Zyrtari ukrainas thotë se nuk pret përparim të madh nga bisedimet e paqes
Një zyrtar i lartë ukrainas tha se nuk pret ndonjë përparim të madh nga bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të mbahen në Turqi.
“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë përparim të madh në çështjet kryesore”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Vadym Denysenko.
Rundi i ri i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës është paralajmëruar se do të mbahet nga 28 deri më 30 mars.
Më 7 mars, ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, kanë zhvilluar bisedime në Turqi, por nga ai rund bisedimesh nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.
Shtetet gjermane do të dënojnë përdorimin e simbolit “Z”
Disa shtete gjermane kanë njoftuar se përdorimi publik i simbolit “Z”, që po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, do të ndëshkohet me ligj.
Senatorja Iris Spranger nga Berlini tha për gazetën Tagesspiegel se përdorimi i simbolit “Z”, që është parë në makinat ushtarake ruse, “natyrisht se do të thotë mbështetje e luftës së agresionit”.
Përdorimi i këtij simboli, sipas saj do të dënohet me ligj. Ajo iu referua një neni të Kodit Penal, që në rast se dikush e shkelë të njëjtin, mund të dënohet deri në tre vjet burgim apo të gjobitet.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ngjarjet kryesore
Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë ngjarjet kryesore lidhur me luftën në Ukrainë:
Bisedimet: Rundi i ri midis Ukrainës dhe Rusisë prite të mbahet në Turqi nga 28 deri më 30 mars, tha negociatori ukrainas, David Arakhamia. Ky do të jetë rundi i dytë i bisedimeve midis palëve që do të mbahet në Turqi, pasi më 7 mars, në këtë shtet u takuan kryediplomatët ukrainas dhe rusë.
Luftimet: Rusia po tenton që ta ndajë në dy pjesë Ukrainën, duke krijuar një rajon të kontrolluar nga Moska, pasi dështoi që ta pushtojë të gjithë vendin tha inteligjenca ushtarake ukrainase. Rajoni lindor ukrainas, Luhansk, që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, mund të mbajë një referendum për t’iu bashkuar Rusisë. Ukraina tha se ka zmbrapsur pesë sulme ruse në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, teksa Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se rusët nuk kanë bërë përparim gjatë 24 orëve të fundit.
Çernobil: Një ministër ukrainas tha se ka pasur zjarr në afërsi të centralit të çmontuar bërthamor të Çernobilit. Ky central, që ka qenë skenë e incidentit më të madh bërthamor në botë më 1986, vazhdon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase.
Civilët: Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se 1,119 civilë janë vrarë dhe 1,790 janë plagosur që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Numri real i viktimave megjithatë konsiderohet të jetë më i lartë. Sipas OKB-së, mbi dhjetë milionë persona janë zhvendosur për shkak të dhunës.
Mbretëria e Bashkuar: Nuk ka ndryshim në përparimin e trupave ruse
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se “nuk ka asnjë ndryshim të rëndësishëm në lëvizjen e trupave ruse” në Ukrainë në 24 orët e fundit.
Në përditësimin e fundit lidhur me situatën në Ukrainë, kjo ministri tha se “mungesat e vazhdueshme logjistike janë rënduar nga mungesa e vazhdueshme e momentumit dhe moralit kundër ushtrisë ruse dhe luftimeve agresive nga ukrainasit”.
Mbretëria e Bashkuar shtoi se Rusia ka fituar shumicën e terrenit në jug, afër qytetit Mariupol, ku luftime të ashpra po vazhdojnë teksa Rusia po tenton që të marrë kontrollin e këtij qyteti-port.