Partitë politike që pritet të garojnë në balotazh për zgjedhjet lokale me datë 19 nëntor, kanë nisur të zhvillojnë takime e bisedime për mundësinë e lidhjes së koalicioneve.
Drejtuesit e partive politike thonë se ende nuk ka diçka konkrete rreth koalicioneve pos takimeve të zyrtarëve politikë në nivel lokal.
Mirëpo, njohësit e çështjeve politike, mendojnë se çfarëdo marrëveshje politike që mund të arrihet ndërmjet partive politike për balotazh, nuk mund të jetë e natyrshme derisa, si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal subjektet politike janë të përçara.
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, tha se partitë politike, mund i bëjnë koalicionet zgjedhore për çështje të interesit politik dhe shtrirje të ndikimit.
"Partitë politike për aq sa munden, shpeshherë edhe në kundërshtim edhe me vullnetin dhe orientimin e qytetarit për t’i dhënë dikujt votën, ato bëjë koalicione me tjetërkënd dhe i bëjnë për interesa politike të subjektit dhe për pushtet politik. Kjo shpesh shkakton pakënaqësi te një spektër i caktuar i elektoratit dhe duhet marrë me rezerva se jo gjithëherë këto koalicione mund të shprehin vullnetin e qytetarit", thotë Baraliu.
Në politikë ka interes dhe secila parti politike, shton Baraliu, përpiqet që të ketë sa më shumë pushtet në mënyrë që edhe ndikimi i atij subjekti të jetë sa më i madh.
"Edhe në mënyrë formale dhe joformale, edhe në mes të atyre subjekteve që akuzojnë njëra-tjetrën edhe në nivel qendror po edhe lokal për gabimet që kanë bërë, tashmë interesi i shtyn për koalicione dhe ta fitojnë mandatin ekzekutiv në një komunë ose në një tjetër", thekson Baraliu.
Kurse, analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e balotazhit dhe e koalicioneve, është kompromis politik jashtë vullnetit të shprehur të qytetarëve.
Ai, madje, mendon se partitë politike nuk kanë programe të qarta ideologjike, e as nuk investojnë në profilizimin e tyre.
"Partitë politike në Kosovë nuk janë të profilizuara në mënyrë të duhur në aspektin ideologjik dhe programor, prandaj edhe koalicionet, të cilat krijohen në balotazh duken të panatyrshme, sepse një kohë të gjatë ka akuza e kundërakuza mes atyre partive dhe pastaj në balotazh, për një kohë të shkurtër arrijnë marrëveshje për të qeverisur bashkë për katër vjet", vlerëson Muhaxheri.
Ai, madje, konsideron se forma e balotazhit zgjedhor në Kosovë po e deformon votën e qytetarëve dhe vetë vullnetin e tyre.
Koalicionet e mundshme, sipas tij, janë kalkulime të ftohta vetëm sa për të mbledhur vota dhe për të fituar pushtetin.
"Këto koalicione janë tejet të dëmshme për qeverisjen, qytetarët dhe nuk premtojnë asgjë të mirë pasi përveç ardhjes në pushtet nuk kanë ndonjë pikë programore, e cila mund të jetë e besuar për qytetarët e komunave të Kosovës, e që do të rezultojë me projekte të dobishme", thekson Muhaxheri.
Partitë politike deri tash nuk janë deklaruar se kanë vija të kuqe bashkëpunimi për asnjërën prej partive politike. Ndërkohë që koalicionet ndërmjet tyre, mund të ndryshojnë, nga komuna në komunë.
Facebook Forum