Ndërlidhjet

Kosovarët e mbetur në Siri nuk do të kthehen pa verifikim


Siri, fotografi nga arkivi.
Siri, fotografi nga arkivi.

Në muajin prill të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kthyen nga Siria 110 kosovarë, nga të cilët, katër ishin luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Por, në shtetin e Sirisë kanë mbetur edhe rreth 100 kosovarë të tjerë, prej të cilëve rreth 40 besohet se janë fëmijë.

Në Qeverinë e re të Kosovës nuk konfirmojnë nëse janë duke planifikuar një operacion të ri të riatdhesimit të kosovarëve të mbetur në territorin sirian.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet nuk do të nguten në veprime sa i takon kthimit të kosovarëve. Ai thotë se para se të ndodhë çfarëdo operacioni i mundshëm i kthimit, fillimisht do të bëhet një vlerësim i gjithsecilit person që potencialisht mund riatdhesohet në Kosovë.

“Ne mendojmë se Kosova ka rezultate dhe strategji për këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht bashkë me aleatët tanë. Jemi në dijeni se ka ende shtetas të Kosovës atje dhe normalisht që duhet bërë edhe klasifikimi i statusit të tyre dhe në bazë të këtij klasifikimi, atëherë edhe shteti i Kosovës do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, gjithmonë në dakordim të plotë dhe bashkërendim të veprimeve me aleatët tanë”, tha zëvendësministri Sveçla.

Sveçla thotë se aktualisht nuk mund të flitet për ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë kthimi i kosovarëve që gjenden në Siri.

Nga ana tjetër, që nga prilli i vitit të kaluar, institucionet e Kosovës janë aktivizuar në procesin e riintegrimit të 110 kosovarëve të cilët u kthyen nga Siria përmes një operacioni, që ishte më i gjeri në Evropë.

Shumica e fëmijëve të riatdhesuar në muajin prill të vitit 2019, i janë rikthyer procesit mësimor. Ata janë pjesë e programeve të ndryshme rehabilituese derisa ekspertët që po punojnë me ta, thonë se shumica prej tyre janë integruar tërësisht.

Valbona Tafilaj, psikiatre dhe njëkohësisht Koordinatore për Shëndet dhe Shëndet Mendor për të rikthyerit nga Siria, thotë se fëmijët kanë qenë të prekur nga trauma të ndryshme për shkak të ngjarjeve nëpër të cilat kanë kaluar ata gjatë kohës së qëndrimit në Siri.

“Gati po bëhet një vit që neve na u kanë kthyer fëmijët dhe gratë. Ne e kemi parë një ndryshim shumë të madh duke iu falënderuar punës së mjekëve psikiatër dhe psikologëve të fëmijëve të cilët kanë punuar gjatë gjithë kohës me ta. Ne e kemi parë një ndryshim shumë të madh te fëmijët të cilët tash janë të socializuar, luajnë me lodrat e njëjta siç luajnë fëmijët e tjerë, shkojnë në shkollë, ka avancime në të mësuar, në mësimnxënie janë shumë të mirë. Këto janë gjëra që ne i kemi parë dhe që ne i vlerësojmë shumë në raport me krejt ato që iu kanë ofruar fëmijëve”, thotë Tafilaj për Radion Evropa e Lirë.

Video nga arkivi: Trajtimi psikologjik i të kthyerve nga Siria

Trajtimi psikologjik i të kthyerve nga Siria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Tafilaj thotë se integrimi i fëmijëve është një proces më i gjatë që kërkon më shumë kohë, porse sipas saj, puna me integrimin e fëmijëve të kthyer nga zona e konfliktit është në rrugë të mirë, ngase fëmijët nuk janë duke treguar shenja agresive. Sipas saj, integrimin e fëmijëve e ka ndihmuar edhe bashkëpunimi i nënave të fëmijëve dhe familjeve të tyre që nuk kanë refuzuar të bashkëpunojnë me institucionet.

Për integrimin e fëmijëve të kthyer nga Siria në vendet e Ballkanit, së fundi ka publikuar një raport edhe eksperti ndërkombëtar i terrorizimit, Adrian Shtuni.

Në këtë raport thuhet se veçanërisht shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë një numër të lartë të të kthyerve si dhe të atyre që do të mund të riatdhesohen dhe se qeveritë e këtyre vendeve kanë në dispozicion shumë pak burime njerëzore, kapacitete dhe ekspertizë për t'u marrë në mënyrë efektive me të kthyerit krahasuar me shumicën e shteteve të tjera evropiane.

Shtuni thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të krijojnë strategji të qarta sa i takon integrimit të fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Sipas tij, për fëmijët arsimi dhe aftësimi profesional janë disa nga aspektet më të rëndësishme që mund të ndihmojnë në ofrimin e një rruge drejt një të ardhme të re për ta.

Shumica e kosovarëve që u riatdhesuan në muajin prill të 2019-s, përfshirë gratë dhe luftëtarët e huaj, po përballem me procese gjyqësore. Disave tashmë, gjykatat u kanë shqiptuar edhe dënime për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Përveç Kosovës, një nga shtet e rajonit që riatdhesoi numër të lartë të qytetarëve nga Siria është edhe Bosnje e Hercegovina.

Më 19 dhjetor të vitit të kaluar, institucionet e këtij vendi riatdhesuan 6 gra, 12 fëmijë dhe 7 burra, të cilët deri në atë kohë kishin qenë në kampe dhe burgje të ndryshme të Sirisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG