Ndërlidhjet

S'ka marrëveshje për koalicion, nyja mbetet te kryetari i kuvendit


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur sërish marrëveshje për koalicion qeverisës.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, u takuan të martën në praninë e përfaqësuesve të vendeve të Quint-it dhe përfaqësueses së BE-së në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pas takimit se për një marrëveshje ndërmjet partisë që ai drejton dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nevojitet përafrim i dyanshëm. Siç ka thënë ai, LDK-ja ka qenë këmbëngulëse në propozimin e saj të datë 8 janar, që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Ne jemi afruar, por në anën tjetër ka insistim vetëm në ofertën e 8 janarit, në stilin ‘merre ose lëre’. Me qasjen ‘merre ose lëre’ nuk mund të arrijmë marrëveshje. Unë përpjekjet nuk do t’i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit (v.j. data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare) në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës", tha Kurti.

"Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime kurrë nuk ka qenë më e madhe për marrëveshje... por, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm”, tha Kurti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit deklaroi që partia e tij është e bindur që propozimin që ia ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje për ndarjen e barabartë të pushtetit i kontribuon marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje, ne në çdo moment jemi të gatshëm që të lidhim marrëveshjen për qeverisje dhe konsiderojmë se do të jetë një marrëveshje që i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër krimit dhe korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe jep përgjigje në besimin qytetar, të cilin ne e kemi marrë”, ka thënë Mustafa.

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë. Ata nuk u deklaruan për media.

Në këtë takim, sipas përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, ambasadorët e Quint-it u informuan rreth rrjedhës së negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit, tha se marrëveshja nuk është arritur për shkak të insistimit të LDK-së për postin e kryetarit të kuvendit.

"Do të doja të thosha që marrëveshja është finalizuar, por nuk mund ta them një gjë të tillë, për faktin se siç e dini, LDK-ja po insiston në propozimin e saj të datës 8 janar. Nuk ka marrëveshje pikërisht për shkak të insistimit të LDK-së për kthim para datës 26 dhjetor (v.j. dita kur u konstitua Kuvendi i Kosovës)", tha Haxhiu, duke shtuar se dy partitë kanë edhe një javë kohë për të arritur marrëveshje.

Haxhiu riktheksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdon të mbetet partnerja e vetme për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh dorëheqjen e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si zgjidhje për nyjën e krijuar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin, ngase kjo pozitë do t’i bartej nën udhëheqje LDK-së, kurse pozita e kryeministrit Vetëvendosjes.

LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të kuvendit ta mbajë deri në ditën kur kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021. Duke kërkuar që Vetëvendosje me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ta mbështesë kandidatin e LDK-së për president, kjo e fundit më pastaj do t’ia kthente postin e kryetarit të kuvendit Vetëvendosjes, kurse do të ruante për vete postin e presidentit të shtetit.

Ndërkaq sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat.

Por, një zgjidhje e tillë, e cila do të çonte në dorëheqje kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca, po kundërshtohet nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Për të ndihmuar në përafrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes, Vetëvendosje ftoi në takimin e së martës edhe përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian.

Quint: Nuk ndërmjetësojmë për formimin e qeverisë së re

Vendet e Quint-it, më herët të martën, kanë thënë përmes një deklarate se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë, gjatë procesit të formimit të qeverisë.

Përmes kësaj deklarate, këto vende e kanë ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe më 30 gusht të vitit 2019, se “çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë".

"Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë", thuhet në deklaratë.

"Përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë”, thuhet në deklaratën e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë pas certifikim të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 nëntor, kanë nisur punën për harmonizimin e programit për bashkëqeverisje.

Megjithatë, mosmarrëveshjet kishin lindur pas kërkesës së Lidhjes Demokratike që t’i garantohet mundësia e propozimit për postin e presidentit të vendit, pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, në vitin 2021.

Më 26 dhjetor është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, dhe kryetar i këtij institucioni është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ky veprim i kthen negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës në pikën zero.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG