Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës në lidhje me akuzat publike ndaj ministrit Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Përmes këtij mocioni, LDK pretendonte që t’i kërkonte kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj shkarkimin e Rikalos, i cili vjen nga Lista Serbe, si pjesë përbërëse e koalicionit aktual qeverisës.
Ministri Rikalo, sipas deklaratave të disa qytetarëve të lagjes Dardania të Prishtinës, të publikuara në mediat lokale, akuzohet për sjelljet e tij abuzuese ndaj fqinjëve gjatë periudhës së vitit 1999. Ai, sipas këtyre banorëve, ishte përfshirë në disa raste të keqtrajtimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar para deputetëve në Kuvend se ka kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër, por sipas tij, nuk ka asnjë informatë se i njëjti ka qenë i përfshirë në raste të tilla.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e ministrit Rikalo.
Ai tha se seanca është thirrur si mundësi që Haradinaj të japë sqarime rreth këtyre akuzave publike. Dyshimet e qytetarëve, nënvizoi ai, duhet të trajtohen drejt. Andaj, LDK, theksoi Hoti, kërkon shkarkimin e Rikalos dhe vazhdimin e hetimeve ligjore ndaj tij.
“Me kërkesën për ta thirrur ministrin në interpelancë jemi nisur nga parimi se institucionet duhet të udhëhiqet nga njerëz me duar të pastra, që nuk kanë rënë ndesh me ligjin. Qytetarët kanë shfaqur haptas dyshimin se ky ministër gjatë viteve të okupimit ka fyer dhe kërcënuar dhe ka përdorur dhunë ndaj shqiptarëve”, tha Hoti.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nga momenti kur i ka dëgjuar akuzat e qytetarëve ai ka kërkuar sqarime nga institucionet kompetente.
"Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë e Ministrisë se Punëve të Brendshme është përgjigjur; nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kam marrë ketë përgjigje; në lidhje me kërkesën e parashtruar, ju informojmë se në databazën e PSRK nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione që po qarkullojnë për personin Nenad Rikalo. Edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorin e Shtetit për veprën e dyshuar krime lufte të raportuar në media për personin Nenad Rikalo", tha Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nuk ka asnjë dëshmi që Nenad Rikalo ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Nga ana tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, thënë se dëshmitarët kanë treguar se ministri i tanishëm i Bujqësisë, Nenad Rikalo në kohën e bombardimeve në Prishtinë, ka qenë i veshur me uniformë dhe se ka maltretuar shqiptarët.
Deputeti Albin Kurti tha se për ketë rast duhet domosdoshmërish të zhvillohen hulumtime dhe të bëhen hetime.
"Në këtë rast nuk e keni një dëshmitar nuk i keni as dy dëshmitarë, po i keni 20 sosh. E vërteta nuk është zyrtare shtetërore, e vërteta është njerëzore qytetare popullore. Janë këta 20 dyshimtarë, jo tri institucione që i përmendi kryeministri. Përderisa këta dëshmitarë kanë dalë publikisht, jo me fytyra të mbuluar po me emër e mbiemër, integritetin e tyre dinjitetin e tyre e kanë vënë në pikëpyetje publikisht edhe dëshmitarët. Ky duhet të shkarkohet. Nuk janë dëshmitarët që janë frikësuar janë dëshmitar që kanë konsideruar se është diçka jetike", tha Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se akuzat që ndërlidhen me kohën e luftës duhet të shqyrtohen më hollësisht. Ai tha se çfarëdo hetimi duhet të bëhet jashtë politikës nga organet e drejtësisë dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
"Rikalo ka qenë i involvuar në jetën publike në Kosovë, tani edhe si ministër, ky nuk është shfaq sot në publik por gjatë tërë këtyre viteve. Çudi se asnjë akuzë ndaj tij nuk është bërë deri sot”,tha Krasniqi.
Kurse, Shefi i Grupit Parlamentar nga Nisma për Kosovës, Bilall Sherifi tha se tash është çështje e sistemit të drejtësisë që të merret me provat e dëshmitë e mundshme.
Ai tha po ashtu se nuk është vonë se për hetimet të mëtejme. Ai, gjithashtu, tha se nuk mund të shpallet Rikalo fajtor, derisa nuk përfundojnë hetimet dhe proceset gjyqësor.
"Unë ngris zërin fort kundër gjithë atyre që thonë ku ishin deri tash...mos u tallni. Askush nuk ka të drejt t'i thotë askujt t’i tregojë se deri kur ka pasur afat të denoncojë cilin do keqpërdorim apo cilindo krim që ka mund ta bëjë ai, por kjo nuk e bënë Rikalon fajtor. Sigurisht që nuk e bënë deri sa nuk ka përfunduar gjithë procesi ndaj tij nga Prokuroria", tha Sherifi.
Më herët edhe vet ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, anëtar i Listës Serbe i ka cilësuar fushata të rrejshme raportimet për të dhe konstatimet se ai ka keqtrajtuar fqinjët shqiptarë në lagjen Dardania të Prishtinës, gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Përmes një deklarate me shkrim, ai ka theksuar se të gjitha këto, janë informata të pasakta.