Ndërlidhjet

Ministri Rikalo: Nuk kam keqtrajtuar askënd


Nenad Rikalo
Nenad Rikalo

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, anëtar i Listës Serbe i ka cilësuar fushata të rrejshme raportimet për të dhe konstatimet se ai ka keqtrajtuar fqinjët shqiptarë në lagjen Dardania të Prishtinës, gjatë kohës së luftës, në vitin 1999.

Përmes një deklarate me shkrim, ai ka theksuar se të gjitha këto, janë informata të pasakta.

“Njoftoj publikun se informacionet e ditëve të fundit që janë publikuar për mua janë të pasakta dhe qëllimkëqija dhe kanë pasur për qëllim diskreditimin tim dhe të Listës Serbe”, thuhet në deklaratën e tij.

“Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt”, ka shkruar Rikalo.

“Kurse nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Përderisa nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina”, ka shkruar ai.

“Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë”, ka thënë ndër tjera Rikalo.

“Në periudhën prej vitit 2013 kam qenë pjesë e shumë projekteve dhe iniciativave të shoqërisë civile në Kosovë, kurse prej vitit 2013 deri në vitin 2017 kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë. Jam fytyrë publike, kam dhënë me qindra deklarata dhe intervista, gjatë kohës sa kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor vazhdimisht kam qenë prezent në media përmes transmetimeve të drejtpërdrejta televizive dhe përmes kronikave të ndryshme”, ka sqaruar ministri Rikalo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG