Ndërlidhjet

Hepatiti, sëmundje vdekjeprurëse nëse nuk zbulohet me kohë


Ilustrim
Ilustrim

Hepatiti viral është një infeksion që shkakton sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë.

Në Kosovë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, profesionistë shëndetësorë thonë se nga kjo sëmundje prekë rreth 50 persona brenda një viti.

Sali Ahmeti, infektolog, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova njihet si regjion endemik për tri lloje të hepatit viral. Këto tri lloje ndahen në hepatitin A, B dhe C.

Ndonëse në periudhën e pasluftës, ka pasur shpërthime epidemike me rreth 20 mijë raste të regjistruara në vit me hepatit A, kohëve të fundit, thuhet se ka më shumë raste sporadike.

Doktori Ahmeti thotë se hepatiti A është forma më e lehtë e këtij virusi dhe mund të trajtohet pa lënë gjurmë. Ndërkaq, forma të komplikuara janë hepatitet B dhe C.

Hepatitet B dhe C janë të pranishme në mesin tonë, dhe japin forma kronike. Mund të kalojë në cirozë të mëlçisë dhe më pas edhe karcinom. Nuk kemi ndonjë studim për incidencën e virusit për gjithë popullatën, por bazuar në rutinën tonë të përditshme, ky virus është mjaft i pranishëm”, thotë Ahmeti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara (OBSH), thotë se miliona jetë njerëzish mund të shpëtohen, nëse personat e infektuar me hepatit viral do të kishin bërë analiza dhe do të ishin mjekuar nga kjo sëmundje, e cila mund të jetë vdekjeprurëse.

Të dhënat e reja të organizatës, të publikuara në raportin e vitit 2017, "Hepatiti", tregojnë se rreth 325 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me infeksionet kronike të hepatitit B, ose C.

Infektologu Ahmeti shton se në Kosovë, njerëzit e prekur me hepatitin B dhe C paraqiten tek mjeku në stade të vonshme, siç thotë ai, kur sëmundja ka avancuar.

Zakonisht format akute, në shumicën e rasteve kalojnë pa manifestime të veçanta klinike. I sëmuri me vite të tëra nuk diagnostikohet, për shkak se nuk ka simptoma”.

Andaj, pacientët vijnë të kërkojnë ndihmë në faza shumë të shprehura dhe të vonshme, atëherë kur bëhet cirroza në mëlçi, apo karcinoma, dhe mundësit mjekësore janë shumë më të vështira”, tha Ahmeti.

Sami Uka nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, bën të ditur se kjo organizatë ka dhënë një sërë rekomandimesh për parandalim dhe trajtim të virusit të hepatitit, por që si sëmundje vazhdon të mbetet e lartë, sa i përket vdekshmërisë së njerëzve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar një varg rekomandimesh për parandalimin dhe trajtimin e hepatitit C. Të rëndësishme në parandalimin e virusit janë: Higjiena e duarve, përdorimi i dorëzave, injektimi i sigurt, hedhja e mbeturinave në vende të sigurta, sigurimi i gjakut të pastër, trajnimin e kujdesit shëndetësor, përdorimin e kondomëve, si dhe injektimi të drogave me gjilpëra sterile. Ndryshe, vaksinë nuk ka për këtë virus”, thotë Uka.

Sidoqoftë, sipas zotit Uka llogaritet se në botë 71 milionë njerëz kanë hepatit C kronik, derisa një numër i konsiderueshëm i tyre janë të infektuar në mënyrë kronike dhe kanë gjasa të preken nga kanceri në mëlçi..

Përafërsisht, siç thotë zoti Uka, 399 mijë njerëz në vit vdesin nga hepatiti C, kryesisht nga karcinoma e mëlçisë, për shkak se qasja në diagnostikim është e ulët.

Ndryshe, në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës tashmë kanë deklaruar se testimi i hepatitit bëhet falas për qytetarët, me qëllim të parandalimit dhe trajtimit të këtij virusi.

Kjo ministri gjithashtu ka hartuar strategjinë virale 2016- 2021, e miratuar në konferencën e 69-të organizuar nga OBSH-ja. Gjithashtu edhe terapia për të prekurit me këtë virus në Kosovë është falas.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG