë në Varshavë, se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të largohet nga pushteti, ka reflektuar vetëm zemërimin e tij moral, dhe nuk është politikë e administratës amerikane.
Biden ka thënë se “nuk tërheq asgjë” nga deklarata, pas sqarimit të saj.
Kuleba: Armëpushimi, synimi kyç i Ukrainës në bisedime
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë të hënën se synimi më ambicioz i Ukrainës në bisedime me Rusinë është arritja e armëpushimit.
“Programi minimal do të jetë për çështje humanitare dhe programi maksimal do të jetë arritja e marrëveshjes për armëpushim”, ka thënë ai për televizionin kombëtar, kur është pyetur për negociatat që pritet të zhvillohen, të martën, 29 mars, në Turqi.
“Më shumë se 100 vdekje të civilëve në Kiev”
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë që më shumë se 100 njerëz kanë vdekur në kryeqytetin ukrainas, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Ai ka thënë se prej atëherë, 82 ndërtesa të larta banimi janë shkatërruar në Kiev.
Sipas Klitschkos, katër fëmijë kanë vdekur në qytet, si pasojë e luftës, dhe 16 fëmijë të plagosur janë në spital.
Ai ka shtuar se Qeveria nuk ka arritur të identifikojë më shumë se 20 trupa në Kiev.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të verifikojë këto pretendime.