Të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë kanë hyrë në grevë. Punonjësit e arsimit, në të gjitha nivelet, nga ai parashkollor deri te ai universitar po kërkojnë rritje të pagave.
Kjo rritje, sipas tyre, mund të realizohet përmes koeficientit të pagave, që pritet të rregullohet me Ligjin për pagat i cili aktualisht, në formën e projektligjit, është në procedurë të miratimit.
Si pasojë e grevës, procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.
Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, kërkon që të ngritën koeficientet e parapara në Projektligjin e pagave për punonjësit e arsimit dhe kulturës, duke kërkuar koeficient të barabartë me sektorët tjerë që janë nën-punës të shërbyesve publik ose ngritje të koeficientit për punonjësit e arsimit së paku 30 për qind.
Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBASHK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga të arrijë në rreth 650 euro.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se pa realizimin e këtyre kërkesave, greva nuk do të ndërpritet. Sipas tij, projektligji për pagat është diskriminues për të punësuarit në arsim, ku nga 11 koeficientet e mundshëm arsimi është vendosur në koeficientin e parafundit.
Ky rangim, thotë Jasharaj ka degraduar mësimdhënësit.
“Ndërprerja e grevës nuk varet nga SBASHK-u. Sindikata ka pritur mjaft, greva do të zgjasë deri në momentin kur institucionet e Kosovës t’i përfundojnë detyrat e tyre dhe t’i realizojnë kërkesat e mësimdhënësve, për të cilat vet kanë thënë se janë legjitime dhe të drejta”, tha Jasharaj.
Ndryshe, Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njërën nga seancat e para të Kuvendit.
Në përpjekje të ndërprerjes se grevës, të hënën zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj dhe ministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Kulturës, Shyqiri Bytyqi kanë mbajtur një takim me përfaqësues të SBASHK-ut.
Këshilltari politik i ministrit Bytyqi, Valmir Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e qeverisë kanë premtuar se do mundohen të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, por që nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Ne si ministri jemi kundër grevës pasi për momentin nuk është zgjidhje dhe dëmton procesin e mësimor, konkretisht nxënësit. Edhe në të kaluarën ka pasur greva dhe zëvendësimi i orëve të humbura ka qenë jo i duhur”, tha Gashi.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që greva të ndërpritet. Ymret Reshitaj, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se përkrahin kërkesat e mësimdhënëseve, por që zgjidhja mund të kërkohet për mes dialogut dhe jo grevave.
“Ne kërkojmë nga sindikata që ta përdorë dialogun social sepse ajo është e drejtë dhe vlerë civilizuese. Dhe mendojmë se duhet kohë dhe durim që të bëhet zgjidhja për kërkesën e rritjes se koeficientit të pagave. Në këtë rast përmes ndërprerjes së procesit mësimor, humbësit më të mëdhenj janë nxënësit”, tha Reshitaj.
Ndryshe, në Kosovë, të hënën zyrtarisht është dashur nis gjysmë vjetori i dytë në institucionet para universitare pas pushimit dimëror për dy javë.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve.
Ndërkaq numri mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.