Ndërtimi i një nanosateliti, realizimi i ëndrrës amerikane, krijimi i kompanive milionëshe që mbajnë të rinjtë në Kosovë, transformimi i hapësirave për komunitetet joshumicë, raportet e mira mes shqiptarëve dhe serbëve, kompani që punësojnë vetëm persona me aftësi të kufizuara dhe tejkalimi i sfidave shëndetësore.
Këto janë disa prej historive pozitive për të cilat raportoi Radio Evropa e Lirë gjatë vitit 2023, disa prej të cilave i kemi përmbledhur në këtë artikull.
Shkencëtarja aktiviste e Kosovës që ndërtoi nanosatelitin e parë
Kur ishte në klasë të pestë, Elta Bajrami, së bashku me shokët e shoqet e klasës shikoi një eksperiment me sodë buke, uthull, që bëri që një balonë të fryhej. Kjo eksperiencë i shtoi më shumë kureshtjen për shkencë.
Elta, 19 vjeçe, tashmë studion në Shtetet e Bashkuara, por sa ishte në Kosovë ishte përfshirë në disa gara ndërkombëtare, të cilat i sollën edhe çmime.
Më 2019, ajo mori pjesë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge, ku fitoi medaljen e artë, pasi ndërtoi një robot.
Një vit më vonë, së bashku me tri garuese të tjera të Kosovës, Elta bëri historinë duke ndërtuar nanosatelitin e parë në Kosovë.
“Duke e parë që askush në Kosovë nuk ka krijuar më herët një nanosatelit, nuk kishim as ku të bazohemi për ta marrë një model. Por, përmes ndihmës së instruktorëve dhe hulumtimit që e kemi bërë, kemi arritur që për herë të parë të lancojmë një nanosatelit në Kosovë”, tregoi Elta për Radion Evropa e Lirë.
Fabrika “e veçantë” në Lipjan
Në Lipjan, kompania “Freesia” punëson vetëm persona me aftësi të kufizuara. Në këtë kompani, që ka nisur punën në maj dhe prodhon letra higjienike, punojnë dhjetë persona.
Shumica e punëtorëve thonë se puna i bën të ndihen më të vlefshëm.
“Tash e ndjej veten shumë më mirë. Unë me prindërit kam komunikim shumë të mirë nuk më kanë lënë të heq keq për asgjë. Por, tash, gjithçka është më mirë. E di se tashmë e kanë pagën time, e shfrytëzoj më lehtë për gjërat e mia personale”, tha Drita Xhylani, punonjëse në “Freesia”.
Sipas drejtuesve të kompanisë, paga është mesatare, rreth 500 euro neto. Punonjësi po ashtu u siguron ushqimin punëtorëve dhe ua paguan sigurimin shëndetësor.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë jetojnë mbi 77.000 persona me aftësi të kufizuara.
Sipas ligjeve, sektori publik dhe privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë. Por, kjo kuotë mbetet larg përmbushjes.
“Realiteti më ra fytyrës shpejt”: Sfidat e rritjes së një biznesi nga zeroja
Krenar Roka ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara në moshën 17-vjeçare për studime.
Më 2018, bashkë me shokë, kishte pasur në bankë 25 dollarë. Sot, ata numërojnë miliona.
Krenari, 29-vjeçar, bashkëudhëheq kompaninë Rubik, që është e specializuar në fushën e patundshmërisë dhe ka selinë në Nju Jork.
Pavarësisht se ka arritur të rrisë biznesin e tij nga zeroja, Krenari tregoi për Radion Evropa e Lirë se kjo nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Në mungesë të parave, kemi ngrënë çdo ditë makarona dhe oriz, kjo më kujtohet shumë mirë. Gjatë një kohe kemi dalë edhe nëpër rrugë, çdo të mërkurë në mbrëmje, për të parë nëse ka diçka që njerëzit dëshirojnë ta largojnë nga shtëpia, por që për ne ka pasur një vlerë të caktuar”, tha ai.
Kompanitë milionëshe që po i mbajnë të rinjtë në Kosovë
Sektori i teknologjisë dhe informimit, sipas Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës e bën atë “sektorin e vetëm që ka potencial ta luftojë trendin e emigrimit”.
Kjo pasi, pagat në këtë sektor janë shumë më të larta sesa paga mesatare në Kosovë.
Ndër kompanitë që u ofrojnë mundësi të rinjve të punojnë në Kosovë dhe shërbimet e tyre janë të destinuara për jashtë është edhe kompania e Arianit Fazliut, Kutia, që eksporton produkte softuerike në SHBA, Norvegji, Suedi, Gjermani e shumë vende të tjera.
