Ndërlidhjet

Fushata ‘paralizon’ institucionet


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Fushata për zgjedhjet lokale ka paralizuar në masë të madhe punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për shkak të angazhimeve partiake, thonë analistët politikë. Pas 30 ditëve fushatë, tani pritet që të pasojë edhe faza tjetër para balotazhit, që do të mbahet më 19 nëntor, periudhë kjo, e cila po ashtu besohet se do të ndikojë negativisht në funksionimin normal të institucioneve qendrore.

Analistët tërheqin vërejtjen po ashtu se edhe për kohën e humbur rreth organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Andaj si tërësi, ata thonë se Kosova këtë vit, ishte rreth gjashtë muaj pa institucione funksionale.

Valmir Ismaili, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, tha për Radion Evropa e Lirë, se deputetët kanë humbur shumë kohë me fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale, dhe se sipas tij, e njëjta pritet të përsëritet tani edhe për balotazhin që pritet të mbahet në 19 komuna.

"Kemi pasur 14 deputetë që kanë garuar për kryetarë të komunave dhe kur t’i mbledhësh të gjitha këto, mund të konkludohet se kemi pasur një zvarritje të madhe në punën e Kuvendit. Veç kësaj, kemi pasur ngecje edhe në aspektin e punës së Qeverisë, sepse edhe ministrat, edhe stafi civil në shumë raste janë parë duke mbështetur kandidatë të subjekteve të tyre politike gjatë fushatës zgjedhore", tha Ismaili.

Për me tepër, Ismali thotë se për mospunën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, shumë shpejt do të dalë me vërejtje raporti i progresit i Komisionit Evropian.

"Do të kemi edhe Raportin e Progresit dhe me siguri këto mangësi do të veçohen prapë në raportin e progresit për Kosovën. Humbësit më të mëdhenj në gjithë ketë situatë janë qytetarët e Kosovës, të cilët vazhdojnë të presin për viza para ambasadave të huaja. Shkalla e lartë e papunësisë dhe gjërat e tilla normalisht që ndikojnë në jetën e qytetarëve", tha Ismaili.

Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thotë se që nga konstituimi, Kuvendit i Kosovës nuk ka pasur një punë të rregullt.

Nga ky institut, vlerësohet se as komisionet parlamentare nuk kanë pasur punë të rregullt, derisa deputetët kanë marrë pagat pa ndonjë problem.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se veç deputetëve që garojnë për postin e kryetarit të komunës, edhe deputetët tjerë janë angazhuar aktivisht gjatë fushatës.

"Edhe deputetët e tjerë, kryesisht ata që kanë pasur një peshë më të madhe politike në subjektet tyre, vazhdimisht kanë qenë të inkuadruar në fushatë dhe kanë qenë duke shëtitur anë e kënd vendit, gjë që fokusin e tyre e kanë larguar prej punës në Kuvend", tha Murati.

Tutje Murati tha po ashtu se edhe për një kohë Kuvendi do të përballet me një pasivitet të punës dhe rrjedhimisht, sipas tij, deri në fund të vitit do të ketë një numër shumë të vogël të ligjeve që do të miratohen.

"Tani Kuvendi do të përballet me një situatë të ngjashme edhe në kohën e balotazhit, ndonëse në këtë javë është vërejtur se ka një tendencë për t’u kryer disa punë, madje kanë filluar komisionet të merren me shqyrtimin e disa projektligjeve. Mirëpo prapë, duke i analizuar edhe programet e punës të komisioneve në Kuvend, deri në fund të vitit shohim në përgjithësi se do të ketë një numër të vogël të projektligjeve të cilat do të trajtohen në Kuvend deri në muajin dhjetor", tha Murati.

Analistët politikë thonë se Kuvendi deri me tash nuk ka qenë në nivelin e duhur të përgjegjësisë. Sipas tyre mosfunksionimi i Kuvendit, qoftë me mos thirrjen e seancave apo zhvillimin e punëve nëpër komisione parlamentare, nuk mund të arsyetohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG