Ndërlidhjet

Hepatiti, sëmundje sfiduese, por e menaxhueshme


QKUK
QKUK

Hepatiti viral, është sëmundje infektive e mëlçisë , e cila prek qindra miliona njerëz në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë.

Në Kosovë, sipas infektologëve, hepatiti B dhe ai C janë më problematike, derisa hepatit A tashmë është i menaxhueshëm dhe ka raste sporadike e jo shpërthim epidemik.

Sali Ahmeti, infektolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shpjegon për Radion Evropa e Lirë tiparet e kësaj sëmundjeje.

"Hepatiti në Kosovë është një sëmundje mjaft aktuale dhe e shpeshtë, dhe dominojnë kryesisht tri tipe të hepatitit ai A, B dhe C. Hepatiti A është formë kohëve të fundit më e rrallë, por herë pas here ka raste sporadike me shpërthime epidemike që kanë karakter familjar, ku në vitin 2000, ka pasur shpërthim epidemik me mbi 20 mijë raste epidemike".

"Tash problematikë e veçantë është çështja e hepatitit B dhe C, sëmundje që janë mjaft të shpeshta në mesin tonë, dhe kemi mjaft shpesh forma kronike me komplikime të veçanta me përfundime jo të mira".

Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se kjo ministri përkrah Klinikën Infektive me barna, derisa shton se në mungesë të sistemit të informimit shëndetësorë, nuk ka statistika të sakta se sa njerëz janë të prekur me hepatit në Kosovë.

"Ministria e Shëndetësisë që disa vite me radhë e përkrah trajtimin e hepatit kronik, atë B dhe C dhe furnizohet me terapi adekuate. Diku rreth 50 pacientë trajtohen gjatë vitit, por se sa është numri I pacientëve me hepatit nuk e dimë, meqë mungon sistemi i informimit shëndetësorë", tha Sadiku.

Ndërkaq, zoti Ahmeti flet edhe për kushtet e trajtimit nga hepatiti në Klinikën Infektive në QKUK.

"Kemi kushte të mira dhe janë protokolle evropiane të trajtimit. Duke filluar nga kushtet fizike e që Klinika Infektive i plotëson të gjitha kushtet për izolimin e këtyre rasteve dhe ka staf të trajnuar mirë. Gjithashtu posedojmë ilaçe të cilat janë të parapara me protokolle evropiane. Në klinike ka edhe barna anti-virale që eliminojnë plotësisht virusin", është shprehur zoti Ahmeti.

Sidoqoftë, zyrtarë shëndetësorë në Klinikën Infektive thonë se sëmundja e hepatititparaqet një problematikë jo vetëm në Kosovë, si vend në zhvillim, por edhe në vendet evropiane ku shëndetësia është shumë më e avancuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG