Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
18:09 28.3.2022

Rusia dëbon tre anëtarë të Ambasadës së Sllovakisë

Rusia ka dëbuar tre pjesëtarë të stafit të Ambasadës sllovake, si shenjë hakmarrjeje ndaj një vendimi të ngjashëm të Bratislavës më herët gjatë këtij muaji.

Ministrja e Jashtme në Moskë, ka thënë përmes një deklarate më 28 mars se ambasadorit sllovak i është kumtuar lajmi.

“Të tre personave u është kërkuar të largohen nga Federata Ruse brenda 72 orëve”, është thënë në deklaratë.

Sllovakia, vend që ka kufi të vogël me Ukrainën, ka strehuar qindra mijëra refugjatë, të cilët i kanë ikur luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

17:41 28.3.2022

Lavrov: Rusia po planifikon masa hakmarrëse për viza

Moska është duke analizuar masa për t’ua kufizuar hyrjen në Rusi, banorëve të shteteve “jomiqësore”, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Është duke u krijuar një dekret presidencial për masat hakmarrëse për vizat, si përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore për një numër të shteteve të huaja”, ka thënë Lavrov në një transmetim televiziv.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka cituar Lavrovin të ketë thënë se masat “do të jenë përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore nga Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e tyre”, duke përfshirë “sanksionet jolegjitime” dhe “vendimet që cenojnë të drejtat e qytetarëve rusë dhe subjekteve ligjore”.

Aty nuk janë dhënë hollësi se për cilat shtete do të aplikohen masat, mirëpo Qeveria ruse ka miratuar në të kaluarën një listë të shteteve dhe territoreve që konsideron se kanë kryer “veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive të saj dhe qytetarëve”.

Në listë përfshihen: Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Zvicra, Norvegjia, Japonia, Koreja Jugore, Australia, Zelanda e Re, Singapori dhe vende tjera.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

17:21 28.3.2022

Orët luksoze zvicerane “konfiskohen” në Rusi

Zyrtarët rusë është raportuar se kanë konfiskuar orë në vlerë të miliona dollarëve të kompanisë, Audemars Piguet.

Orët janë konfiskuar nga agjentë të shërbimit të sigurisë, pas dyshimeve se kanë shkelur rregullat e doganës, kanë raportuar mediat zvicerane.

Kjo gjë ka ndodhur disa ditë pasi Zvicra ka braktisur neutralitetin tradicional dhe u është bashkuar vendeve të Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të saj në Ukrainë.

Autoritetet zvicerane nuk kanë konfirmuar këtë gjë.

Megjithatë, Qeveria ka thënë se ndalesa në eksportin e gjërave luksoze zvicerane ka shkaktuar “paqartësi” për disa biznese.

Orët e kompanisë Audemars Piguet mund të kushtojnë më shumë se 920,000 dollarë për copë.

17:02 28.3.2022

Ukraina: Rusia po planifikon sulme me raketa nga deti

Anijet ruse janë duke u përgatitur për sulme me raketa kundër shënjestrave ukrainase, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes.

“Raketat e flotës së Federatës Ruse në Detin e Zi, janë duke kryer detyrat në zona të caktuara në Detin e Zi dhe Detin Azov”, ka thënë Ministria.

“Disa anije kanë hyrë në zonën e mbyllur, ndoshta për të kryer sulme me raketa kundër objekteve në Ukrainë”.

Trupat ruse janë duke u fokusuar në mbajtjen e pozicioneve dhe janë duke tentuar të rigrupohen, në mënyrë që të rrisin kapacitetet e ofensivës, sipas Ministrisë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG