Ndërlidhjet

Hepatiti- virus vdekjeprurës?


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë ndonëse nuk ka statistika të sakta, profesionistë shëndetësorë thonë se janë rreth 50 njerëz që në vit preken me hepatitin A, B dhe C. Ndërkaq, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë,në botë mbi 400 milionë njerëz jetojnë me Hepatit, derisa çdo vit në botë janë 6 deri në 10 milion njerëz që infektohen me hepatit.

Hepatiti viral është sëmundje infektive e mëlçisë , duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë.

Në Kosovë, sipas infektologëve, hepatiti B dhe ai C janë më problematikë, derisa hepatit A tashmë është i menaxhueshëm dhe ka raste sporadike e jo shpërthim epidemik.

Hepatit A e ka një lehtësim në trajtim, pasi nuk jep forma kronike. Shërohet plotësisht dhe përjetësisht.

Problematik është rasti i hepatiteve B dhe C, e që janë shumë agresivë , dhe në numër ta caktuar të rasteve organizmi nuk i eliminon dhe mbeten si virus brenda trupit.

Sali Ahmeti, infektolog, ka bërë të ditur se trajtimi i kësaj sëmundje në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bëhet në mënyrë protokollare, ashtu si edhe në gjithë botën.

“Prej vitit 2009 kemi filluar protokollet bashkëkohore të trajtimit, që konsistojnë me dhënien e barnave të hepatitit B dhe bashkë me te edhe për hepatitin C. Protokolli rimbursohet nga Ministria e Shëndetësisë, e që quhet tenofovir. Çdo vit rimbursohen nga 52 raste të reja. Realisht kjo është edhe një statistikë që njerëzit preken me hepatit B dhe C”, shpjegon Ahmeti.

Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se testimi është parakusht i domosdoshëm i trajtimit, i cili është mjaft i suksesshëm. Mbi 90% të njerëzve me hepatit C, siç thotë ai,mund të shërohen plotësisht nga virusi brenda 3-6 muajve. Nga ana tjetër, trajtimi i hepatitit B dhe C mund të parandalojë zhvillimin e komplikimeve të rrezikshme, si sëmundjen kronike të mëlçisë, cirozën dhe kancerin e mëlçisë.

“Në botë vetëm 5% nga të gjithë të infektuarit me hepatit kronik janë në dijeni të infeksionit të tyre dhe më pak se 1% të tyre kanë qasje në trajtimin e duhur. Krejt këta përbëjnë një armatë të sëmurësh që në çdo moment janë në kontakt me individët e shëndoshë,dhe qoftë përmes procedurave mjekësore, përmes procesit të lindjes apo marrëdhënieve seksuale,mund ta bartin infeksionin e tyre tek të tjerët”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë , Izet Sadiku, ka thënë se institucioni në fjalëtashmë të gjitha veprimet e ndërmarra po i konkretizon me punë, duke cekur edhe atë se tashmë edhe testimi i hepatitit bëhet falas për qytetarët.

“Me qëllim të parandalimit dhe trajtimit të këtij virusi, Ministria i ka kushtuar një rëndësi të madhe kësaj sëmundjeje. Ne kemi arritur edhe trajtimin e mirë me hepatit B dhe C, si në Klinikën Infektive,po ashtu në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku edhe tashmë ka filluar testimin vullnetar.”

“Ministria është e gatshme që të gjitha veprimet e bëra deri tani t’i konkretizojë me punë, e që është strategjia virale 2016- 2021, e miratuar në konferencën e 69-të organizuar nga OBSH në maj të këtij viti. Kosova, përkundër angazhimeve, sëmundjeve ngjitëse i ka kushtuar rëndësi të madhe dhe është arritur të sigurohet diagnostikimi i mirë i kësaj sëmundjeje dhe trajtimi me terapi, falë edhe donatorëve të ndryshëm”, ka thënë Sadiku.

Shkaktarët e hepatitit B dhe C janë kryesisht rrugët e gjakut dhe produktet e tij.Çdo intervenim shëndetësor që bëhet në kushte jo adekuatemund të infektojë individin me këtë virus.

Në botë, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 95 për qind e individëve me hepatit nuk e dinë se janë të infektuar. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG