Ndërlidhjet

Heshtje për kthimin e kosovarëve nga Siria  


Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria në qendrën për të huajt në fshatin Vranidoll. Foto nga arkivi.
Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria në qendrën për të huajt në fshatin Vranidoll. Foto nga arkivi.

Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar). Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor.

Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre.

Duke folur në takimin e Koalicionit Global kundër grupit militant, Shteti Islamik, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Kosova ka qenë e përkushtuar për riintegrimin e të të kthyerve nga Siria.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Gërvalla tha se procesi i riintegrimit të të kthyerve ka qenë i suksesshëm dhe se janë krijuar programe për deradikalizim.

“Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre. Për më tepër kemi krijuar programe për deradikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Në këtë takim të Koalicionit Global kundër IS-it që u mbajt Romë të Italisë, ministrja Gërvalla nuk foli për 96 kosovarët që vazhdojnë të jenë në Siri.

Që nga koha kur kosovarët filluan t’i bashkohen luftës në Siri dhe Irak në vitin 2013, Policia e Kosovës tha se ka arrestuar rreth 20 persona për vepra të penale të lidhura me terrorizimin.

Që nga fillimi i luftës në Siri në mars të vitit 2011, rreth 400 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut.

Pandemia pezulloi riatdhesimin

Në janar të këtij viti, asokohe kabineti i ish-ministrit të brendshëm, Agim Veliu, kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se procesi i riatdhesimit të qytetarëve të tjerë që kanë mbetur në Siri ka ngecur për shkak të pandemisë COVID-19.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur sërish Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë nëse është duke u punuar në kthimin e qytetarëve të Kosovës që kanë mbetur në Siri dhe Irak, por ky institucion deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, mban kontakte me shumë familje që kanë të afërmit e tyre në Siri.

Elezi thotë se muajve të fundit ka qenë gjendje më e rënduar nëpër kampet dhe burgjet ku mbahen familjarët e pjesëtarëve të IS-it në Siri dhe Irak.

Elezi thotë se forcat kurde që kontrollojnë kampet me mbi 60 mijë refugjatë kanë bërë thirrje vazhdimisht që shtetet e ndryshme t’i riatdhesojnë qytetarët e tyre.

“Autoritetet kurde kanë shumë interes që t’i kthejnë. Kanë bërë thirrje edhe publike vazhdimisht që shtetet të vijnë dhe t’i marrin gratë dhe fëmijët nga atje. Ata i ndihmojnë me infrastrukturë. Në vazhdimësi ata janë të gatshëm të ndihmojnë procesin e kthimit të qytetarëve të Kosovës”, thotë Elezi.

Në muajin korrik të vitit 2019, Radio Evropa e Lirë kishte intervistuar një grua e cila ishte kthyer në Kosovë përmes operacionit sekret të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve amerikane.

Gruaja, që kishte kërkuar të mbetej anonime, kishte rrëfyer për gjendjen e rëndë në kampe si dhe operacionin e kthimit në Kosovë ku nuk besonte se sërish do e gjente një jetë të mirë.

“Unë mendoj se do ta kemi të vështirë këtu jetën për shkak të problemeve që na bëjnë njerëzit përreth. Për shembull unë nuk jam e lirë të dal me veshjen time në rrugë, kupton? Ndërsa atje, shembull mund të dalësh si të duash në rrugë nuk të shikon askush”, kishte deklaruar ajo në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë.

Shumë nga gratë e riatdhesuara, gjatë proceseve gjyqësore kanë pranuar fajësinë dhe në fund gjykata i shpalli fajtore për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Riintegrimi i suksesshëm si garanci për kthimin e kosovarëve

Shumica e personave që u kthyen nga Siria kaluan për procese të gjata të riintergimit. Pjesa më e madhe u dënuan për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Shpat Balaj, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë procesi i riintegrimit të të kthyerve nga Siria ka treguar rezultate pozitive dhe dëshmon se mund të riatdhesohen edhe kosovarët e tjerë që vazhdojnë të jenë në Siri.

Trajtimi psikologjik i të kthyerve nga Siria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

“Mendoj se kapacitetet për t’i riintegruar janë, veçse tash duhet të qartësohet më shumë roli që kanë institucionet e ndryshme në këtë proces sepse ky proces është pak i vështirë, pasi që nuk mund ta aplikosh të njëjtën qasje për gjithsecilin të kthyer. Do të thotë, ata kanë probleme dhe sfida të ndryshme prej njëri-tjetrit”, thotë Balaj.

Balaj thotë se kthimi i qytetarëve nga Siria është obligim i institucioneve të Kosovës, porse paraprakisht duhet që sërish të bëhet një vlerësim të gjithsecilit.

“Institucionet e Kosovës duhet ta bëjnë një vlerësim individual të nevojave dhe sfidave që kanë të kthyerit, por edhe një vlerësim të rrezikut që mund të bartin ata”, thotë Balaj.

Sipas Balajt, në bazë të këtyre informacioneve duhet të dizajnohen programet për riintegrim dhe rehabilitim të të kthyerve nga Siria.

Kosova mbetet e rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, që u publikua në tetor të vitit 2020, thuhet se Kosova ka shënuar progres në përpjekjen e saj për të riintegruar luftëtarët e huaj dhe familjarët e tyre të kthyer nga Siria, mirëpo sërish mbetet e rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm.

“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, sfidat në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit mbeten. Grupet terroriste vazhdojnë të gjejnë mbështetje ideologjike brenda Kosovës dhe radikalët e brendshëm vazhdojnë të paraqesin rrezik, përfshirë edhe postimin e përmbajtjes terroriste në mediat sociale dhe gjetkë në internet’”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, rreth 400 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë, në mesin e tyre, burra, gra dhe fëmijë.

Nga ky numër, përgjatë viteve 242 persona u kthyen në Kosovë. Nga të kthyerit 124 janë burra, 38 gra dhe 80 fëmijë. Ndërsa rreth 100 kanë vdekur atje.

Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para në botë që riatdhesoi numër aq të madh të qytetarëve që ishin të përfshirë në luftën e Sirisë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG