Më 29 nëntor, në Dubai, çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL, do të jetë pjesë e agjendës së Asamblenë së Përgjithshme të kësaj organizate më të madhe ndërkombëtare policore. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të aspekteve të sigurisë, vlerësojnë se me anëtarësimin eventual në INTERPOL, para Kosovës do të jenë obligimet ndaj kësaj organizate, por edhe përfitimet nga ajo.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e gatshme t’i marrë obligimet që dalin nga anëtarësimi eventual në INTERPOL dhe njëkohësisht është e gatshme në përgjithësi që të jetë pjesë e kësaj organizate policore.
“Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it, për t’i kontribuar forcimit të sigurisë, forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, forcimit të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomeneve tjera negative”, thotë Zyberaj.
Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh besimin që Kosova tashmë është e përgatitur që të jetë pjesë e barabartë e INTERPOL-it. Sipas tij, ajo tashmë ka dëshmuar me zhvillimin e policisë së saj, me përgjegjësitë policore që ka marrë në vazhdimësi, në drejtim të sigurisë së brendshme të vendit, por edhe në drejtim të bashkëpunimit me policitë e rajonit dhe ato ndërkombëtare.
“Kosova dhe policia e saj kanë dëshmuar që janë për një bashkëpunim korrekt, të drejtpërdrejtë, si dhe t’u përgjigjet përherë kërkesave në drejtim të ndjekjes së krimit trans-nacional, por edhe në drejtim të ekstradimeve të tjera kur ka qenë fjala për kriminelë të ndryshëm që kanë vepruar në fusha të ndryshme. Besoj që Policia e Kosovës është ndër më të mirat në rajon. Nuk është se e them unë sipas vlerësimit tim personal, por e thonë edhe vlerësuesit e policive të Evropës Juglindore dhe Kosova e meriton të jetë pjesë e INTERPOL-it”, theksoi deputeti Xhelili.
Përparësitë dhe përfitimet
Por, cilat do të jenë përparësitë dhe përfitimet e Kosovës në rast se arrijnë të bëhet anëtare e barabartë e INTERPOL-it?
Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se anëtarësimi në INTERPOL do të ndikojë në aspektin pozitiv në shumë fusha, duke përfshirë në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve. Kjo, sipas tyre, do të ndihmonte dhe kontribuonte direkt në bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve që ndërlidhen me luftën ndaj krimit të brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar.
“Po ashtu, efekte pozitive do të ketë lidhja e data bazave të INTERPOL-it me kufijtë e Kosovës, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe institucioneve relevante, e që do të ndihmonte në bashkëpunimin dhe marrjen në kohë reale të informacioneve”, thuhet në një deklaratë të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se “bashkëpunimi i ndërsjellë, teknologjia dhe trajnimet e mundshme, do të ndihmonin në përfitimin e njohurive shtesë pozitive”.
Agim Musliu, njohës i aspekteve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfitimet nga anëtarësimi eventual i Kosovës në INTERPOL do të jenë të shumta jo vetëm për policinë, por edhe për sigurinë e qytetarëve të vendit. Sipas tij, një nga përfitimet do të jetë qasja në bashkëpunim me të gjitha shtetet e botës, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe të gjitha llojeve të dukurive dhe trendëve negativë që mund të shfaqen në rajon dhe më gjerë.
“Nga aspekti përfitues, mund të cekim që edhe stafi policor i Republikës së Kosovës mund të marrë pjesë në operacione jashtë vendit, së bashku me kolegët nga EUROPOL-i, INTERPOL-i, në pjesë të ndryshme të botës. Sigurisht që në qendër të kontrollit në INTERPOL, një pjesë e stafit do të marrë pjesë si staf aktiv, por edhe në trajnime të ndryshme doganore, policore, operative dhe të tjera. Pra, do të jemi pjesë e një rrjeti shumë të madh dhe efektiv, i cili do të ketë qasje edhe në dokumentacion sekret për të ndjekurit apo kriminelët, rrjeteve kriminale dhe grupeve kriminale dhe të tjera”, thotë Musliu.
Njohësi tjetër i aspekteve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se në rast se Kosova bëhet anëtare e INTERPOL-it, atëherë kjo nënkupton që do të jetë pjesë aktive e kësaj organizate dhe ka të drejtën e lëshimit të fletarrestimeve, por edhe zbatimin e atyre që i lëshojnë vendet brenda INTERPOL-it.
Përfitim tjetër, sipas tij, është mundësia e trajnimit të stafit policor të Kosovës, sidomos për disa forma të krimit të organizuar në Kosovës, në rajon dhe botë, ndërkohë që sistemi i këmbimit të informacioneve është shumë më i lehtë. Këmbimi i informacioneve në mënyrë të shpejtë, sipas tij, mund të krijojë avantazh Policinë e Kosovës përballë terroristëve të mundshëm dhe kriminelëve që kërkohen me fletarrestime.
“Ata mund të hyjnë nga një pjesë në tjetrën të Kosovës, pa mundësinë që ne ta dimë se kemi të bëjmë me persona të nivelit të lartë të rrezikshmërisë, siç janë terrorizmi apo kategoritë tjera që janë në fletarrestime. Pra, janë këto avantazhe dhe realisht pritet që në të ardhmen të jemi edhe në grupet e ndryshme të punës në INTERPOL, me përfaqësim direkt aty, por edhe në ngritjen e kapaciteteve për luftimin e llojeve të reja të krimit të organizuar dhe formave të reja të paraqitjes së krimit të organizuar, si dhe të terrorizmit, i cili është një rrezik i përgjithshëm botëror”, thekson Ibishi.
Ndërkaq, deputeti Xhelili thekson se në rast se Kosova bëhet anëtare e INTERPOL-it, atëherë vendi do të jetë pjesë e krijimit të sigurisë në rajon, në aspektin policor.
“Por, përfitimet normalisht që do të jenë edhe për kërkesat e policisë sonë dhe të shtetit tonë për t’i ndjekur kriminelët, prej atyre të luftës e deri tek ata të profileve tjera”, shprehet Xhelili.
Pikërisht, mundësia e lëshimit të fletarrestimeve nga Kosova për të dyshuarit për krime të luftës, në rast se ajo bëhet pjesë e INTERPOL-it, ka nxitur ditë më parë reagimet e autoriteteve të Beogradit, të cilat kanë alarmuar opinionin e tyre se Kosova mund t’i lëshojë rreth 5 mijë fletarrestime të tilla.
Zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë hedhur poshtë një shifër të tillë, duke thënë se synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, nuk ka “qëllime hakmarrëse” ndaj askujt. Njohësit e aspekteve të sigurisë, kanë theksuar se shifrat që kanë përmendur autoritetet serbe, janë krejtësisht joreale, ndërkohë që deklaratat e këtyre autoriteteve, sipas tyre, janë në funksion të frikësimit të opinionit, jo vetëm të brendshëm, por edhe të huaj.
Në vitin 2010, Kosova pati aplikuar për herë të parë për anëtarësim në INTERPOL. Kërkesën e kishte përsëritur edhe në vitin 2015. Dy vjet më vonë, në vitin 017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.
Facebook Forum