Edhe pse kompania e tij është rritur dukshëm dhe tani është zhvendosur në një zyrë të re, Arianiti tha se ende vazhdon të ofrojë punë për studentët e rinj, me qëllim të “shpërndarjes së dijes”.
Kompania e tij punëson dhjetëra praktikantë.
Ndërkaq, Fikret Murati, është pronar i kompanisë Speeex në Kosovë, e cila ofron kryesisht shërbime për kompani të huaja në sektorin e tregtisë. Ai punëson rreth 2.000 punëtorë.
“Mendoj që nëse u ofron një vend të sigurt pune dhe mundësi për të ardhmen, mundësi zhvillimi, nuk është e vështirë [t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë]. Ne, si kompani private, duhet t’u përmbahemi disa rregullave”, thotë Fikreti, kompania e të cilit punëson rreth 2.000 punëtorë në Kosovë, me moshë mesatare prej 29 vjeç dhe rroga në këtë kompani është rreth 1.200 euro.
Nisi pa mjete e pa përvojë, sot sipërmarrës i suksesshëm
I diplomuar në ekonomi, por në mungesë të një vendi pune në këtë fushë, Valon Kuqica, nisi të merrej me tregti në vitin 2018.
Tridhjetëvjeçari nga Drenasi në më pak se pesë vjet u bë një tregtar i suksesshëm.
“Para katër vjetësh ka qenë një storie interesante. Kemi qenë si biznes mjaft i vogël. Hapat nuk kanë qenë aspak të lehtë në këtë rrugëtim, mirëpo më ka motivuar puna për të rritur biznesin tim, për ta zgjeruar për ta zhvilluar dhe ta kem edhe një biznes që prodhon...që të ketë lidhshmëri në mes të biznesit ku unë tregtoj dhe këtu serës ku prodhoj”, tha Valoni.
Radio Evropa e Lirë e kishte intervistuar Valonin më 2018, kur ai kishte një automjet dhe një magazinë të vogël ku mbante pemët dhe perimet. Ai tregoi se dy vjetët e para të biznesit ishin të vështira.
Tani ai ka të hapur një dyqan në Drenas dhe ka krijuar një rrjet të gjerë të bizneseve, të cilat i furnizon me pemët dhe perimet që i prodhon vetë. Valoni synon që prodhimet e tij t’i eksportojë edhe jashtë Kosovës.
Ndjenjë shtëpie: Jeta në strehimoren për fëmijët me aftësi të kufizuara
Në Shtime, nëntë persona me aftësi të kufizuara mendore e fizike, jetojnë në një shtëpi-strehë. Që të gjithë kanë diagnoza shëndetësore dhe historitë e tyre janë të ndryshme. Por, të përbashkët e kanë mungesën e përkujdesjes familjare që nga fëmijëria.
Stafi i kualifikuar prej dhjetë personash, përpiqet t’iu krijojë ndjenjën e shtëpisë dhe familjes.
“Këtu ofrohen shërbime 24 orë, të gjithë fëmijët që janë të strehuar në këtë shtëpi gëzojnë përkujdesje mjekësore, marrje të ushqimit, përkujdesje në mirëmbajtjen e higjienës personale, veshmbathje dhe shumë e shumë shërbime të tjera”, tha udhëheqësi i kësaj strehimoreje, Jeton Ademaj.
Shtëpia është hapur në vitin 2002 si strehë për fëmijët me nevoja të veçanta nga e gjithë Kosova. Megjithatë, asnjëri nga banorët aktualë nuk është nën moshën 18-vjeçare.
Nga Beogradi në Prishtinë, vajzat e Pretty Loud luftojnë paragjykimet
Zllata, Zhivka, Dijana, Sellma dhe Ellma udhëtuan nga Beogradi në Prishtinë për festivalin “Mirëdita, Dobar dan”, në maj të këtij viti.
Pesë vajzat e komunitetit rom përbëjnë grupin Pretty Loud. Në Prishtinë, ato performuan këngët e tyre që përcjellin mesazhe kundër diskriminim, dhunës e martesave të hershme.
“Besoj se disa gjëra në shoqëri mund të ndryshohen, sepse kemi, për shembull, vajta që duan ta lënë shkollën. Pas performancave tona, pas videove tona, dhe ua dhamë atyre vullnetin, i inkurajuam të fillojnë, të vazhdojnë edukimin e tyre”, tha Zhiva.
Pjesëtaret e grupit Pretty Loud thanë se shpresojnë që mesazhi i muzikës së tyre të përçohet përtej komunitetit rom, të cilit ato i përkasin.
