Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
16:12 28.3.2022

Kryetari: Forcat ukrainase marrin kontrollin e Irpinit

Kryetari i Irpinit, qytet që gjendet në afërsi të Kievit, tha të hënën se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e plotë të qytetit.

Ky qytet, që gjendet rreth 40 kilometra nga Kievi, ka qenë një prej qyteteve ku janë zhvilluar luftime të ashpra me trupat ruse.

“Kemi lajme të mira sot – Irpini është çliruar”, tha kryetari Oleksandr Markushyn përmes një video të postuar në Telegram.

“Ne e kuptojmë se mund të ketë sulme të tjera në qytetin tonë, por ne do ta mbrojmë atë me kurajë”, shtoi ai.

16:02 28.3.2022

Scholz: Rusia ka shkelur të gjitha rregullat ndërkombëtare

Moska ka shkelur të gjitha rregullat ndërkombëtare kur urdhëroi përdorimin e forcës për të ndryshuar kufijtë dhe do të jetë Rusia ajo që do të paguajë pasojat më të rënda për këtë vendim, tha kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Nevoja për të garantuar siguri në Evropë është një prej gjërave kryesore në periudhën e pasluftës, dhe të gjithë, përfshirë edhe Rusinë u pajtuan për këtë gjë pas vitit 1990, tha Scholz.

“Ka vetëm një përgjigje për këtë gjë. E para, ne i bëjmë thirrje Rusisë që ta ndalë luftën. Së dyti, ne e kemi bërë veten aq të fortë saqë një sulm ndaj një shteti të NATO-s apo BE-së nuk mund të ndodhë, sepse ne jemi të fuqishëm mjaftueshëm që t’i përgjigjemi një sulmi të tillë”, tha Scholz.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

15:55 28.3.2022

Presidenti ukrainas kërkon paqe "pa vonesë" në bisedime​

Ukraina mund të deklarojë neutralitet, potencialisht të pranojë një kompromis për zonat e kontestuara në lindje të vendit dhe t'i ofrojë garanci sigurie Rusisë për të siguruar paqen "pa vonesë", tha presidenti Volodymyr Zelensky, para një raundi tjetër të planifikuar bisedimesh me Rusinë.

Ai shtoi se vetëm një takim ballë për ballë me liderin rus mund t'i japë fund luftës.

Derisa la të kuptohet për lëshime të mundshme, Zelensky theksoi gjithashtu se prioritet i Ukrainës është sigurimi i sovranitetit dhe "integritetit territorial" të saj dhe parandalimi i Rusisë nga ndarja e vendit - diçka për të cilën Ukraina dhe Perëndimi thonë se tani mund të jetë qëllimi i Moskës.​

15:34 28.3.2022

Kryetari i Mariupolit: Afër 160,000 persona ndodhen brenda qytetit

Kryetari i Mariupolit ka thënë se afër 160,000 persona vazhdojnë të jenë në këtë qytet të rrethuar ukrainas dhe se “katastrofa humanitare” do të pasjë nëse nuk ndodhin më shumë evakuime.

Sipas transmetuesit publik të Ukrainës, Suspilne, kryetari Vadym Boychenko tha të hënën se forcat ruse po parandalojnë civilët që të evakuohen nga qyteti dhe disa janë kthyer mbrapsht.

Ky qytet-port, para lufte kishte pasur një popullsi prej 400,000 banorësh. Mariupoli është qyteti i goditur më së rëndi nga bombardimet ruse që prej se forcat ruse nisën pushtimit më 24 shkurt.

Që atëherë, civilët kanë mbetur të bllokuar brenda qytetit pa qasje në gjërat më elementare si uji, ushqimi dhe energjia elektrike. Po ashtu, ata nuk kanë qasje në komunikime pasi janë bombarduar kullat televizive dhe radiot.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG