Agjencia italiane për zbatimin e ligjit, Guardia di Finanza, nuk e ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në hetimin e vjedhjes së më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Guardia di Finanza ka thënë se pas kërkesës së institucioneve të Kosovës, janë në pritje të ndërmarrjes së veprimeve nga Qeveria italiane.
“Kërkesa për asistencë është bërë nga ministrja e Financave [të Kosovës, Hykmete Bajrami] direkt tek ambasadori italian në Kosovë [Nicola Orlando]. Kështu që, për momentin ne jemi duke pritur dispozitat qeveritare që eventualisht mund të ndërmerren në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Guardia di Finanza.
Në Ambasadën e Italisë në Prishtinë thonë se kanë dërguar kërkesën e institucioneve të Kosovës tek institucionet përgjegjëse në Itali.
Mirëpo, sipas tyre ndihma që është kërkuar nga Guardia di Finanza përfshin ngritjen e kapaciteteve, trajnime dhe këshillim, por jo edhe përfshirje në hetimin e skandalit të zhdukjes së më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
“Italia e konfirmon atë që ka thënë ministrja [Hykmete] Bajrami në lidhje me kërkesën e saj për bashkëpunim e cila aktualisht iu është bërë me dije autoriteteve italiane për zhvillimin e kapaciteteve kosovare, trajnim dhe këshillim. Konfirmojmë gatishmërinë tonë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm dypalësh me Qeverinë e Kosovës për këto dhe tema të tjera brenda kornizës së programeve të BE-së, sipas kërkesës zyrtare”, tha zëdhënësja e Ambasadës së Italisë në Kosovë, Arjeta Halitaj në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Hoti: Skandalin e hetojnë vendorët
Gjatë një konference për media, të hënën më 16 nëntor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sqaroi kërkesën e ministres, Hykmete Bajrami drejtuar ambasadorit italian në Prishtinë, Nicola Orlando.
Kryeministri Hoti tha se hetimet për vjedhjen e dy milionëshit në Thesar janë duke u kryer nga institucionet e Kosovës dhe se ftesa për Guardia di Finanza ka të bëjë me auditimin e sistemit.
“Kërkesa e ministres është që të ndihmohet në auditim të sistemit, përndryshe hetimet janë duke vazhduar dhe shpresoj se do të shohim rezultate së shpejti nga ato hetime”, deklaroi kryeministri Hoti.
Radio Evropa e Lirë ka provuar që të flasë me ministren Bajrami për të shpjeguar angazhimin konkret që pritet të kenë zyrtarët e Guardia di Finanza, por ministrja Bajrami nuk është përgjigjur.
Në një postim të sajin në Facebook të datës 15 nëntor, ministrja Bajrami tha se ka kërkuar nga ambasadori italian, “që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit”.
Ministrja Bajrami tha se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndihmojnë financiarisht procesin e auditimit të Thesarit nga ana e Guardia di Finaza.
Duke ju referuar vjedhjes në Thesar, ministrja Bajrami tha se “lufta kundër hajnave do të vazhdojë me krejt kapacitetet e mundshme vendore e ndërkombëtare, pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime”.
Ligjet e Kosovës e "pamundësojnë" përfshirjen e Guardia di Finanza
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Guardia di Finanza, ligjërisht nuk mund të kryejë hetime në Kosovë.
Bazuar në ligjet e Kosovës sipas Miftarajt, kompetentë për hetime brenda territorit të Republikës së Kosovës janë vetëm agjencitë që zbatojnë ligjin dhe që janë nën urdhrat e Prokurorit të Shtetit.
“Guardia di Finanza qoftë në aspektin penal, qoftë në aspektin e auditimit, nuk ka mundësi dhe nuk ka kompetencë, nuk ka bazë ligjore që të vijë në Kosovë dhe të kryejë ndonjë veprim i cili do të cenonte, qoftë pavarësinë, qoftë ligjet e Kosovës”, tha Miftaraj.
Miftaraj thotë se institucionet e Kosovës nuk është dashur që të bëjnë kërkesë te Guardia di Finanza as për auditim të Thesarit. Këtë sipas tij, do të duhej ta bënte Zyra e Auditorit Kombëtar.
Kosova ka nevojë për ekspertizë ndërkombëtare
Profesori i lëndës së Kriminalistikës në kolegjin AAB, Fatmir Qollakaj, thotë se institucionet e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme për të luftuar krimet financiare.