Vagonët e ndryshkur shndërrohen në kënd lojërash
Në qytetin e Fushë Kosovës, gjendet një nga qendrat e kërkimeve të organizatës së të rinjve “Name Comes Last”.
Verën e vitit të kaluar, kjo organizatë nisi një projekt në këtë qytet. Në afërsi të hekurudhës, ku gjendet një lagje e banuar kryesisht nga pjesëtarët e komunitetit rom, një hapësirë që dikur ishte e mbushur me mbeturina të ngurta dhe me vagonë të vjetër, u transformua në një hapësirë në shërbim të banorëve të lagjes.
Hapësira u shndërrua në një kënd lojërash për fëmijët e komunitetit rom.
“Fushë Kosova u bë qendra e hulumtimit dhe e motivit të punës sonë, duke synuar angazhimin afatgjatë të rinisë nga lagjet, në skenën artistike dhe kulturore të Prishtinës”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga organizata “Name Comes Last”.
Në Kosovë ka shumë hapësira e ndërtesa të braktisura. Po ashtu, në lagjet ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit rom ka mungesë të këndeve të lojërave për fëmijë.
Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë, në Kosovë jetojnë 8.824 romë.
Pjesëtarë të këtij komuniteti jetojnë kryesisht në vendbanime me infrastrukturë të dobët dhe në shtëpi që kanë kushte minimale banimi.
“Më qeshnin se luaja futboll me djem”
Fatime Beha, 14-vjeçare, nga fshati Carralevë, komuna e Shtimes, ishte e vendosur se nuk do t’i dëgjonte komentet se "futbolli është për djem dhe jo për vajza".
Me përkrahjen e babait të saj, që është trajner futbolli, ajo ndoqi ëndrrën e saj për këtë sport.
Ajo nisi të luante futboll, fillimisht me djem, në moshën 7-vjeçare, pasi në Shtime nuk kishte klub futbolli për vajza.
“Kur kam luajtur me djem, qeshnin...ke luajtur me djem, jo nuk bën vajzat...”, thotë Fatimja.
Pas gjashtë vjetësh lojë me djem, në moshën 12-vjeçare, klubi i futbollit të femrave “Prishtina”, e mori në skuadër.
Fillimisht, babai i saj e dërgonte në stërvitje çdo ditë nga Shtimja në Prishtinë, distancë prej 35 kilometrash.
Më 2022, ajo me klubin “Prishtina” udhëtoi për në Barcelonë për stërvitje dhe lojë miqësore. Ajo tregoi se nga ky udhëtim veçon shënimin e nëntë golave.
Ajo ka ëndrra të mëdha dhe të ngrit lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe synon që një ditë të luajë në Kupën e Botës për femra.
Në klinikën ku përcillet çdo tik-tak zemre
Në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është i ndarë reparti intensiv, ku trajtohen foshnjat që lindin para kohe, ose me probleme shëndetësore, ose me peshë të vogël, 1-2 kilogramë apo edhe më pak.
Foshnjat shtrohen aty menjëherë pas lindjes, pasi u duhet kujdes i specializuar.
Të rrahurat e zemrës së tyre, ritmi i frymëmarrjes, presioni i gjakut dhe temperatura u monitorohen 24 orë nga stafi profesionist, i cili me mburrje pohon se nga viti në vit, numri i të vegjëlve që mbijetojnë, është në rritje.
“Këtu nuk kemi zëra të bebeve që qajnë. Janë të rrallë zërat. Por, kur i dëgjojmë, gëzohemi”, tha për Radion Evropa e Lirë një infermiere, që po përkujdesej për një foshnje të porsalindur, që ishte vendosur në inkubator.
“Evropiani i Vitit” nga Kosova ëndërron t'i bie kitarës përtej kufijve
Njëmbëdhjetëvjeçarin nga Prishtina, Ledion Halitajn, tingujt e kitarës e bëjnë të ndihet i qetë dhe i lumtur.
Ai nisi të luante me këtë instrument kur ishte 9-vjeçar, kur prindërit e tij ia blen kitarën e parë. Që nga viti 2020, ai është regjistruar në një shkollë private të muzikës dhe në shtator të po atij viti fitoi çmimin e parë në një festival ndërkombëtar të kitarës, i organizuar në Transilvani të Rumanisë.
Pas kësaj, ai mori pjesë edhe në festivale të tjera të ndryshme ndërkombëtare dhe ka fituar 15 çmime.
Ndër vlerësimet më të veçanta për të, Ledionit i erdhi më 4 maj të këtij viti, kur Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ia dha çmimin “Evropiani i Vitit”.
