Ndërlidhjet

"Jam i pafajshëm", thotë punëtori i Thesarit


Ilustrim.
Ilustrim.

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda ka deklaruar në gjykatë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

"Unë gjithmonë i kam përmbushur detyrimet e mija sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato", ka thënë ai.

Kështu deklaroi Labinot Gruda gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas së cilës iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, në bazë të kërkesës së prokurorit. Kjo deklaratë citohet në aktvendimin e gjykatën, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

Gjykata thotë se Gruda dyshohet për kryerjen e veprës penale "keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria: 2 milionë euro u transferuan për 8 minuta

Sipas deklaratës së prokurorit të rastit, Labinot Gruda më 9 tetor mes orës 12:11 dhe 12:19 nga zyra e tij në Thesarin e Kosovës, "duke krijuar user-a (llogari) të ndryshëm si user-a të punëtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme, ka realizuar katër transaksione në vlerë prej 2,077,995 në llogarinë bankare të kompanisë ‘LDA Group’ Sh.p.k... veprime të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Punëtori i Thesarit, Gruda megjithatë ka deklaruar se është e pamundur që transaksionin ta ketë kryer nga ora 12:11 deri në ora 12:19, përkatësisht për 8 minuta.

"Nëse e marrim mënyrën reale të ekzekutimit të një transaksioni, duhet të kalojë nëpër duart e së paku pesë zyrtarëve, t’i marrë të gjitha nënshkrimet apo aprovimet e duhura, gjë që nuk mund të arrihet të kryhet një transaksion i tillë në afatin kohor prej 8 minutash", ka thënë ai.

Personat që pranuan mjetet "janë larguar nga Kosova"

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë shkruan po ashtu se Prokurori i Shtetit gjatë seancës dëgjimore ka thënë se "personave të cilëve iu janë bartur mjetet, veç sa e kanë lëshuar territorin e Kosovës dhe nuk janë të qasshëm për organet gjyqësore, ndërsa mjetet nga llogaria veç se janë tërhequr apo janë dërguar në llogari tjera".

Prokuroria tha se e bazon kërkesën për paraburgim ndaj Grudës pasi ekziston rreziku se i dyshuari do" t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo falsifikojë provat apo gjurmët e veprës penale si dhe të pengojë rrjedhën e suksesshme të procedurës penale me ndikim te dëshmitarët, te të dëmtuarit apo pjesëmarrësit".

Mbrojtësi i dyshuarit, Veton Rrecaj gjatë seancës dëgjimore, duke e kundërshtuar masën e paraburgimit, ka deklaruar se "mungon kushti esencial, dyshimi i arsyeshëm se i mbrojturi në mënyrë individuale-personale të ketë ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të veprës penale për të cilën dyshohet".

“Selia qendrore” e kompanisë ku u transferuan 2 milionë euro
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Sipas avokatit Rrecaj, Gruda në zyre në Thesar punonte me 13 persona të tjerë, duke shtuar se i mbetet organit të hetuesisë që në të ardhmen të vërtetojë dyshimin, përkatësisht veprimin që klienti i tij ka ndërmarrë, për të transferuar këto mjete në një kompani private.

Sipas avokatit, i dyshuari gjatë ndalimit në polici ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje për arsye ka qenë "tejet i shqetësuar dhe i tronditur nga këto dyshime tërësisht të pabazuara".

Labinot Gruda, punëtor i Thesarit, është arrestuar më 20 tetor, derisa dy persona të tjerë, pronarë të kompanisë private të cilës i është bërë transferi, gjenden në arrati.

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passwordet (fjalëkalimet)”, tha Bajrami.

Kush ka të drejtë të bëjë transfere parash në Thesar?

Thesari i Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, është përgjegjës për menaxhimin e fondeve të Republikës së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Financave, në Thesar transferi i parave bëhet përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës, i njohur me shkurtesën SIMFK.

Në këtë sistem, përveç punëtorëve të Thesarit, qasje në të kanë edhe punonjësit e organizatave të tjera buxhetore, që caktohen nga organizatat përkatëse. Personat që bëjnë transfere parash, paraprakisht trajnohen dhe certifikohen për këtë gjë.

Përdoruesi i sistemit SIMFK në momentin që pranon kërkesën e aprovuar nga Thesari për qasje në këtë sistem, e bën regjistrimin, i caktohet ID e përdoruesit, fjalëkalimi, klasa funksionale dhe grupi i sigurisë.

Numri identifikues dhe fjalëkalimi i jepet vetëm shfrytëzuesit. Klasat funksionale – e që janë 33 të tilla –përcaktojnë qasjen në funksione të caktuara për përdoruesit, sipas përgjegjësive që ka.

Nga këto klasa, qasje në të gjitha funksionet dhe modulet e sistemit mund të ketë vetëm udhëheqësi i Divizionit për Menaxhim dhe kontroll të brendshëm dhe analistë funksionalë, si dhe ndonjë zyrtar alternativ me autorizim të zëvendësdrejtorit të operimeve.

Në klasë tjetër, kanë të drejtë të kenë qasje zyrtarët e organizatave buxhetore, zyrtarë të regjistrimit të pasurive, zyrtarët zotues për kërkesa për blerje, e të tjera.

Por, të gjithë këta persona zyrtarë kanë kode dhe fjalëkalime të ndryshme për të realizuar transferet. Kurse në Divizionin e pagesave në Thesar, të drejtë kanë vetëm punëtorët e Thesarit.

Personat përgjegjës për realizimin e transfereve vazhdimisht monitorohen dhe kontrollohen nga zyrtarët e tjerë.

Çdo transfer, në fund të ditës verifikohet, kryesisht kur transferi ka të bëjë me një shumë të madhe parash. Monitorimin e këtyre transfereve të parave e bën një departament tjetër, i cili më pas e kompleton dosjen e pagesave të të gjitha organizatave buxhetore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG