Institucionet e Kosovës po fajësojnë “grupet ilegale ekstremiste” për incidentet në veri, që kanë për cak serbët që po i konvertojnë targat e makinave të tyre nga ato të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës. Ndërkaq, njohësit serbë të çështjeve të sigurisë, thonë se serbët kanë frikë që t’i riregjistrojnë makinat e tyre.
Deri më 31 tetor, sipas Qeverisë së Kosovës, serbët në veri mund të pajisen me targa RKS dhe t’i zëvendësojnë targat që i kanë me akronime serbe për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme.
Deri më tani, vetëm 20 makina janë riregjistruar në RKS, dhe ky numër i vogël – krahasuar me afër 10.000 makina sa besohet se kanë targa të tilla në Kosovë – sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, është për shkak “të frikësimit” të serbëve.
Kosova thotë se nga 1 shtatori, ka regjistruar tri incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.
Sipas MPB-së, një rreshteri të Policisë së Kosovës në veri, që konvertoi targat, iu sulmua shtëpia dhe iu dogj një pjesë e saj.
Në Zveçan, një qytetari serb, sipas MPB-së, iu dogj një depo, pasi ai kishte riregjistruar veturën e djalit të tij, dhe po ashtu një banori në komunat në veri, pas riregjistrimit të veturës, më 27 tetor iu dogj vetura.
Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë thanë për REL se janë duke i “hetuar rastet”.
Në të kaluarën, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës – përfshirë edhe ata të komunitetit serb – kanë qenë cak i sulmeve, për të cilat, Qeveria në Prishtinë, po ashtu ka fajësuar “bandat kriminale” në veri.
Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë. As Beogradi zyrtar nuk ka komentoi publikisht sulmet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri.
Serbët "kanë frikë" të kritikojnë riregjistrimin
Në një anketë të zhvilluar javën e kaluar në veriun e banuar me shumicë serbe nga organizata “Qendra Humane Mitrovicë”, thuhet se 86 për qind e banorëve të veriut kanë frikë të shprehin publikisht qëndrimin e tyre kritik për targat, mes paralajmërimeve të zyrtarëve serbë në Kosovë dhe Serbi, se pas 31 tetorit mund të ketë barrikada në veri nëse Kosova konfiskon veturat dhe targat serbe.
Njohësi i çështjeve të sigurisë nga Mitrovica e Veriut, Verolub Petroniq, nga kjo organizatë, që nuk dëshiron të komentojë djegien e makinave të serbëve që po pajisen me targa RKS, thotë për REL-in se shumica e banorëve serbë në veri janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta, përfshirë barrikada dhe forma të tjera të mosbindjes civile.
“Barrikadat janë një nga format e mosbindjes qytetare apo protestave sociale, për të shprehur pakënaqësinë. Ky është vendim politik, por hulumtimet tona tregojnë se megjithatë popullata është e gatshme për diçka të tillë, për shkak të ndonjë revolte të brendshme”, thotë ai.
Petroniq nuk e përjashtoi mundësinë e rritjes së tensioneve në veri pas skadimit të afatit për riregjistrim të makinave.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar të enjten bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.
Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi priti në Beograd përfaqësuesit e Listës Serbe, dhe më pas u takua me Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare, deklaroi se targat që Beogradi i lëshon për serbët në Kosovë “do të mbesin” edhe pas 31 tetorit.
“Plani i tyre [i Kosovës] është që ato vetura të lëshojnë [Kosovën] duke mos lejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq, dhe shtoi se serbët do të bëjnë “rezistencë” nëse Prishtina konfiskon pronat e tyre.
Kosova ka thënë se makinat me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë pas 31 tetorit, e as të kalojnë kufirin.
Kush janë strukturat kriminale?
Sipas MPB-së së Kosovës, “grupe ilegale ekstremiste janë duke i shtypur qytetarët dhe vullnetin e tyre dhe kjo është bërë pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve tanë atje”.
“Çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizuar në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime, dhunë dhe sulme”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, por nuk specifikoi se për cilat grupe bëhet fjalë.
Nga MPB-ja thonë se strukturat “ilegale” po nxiten nga udhëheqja politike në Beograd.
“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, thotë Fetoshi nga kjo ministri.
Pavarësisht se MPB-ja nuk specifikoi se për cilat grupe bëhet fjalë, megjithatë, në korrik të këtij viti, drejtuesi i MPB-së, Xhelal Sveçla, i tha REL-it se në krye “të strukturave kriminale, përfshirë ato të kontrabandës, të cilat e sulmojnë Policinë e Kosovës” në veri qëndron Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe.
Që nga dhjetori i vitit 2021, Radoiçiq gjendet në listën e zezë amerikane dhe cilësohet se është pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Ai, po ashtu, kërkohet nga Kosova për një rast tjetër për frikësim dëshmitarësh. Urdhërarresti ndaj tij është ende në fuqi për rastin “Brezovica” që ka të bëjë me lëshimin e lejeve të paligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Më 27 tetor, edhe Vjosa Osmani, fajësoi “strukturat ilegale dhe kriminale” në veri, që tha se janë pjesë e listës së zezë amerikane. Veprimet e tyre, sipas saj, dëshmojnë se riregjistrimi i makinave, në esencë është çështje e sundimit të ligjit.
“Ajo pakicë, e cila që akoma nuk i ka konvertuar[targat] është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për përfshirë me djegie veturash e shtëpish që po ua bëjnë strukturat ilegale kriminale. Lufta jonë është luftë kundër bandave. Në luftën tonë kundër bandave, në luftën tonë për sundim të ligjit ne presim përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, tha Osmani.
*Video nga arkivi: REL identifikon se kush qëndron prapa kamionëve të përdorur në barrikada
Përderisa Serbia po kërcënon me barrikada, dhe Kosova po insiston se riregjistrimi ka të bëjë me sundimin e ligjit, Bashkimi Evropian u ka kërkuar palëve që të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Nga BE-ja thanë se po punojnë, së bashku me partnerët, që të gjendet një zgjidhje për targat para 31 tetorit.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për 10 muaj afatin për riregjistrim. Por, sipas të dërguarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosova ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.
Facebook Forum