Ky çmim ndahet çdo vit për një person në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës që shënohet më 9 maj.
Ledioni i tha Radios Evropa e Lirë se ky çmim do ta motivojë shumë që të arrijë edhe suksese të tjera.
Ai po përgatitet edhe për koncerte të reja.
"Kam dëshirë të vizitoj vendet si Vjena [Austri], Italia e të tjera", thotë ai, duke shpresuar që një ditë të paraqitet me kitarën e tij edhe atje.
Bunkeri i Prishtinës ushton nga tingujt e muzikës
Organizata e të rinjve që merret me zhvillimin e kulturës dhe muzikës alternative, “Defy them”, tash e një vit e ka shndërruar një strehimore nëntokësore në Prishtinë në një qendër arti e muzike.
Në Prishtinë janë pesë strehimore nëntokësore të destinuara të përdoren në raste të ndonjë fatkeqësie natyrore apo rreziku tjetër, dhe “Defy them” e përdor strehimoren në Lagjen Bregu i Diellit, me lejen e Komunës së Prishtinës.
Në këtë hapësirë prej 200 metrash katrorë, bendet e zhanreve rok, punk e metal incizojnë këngët e tyre, e disa të tjerë i janë bashkuar shkollës së muzikës që ka themeluar kjo organizatë, pikërisht aty.
Udhëheqësit e organizatës thanë se hapësira mund të përdoret për strehimin e popullatës, kurdo që është e nevojshme.
“Përderisa këto hapësira kanë mundësi të shfrytëzohen për aktivitete që janë në dobi të komunitetit, pse jo? Komuniteti na ka pranuar shumë mirë, plot fëmijë të lagjes vijnë në shkollën e muzikës”, tha Lira Blakaj, drejtoreshë e organizatës “Defy them”.
Artistja që braktisi Zvicrën "për të lënë gjurmë" në Kosovë
Kaltrinë Rrustemi, artiste pamore dhe skulptore, tash e një vjet jeton në Prishtinë, pasi ka ardhur nga Zvicra ku është lindur, rritur dhe ka studiuar.
Për një kohë të gjatë, ajo tha se e kishte tunduar ideja që të kthehej në vendlindjen e prindërve.
Kaltrina, 29 vjeçe, tha se në masë të madhe ka arritur të integrohet në shoqërinë kosovare.
Ajo dëshiron që me artin e saj të lë gjurmë.
“E shoh veten si vrojtuese të jetës, dhe krijoj nga ajo shumë spontanisht, me mediumin që më vjen. Nuk e kam kryesisht skulpturën si medium – edhe shkruaj, pikturoj, dhe në shumë mënyra të ndryshme mendoj se krijoj art”, tha Kaltrina gjatë rrëfimit për Radion Evropa e Lirë.
Ajo po përgatit botimin e një libri dhe hapjen e një ekspozite. Nuk arrin të fitojë para nga arti i saj, por punon në “Kino Armata”, në Prishtinë, për të siguruar jetesën, siç tha ajo, sikurse të gjithë kosovarët e zakonshëm.
"Kurrë nuk ma kërkon borxhin": Fshati multietnik ku nuk ka ndikim veriu
Ndasia mes serbëve dhe shqiptarëve në veri të Kosovës, që po thellohet pas çdo krize, nuk ndikon në bashkëjetesën e këtyre dy komuniteteve në komunën e Kamenicës.
Në fshatin Berivojcë në lindje të Kosovës, shqiptarët dhe serbët jetojnë në fqinjësi të mirë, bashkëpunojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Por, edhe problemet i kanë të njëjta.
"E ktheva sëmundjen në personazh dhe ia lashë emrin Leo"
Regjisorja nga Prishtina, Arlinda Morina, u përball me shumë sfida si një e re që kundërshtonte kufizimet dhe normat e caktuara shoqërore.
Megjithatë, sfidën më të madhe e pati në pesë vjetët e fundit.
“Në 2018 u sëmura, e pata një goditje shëndetësore. Faktikisht, unë vuaja nga diçka që nuk e dija. Kisha dhimbje gjithë kohën, por nuk e dija prej nga vinte. E kuptova që e kam leukeminë. Disi, brenda vetes nuk e dimë sa kemi forcë. Unë e kuptova që kam shumë forcë”, tha Arlinda në një rrëfim për podkastin Libertas të Radios Evropa e Lirë.
Me energjinë pozitive, humorin dhe dëshirën e madhe për të jetuar, ajo mposhti dy herë kancerin e qelizave të gjakut, leukeminë, sëmundje të cilën sa ishte e shtrirë në spital e ktheu në personazh që e quajti Leo.