Greva një ditore në arsim, e cila është realizuar në Kosovë me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, e ka rikthyer sërish çështjen e punonjësve të arsimit gjatë viteve 1990 – 1999.
Përfaqësuesit e punëtorëve të arsimit në Kosovë, që nga viti 2013, janë duke kërkuar që kontributi i mësimdhënësve të cilët u angazhuan në procesin arsimor gjatë viteve 1990 – 1999, të shpaguhet.
Mësimdhënësit e asaj, kohe që konsiderohet të jenë 22 mijë, sipas projekt-ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit në gjuhën shqipe të Republikës së Kosovës, që nga viti shkollor 1990 -1999 iu siguron të gjithëve pension dhe disa benefite të tjera.
Kurse ata mësimdhënës që punuan mbi 5 deri në 10 vite, sipas projektligjit, është paraparë të kompensohen në shumën prej 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor, ndërsa ata që punuan pesë vite e më pak, kompensohen në shumën prej 65 për qind të pagës bazë në arsimin fillor në Kosovë.
Mospërfillja e këtyre kërkesave, dhe siç thuhet, zvarritja që i është bërë këtij projektligji ka bërë që të mërkurën të gjitha institucionet arsimore, si shkollat fillore, të mesme dhe universitetet të futen në grevë një ditore.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet arsimore i janë përgjigjur grevës të iniciuar nga kjo sindikatë.
“Informacionet tona falsin se të gjitha institucionet arsimore e kanë respektuar apelin për grevë. Kabineti qeveritar, Ministria e Financave dhe autoritetet tjera kompetente nëse nuk veprojnë si duhet në realizimin e kërkesave të SBASHK-ut atëherë do të vijë 13 prilli, kur i tërë sistemi arsimor do të shkojë në grevë, por jo me greva një ditore, por një grevë me kohë të pacaktuar dhe deri në realizimin e kërkesave tona", tha Jasharaj.
"Kërkojmë nga Ministria e Financave që të mos i vendosen barriera këtij projekt ligji dhe të realizohen kërkesat tona”, theksoi ai.
Ndërkohë, Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës, që nga viti shkollor 1990 -1999 nuk është i finalizuar dhe si i tillë duhet të procedohet për kompletim në përputhje me dispozitat ligjore para se të aprovohet në Qeveri.
“Ministria e Financave mbështet kërkesat dhe Projektligjin, por projektligjin për të proceduar tutje duhet të respektohen procedurat ligjore të adresimit. Asnjë ministri apo cili do institucion tjetër nuk mund të procedoj në Qeveri apo në Kuvend asnjë iniciative të re apo të propozoj projektligj për aprovim nëse nuk e ka të zgjidhur paraprakisht çështjen e implikimeve financiare për vitin fiskal përkatësisht nuk është paraparë në kuadër të tabelave të Ligjit të Buxhetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave .
Ministria e Financave bënë të ditur se nuk mund të miratoj një projektligj i cili nuk i respekton procedurat e Ligjit të Buxhetit, Ligjit për menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë dhe dokumentet tjera në fuqi.
Greva një ditore e mësimdhënëse ka nxitur reagime nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe Këshilli i Prindërve.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, përmes një komunikate ka reaguar duke thënë se këto greva po e rrezikon procesin mësimor.
KMDLNj thotë ‘se përkrahë përpjekjet e SBASHK-u për të siguruar të drejtat për punëtorët arsimorë të viteve të 90 –ta sikur që është njohja e stazhit të punës për të kaluar pastaj edhe në kompensim material, si kërkesë tjetër, por jo duke përdoruar fëmijët për të realizuar qëllimet e tyre’.
Ndërkaq, Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga SBASHK-u që të jenë tepër të matur dhe të kujdesshëm dhe siç thuhet të ‘mos të ndërmarrin veprime që e cenojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor’.
Reagime për grevën një ditore të mësimdhënësve ka shprehur edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova, gjatë një tryeze ku është prezantuar zbatimit i planit strategjik për arsimin në Kosovë.
“Sot u njoftova për grevën e SBASHK-ut që kanë disa kërkesa të rëndësishme njëra prej tyre është rritja e pagave, po ashtu kuptova që edhe prokuroria do të hyjë në grevë kështu që jam e shqetësuar nga këto qëndrime të shërbyeseve civil, sepse nëse dëshirojmë të kemi një zhvillim të qëndrueshëm të reformave në Kosovë duhet të fillojë ndryshimi në administratën publike”, theksoi Apostolova.