Krasniqi kërkon që të mos keqpërdoren materialet e marra nga shtëpia e tij
Jakup Krasniqi para trupit gjykues tha se përmbajtja e aktakuzës së ngritur ndaj tij, e ka “lënduar më shumë” sesa dënimet "dhe torturat” që ka kaluar në burgjet serbe.
“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha ai.
Në fund të deklarimit të tij, Krasniqi kishte tri lutje për trupin gjykues: të mos keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës ; që shënimet e tij, që tha se kanë pasur për qëllim përshkrimet për librat e tij shkencorë dhe publicistikë, të mos përdoren si dëshmi për veprat penale dhe që materialet të mos keqpërdoren nga ZPS-ja.
Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë
Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes "nuk ka prova" që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.
Vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as "para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës".
Ai tha se është "absurde" akuza se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kanë "persekutuar" anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Krasniqi tha se vetë ka qenë pjesë e LDK-së.
Prokuroria ka pretenduar se të akuzuarit kanë udhëhequr një "ndërmarrje të përbashkët kriminale" që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe mbështetësit e LDK-së.
Pjesë nga deklarimi i Krasniqit para Speciales
Jakup Krasniqi mbajti një fjalim para trupit gjykues, duke thënë se është "absurde" që ai të akuzohet për persekutimin e pjesëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se ai vetë ka qenë pjesë e këtij subjekti politik.
Mbrojtja thotë se nuk ka prova kundër Krasniqit
Gjatë deklaratave hyrëse, ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit argumentoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin Krasniqin me ndonjë prej krimeve të pretenduara në aktakuzë.