Por, Qollakaj mendon se megjithatë duhet rritur bashkëpunimin me agjenci ndërkombëtare që kanë një ekspertizë dhe eksperiencë më të gjatë.
“A është e domosdoshme prezenca dhe angazhimi i Guardia di Finanza në luftim ose zbulim, sigurim të provave te rastet e krimeve financiare, te rastet e krimeve ekonomike, te rasti konkret i vjedhjes së dy milionë eurove? Unë mendoj se ka rëndësi përvoja e institucioneve tjera dhe pse të mos na ndihmojnë në zgjidhje të rasteve”, deklaroi Qollakaj.
Guardia di Finanza është një prej organizatave nga e cila, sipas profesorit Qollakaj, Kosova mund të përfitojë përmes bashkëpunimit dhe trajnimit të stafit kosovar.
Guardia di Finanza ishte edhe më parë në Kosovë
Për herë të parë në vitin 2002, dhjetë zyrtarë të Guardia di Finanza, ishin vendosur në Kosovë.
Atëbotë, ata kishin ardhur me ftesë të misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK, konkretisht, kryeadministratorit të Kosovës, gjermanit Michael Steiner.
Nga viti 2002 zyrtarët e Guardia di Finanza kanë bashkëpunuar me ish-pjesëtarët e UNMIK-ut në hetimin e krimeve financiare dhe korrupsionit.
Zyrtarët e Guardia di Finanza që i raportonin direkt kryeadministratorit Steiner, kanë hetuar përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, por edhe ata ndërkombëtarë.
Në një komunikatë të lëshuar nga UNMIK-u, në muajin korrik, 2002, thuhej se “askush, kosovar apo ndërkombëtar—nuk do të mund t’i ikë përpjekjes sonë për luftimin e krimit”.
Para vitit 2008, këta pjesëtarë të Guardia di Finanza kishin qenë të përfshirë në hetimin keqpërdorimeve në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK) ku në fund të procesit gjyqësor, ish-drejtoresha e PTK-së, Leme Xhema u shpall fajtore duke u dënuar me tri vjet heqje lirie.
Anëtarët e Guardia di Finanza po ashtu kanë hetuar edhe disa ish-pjesëtarë të UNMIK-ut që dyshoheshin për keqpërdorime financiare dhe korrupsion.
Çfarë është Guardia di Finanza?
Guardia di Finanza është agjenci e zbatimit të ligjit në Itali.
Funksionon nën autoritetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe ka njësitet e saja të specializuara policore.
Aktivitetet e kësaj agjencie janë të lidhura me sigurinë financiare, ekonomike, gjyqësore dhe sigurinë publike.
Këtu përfshihet evazioni fiskal, krimet financiare, kontrabanda, pastrimi i parave, trafik i paligjshëm ndërkombëtar i drogës, imigrimi i paligjshëm, kontrolle doganash dhe kufijsh, shkelje të së drejtës së autorit, operacione anti-mafia, mashtrim me karta krediti, krimi kibernetik, falsifikimi i parave, financimi i terrorizmit, ruajtja e rendit publik dhe siguria, mbrojtja politike dhe ushtarake e kufijve italianë.
Në fillim të muajit korrik të këtij viti, Guardia di Finanza kapi rreth 14 tonelata drogë të llojit amfetamina, përkatësisht 84 milionë tableta me logo "captagon" të prodhuara në Siri nga grupi militant, Shteti Islamik.
Në luftimin e krimit të organizuar, Guardia di Finanza, bashkëpunon me organizata ndërkombëtare si INTERPOL, EUROPOL dhe organizata nga vende të tjera të botës.
Si u vodh dy milionëshi?
Muajin e kaluar, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një konference për media njoftoi se ishin vjedhur mbi dy milionë euro nga Thesari i Kosovës.
Prokuroria e Kosovës pretendon se punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, duke keqpërdorur autorizimet dhe duke thyer fjalëkalimet e disa punëtoreve të Ministrisë së Infrastrukturës kishte bërë transferimet në vlerë të mbi dy milionë eurove më 9 tetor, në llogarinë bankare të kompanisë ‘LDA Group’.
Deri më tani lidhur me këtë ngjarje, janë arrestuar Labinot Gruda dhe Kadri Shala që është njëri nga pronarët e kompanisë ‘LDA Group’, kompani në të cilën u transferuan paratë.
Që të dy janë në paraburgim, ndërkaq, një person tjetër vazhdon të jetë në arrati.
Facebook Forum