Macron: Ashpërsimi i gjuhës pengon armëpushimin në Ukrainë
Presidenti francez Emmanuel Macron është deklaruar kundër kundër përshkallëzimit verbal në raport me luftën në Ukrainë, një ditë pasi homologu i tij amerikan Joe Biden e përshkroi liderin rus Vladimir Putin si kasap dhe tha se ai nuk duhet të lejohet të qëndrojë në pushtet.
Macron u tha mediave franceze se qëllimi është të arrihet një armëpushim në Ukrainë dhe më pas tërheqja e trupave ruse.
Autoritetet amerikane kanë mohuar se Biden po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi.
Raportohet se Rusia ka plan për ndarje në dysh të Ukrainës
Rusia po përpiqet të ndajë Ukrainën në dy pjesë, në mënyrë që të krijojë një rajon nën kontrollin e Moskës, pasi ajo nuk arriti të marrë nën kontroll të gjithë vendin, tha kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase.
Reuters raporton se Kirilo Budanov tha në një deklaratë se Rusia dëshiron të “krijojë Korenë e Veriut dhe Jugut në Ukrainë”, duke shtuar se vendi i tij së shpejti do të fillojë një luftë guerile në territorin e pushtuar nga Rusia.
Të nderuar lexues, ne jemi duke raportuar drejtpërdrejt për luftën në Ukrainë. Deri në këto momente, këto janë lajmet më të rëndësishme të ditës:
- Shkatërrimi i gjerë ka lënë popullsinë e Çernihivit pa ujë, ngrohje apo energji elektrike, derisa trupat ruse vazhdojnë të rrethojnë qytetin verior të Ukrainës.
- Kreu i rajonit separatist Luhansk të Ukrainës tha të dielën se mund të mbajnë një referendum për t'u bërë pjesë të Rusisë.
- Rreth 30,000 refugjatë ukrainas arrijnë në Francë. Gjysma e tyre po kalojnë përmes Francës për në vende të tjera si Spanja, tha të dielën ministrja franceze e strehimit, Emmanuelle Wargon.
- Rusia goditi objektivat ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, me raketa me precizion të lartë, tha të dielën Ministria ruse e Mbrojtjes.
- Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për dy 'korridore humanitare' për të evakuuar civilët nga zonat e vijës së parë të dielën, duke përfshirë lejimin e njerëzve të largohen me makinë private nga qyteti jugor i Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk.
- Rusia ka filluar të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit të Ukrainës, që do të thotë se qeveria do të duhet të shpërndajë stoqet e të dyjave në të ardhmen e afërt, tha të dielën këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vadym Denysenko.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi me zemërim Moskën se po mbjell një urrejtje të thellë për Rusinë në mesin e popullit të tij.
Çernihiv mbetet pa furnizime bazike
Shkatërrimi i gjerë ka lënë popullsinë e Çernihivit pa ujë, ngrohje ose energji elektrike, derisa trupat ruse vazhdojnë të rrethojnë qytetin verior të Ukrainës.
Furnizimi me gaz ishte ende pjesërisht funksional, sipas administratës rajonale të dielën.
Infrastruktura e qytetit është shkatërruar nga "luftimet aktive", por po bëhen përpjekje për të riparuar dëmet, shkroi në Telegram shefi i administrates, Viacheslav Chaus.