Ndërlidhjet

Thaçi fton qytetarët e Maqedonisë ta mbështesin referendumin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës zyrtare në Shkup u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë dhe sidomos shqiptarëve të atjeshëm, që pa hezitim të dalin dhe të votojnë në referendumin për emrin që organizohet më 30 shtator.

Sipas tij, votimi pro-marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë për emrin do të vuloste të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.

Këto thirrje Thaçi i ka bërë gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, të mbajtur në Shkup.

“Ftoj me autoritetin tim modest në emër të Kosovës, si një vend fqinj me Maqedoninë, që të gjithë njerëzit, qytetarët e Maqedonisë pa dallim, që të marrin pjesë në referendum dhe natyrisht të votojnë pro”, u shpreh Thaçi.

“Maqedonia në NATO është më tepër paqe për gjithë rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu që ky është një moment historik që duhet të shfrytëzohet”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai është ndalur edhe këtë herë tek dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se arritja e marrëveshjes do të jetë e vështirë, por siç theksoi ai, të dy shtetet nuk duhet të mbeten peng i mosmarrëveshjeve.

“Dialogu është rruga e vetme që të arrihet një marrëveshje historike përfundimtare e paqes, që nënkupton njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi. Sipas tij, marrëveshja do ta ndihmonte Kosovën të ecën më shpejtë drejt perspektivës euroatlantike, kurse Serbinë drejt të ardhmes evropiane.

“Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur, ka vështirësi plotë pengesa, por unë jam optimist se më mirë të kryejmë tash këtë marrëveshje sesa pas një dekade ose dy dekadash”, u shpreh presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka përshëndetur dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit duke theksuar se “është shumë e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejtë integrimit euro-atlantik”.

“Përparimin në këtë drejtim e vlerësojmë si vendimtar për një stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal. Maqedonia mbështetë zgjidhjen pozitive për Kosovën, një zgjidhje që do të përmirësojë gjendjen dhe mirëqenien edhe të shqiptarëve edhe të serbëve, por edhe qytetarëve të tjerë në Kosovë”, theksoi Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë gjithashtu është fokusuar në bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, veçanërisht në investimet në infrastrukturë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG