G7 refuzon të paguajë energjinë ruse me rubla
Ministri gjerman i Energjisë, tha se grupi i shtatë vendeve më të industrializuara është pajtuar që të refuzojë kërkesën e Rusisë që të paguajë me rubla për energjinë ruse.
Ministri Robert Habeck u tha gazetarëve të hënën se “të gjithë ministrat e G7-ës janë pajtuar se pranimi i kësaj kërkese do të ishte shkelje e kontratave ekzistuese”.
Ai tha se pas një takimi online të ministrave të Energjisë të G7-ës, ata u pajtuan që “pagesa me rubla nuk është e pranueshme dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha kompanive të prekura nga kërkesa [e presidentit rus, Vladimir] Putin të mos e zbatojnë atë”.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të ditës:
Evakuimet: Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se asnjë korridor humanitar për evakuimin e civilëve nuk do të hapet të hënën për shkak të, siç tha, “provokimeve” të mundshme nga forcat ruse. Ndërkaq, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ende e ka të pamundur të dërgojë ndihma në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit.
Bisedimet: Turqia ka paralajmëruar se do të jetë nikoqire e rundit të ri të bisedimeve midis përfaqësuesve të Ukrainës dhe Rusisë, që u tha se do të mbaheshin më 28 mars. Por, Kremlini tha se me gjasë bisedimet do të nisin më 29 mars. Po ashtu, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha se një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të ishin “kundërproduktive” para se palët të arrinin pajtim për çështjet kyçe.
Ngecja e forcave ruse: Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se forcat ruse po e kanë të pamundur që të bëjnë përparim në Ukrainë. Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se trupat ruse po rigrupohen dhe po shkojnë në Bjellorusi, me gjasë për t’u përgatitur për përpjekje të reja për ta rrethuar kryeqytetin ukrainas, Kiev. Ndërkaq, ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur pesë sulme ruse në rajonet lindore të vendit.