Tash e disa muaj është konfirmuar që Kosova do të jetë pjesë e agjendës së Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet këtë vit në Dubai, nga data 18 deri 21 nëntor, thonë zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Kosovës.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Bengjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se njëra ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në përputhje me kërkesën që institucionet e shtetit tonë e kanë parashtruar para disa kohësh.
“Kërkesa jonë është aprovuar, është miratuar dhe është pranuar futja në agjendë dhe ne në Dubai presim që të konfirmohet dhe që Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota e këtij institucioni shumë të rëndësishëm të sigurisë ndërkombëtare”, tha Zyberaj.
Ai ka shtuar që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, nga të gjithë duhet të shihet si kontribut në sigurinë ndërkombëtare, kontribut në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtarë.
Por, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, por edhe zyrtarët tjerë të Beogradit, anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në INTERPOL e shohin si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, precedent në kundërshtim me rregullat e INTERPOL-it, si dhe pasoja me INTERPOL-it”.
Në “pasojat e dëmshme” për Serbinë, ata e përmendin edhe shifrën prej “5 mijë shtetasve serbë, të cilët në rast të pranimit të Kosovës në INTERPOL, do të mund të gjendeshin në fletë-arreste ”.
Ky “numër dramatik i pjesëtarëve të policisë serbe të rrezikuar, aktiv dhe joaktiv”, të cilët në vitin 1999, gjatë luftës kanë qenë në Kosovë, fillimisht është lajmëruar në mediet serbe, të cilat janë thirrur në “burimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë”.
Por, avokati serb, Bozhidar Preleviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se shifrat për të cilat flasin zyrtarët e Beogradit, janë krejtësisht të stërmadhuara.
“Mendoj që kjo është shifra e parë që u ka rënë ndërmend. Ngjashëm, kanë mund të thonë edhe 50 mijë ose 500 mijë. Për 5 mijë njerëz nuk ka vend në burgjet e Kosovës dhe aq njerëz nuk mund t’i procedojë as gjyqësori i Kosovës e as ai i Serbisë”, theksoi Preleviq.
Por, megjithatë, këtë shifër e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë vizitës së fundit në Beograd të presidentit të Austrisë, Aleksander Van der Belen, ka kërkuar nga ai që vendi i tij të përmbahet nga votimi për hyrjen e Kosovës në INTERPOL.
“Në fletë-arrestimet e INTERPOL-it, menjëherë do t’i keni 5 mijë serbë, pjesëmarrës në konfliktin e vitit 1999. Ata njerëz nuk do ta dinë se a mund ose jo të dalin nga vendi ynë. Kjo do të krijojë tensione në nivel ditor, konflikte shtesë në Ballkan dhe nuk e di se kujt i duhet kjo”, ka theksuar Vuçiq.
Por, këshilltari i shefit të diplomacisë së Kosovës, Zyberaj, ka thënë se “institucionet e Kosovës nuk janë hakmarrëse” dhe ka shprehur besimin që “pavarësisht sjelljes destruktive, të cilën pala serbe po e shfaqë në raport me të gjitha proceset në të cilat Kosova po përpiqet të kyçet”, shumica e vendeve do ta përkrahin anëtarësimin e shtetit në INTERPOL.
“Ne nuk i hakmerremi, sepse ne i takojmë një mendësie tjetër. Mirëpo, do t’i procedojmë të gjitha ato gjëra që kanë të bëjnë me kërkimin e kriminelëve nga cilado instancë gjyqësore”, ka thënë Zyberaj.
Ndërkaq, Preleviq, duke iu referuar numrit prej 5 mijë serbëve që autoritetet serbe kanë parashikuar se mund të gjenden në fletarrestimet e INTERPOL-it në rast se Kosova bëhet pjesë e kësaj organizate, ka theksuar se bëhet fjalë për frikësimin e opinionit në Serbi.
“Kjo shërben që në rast se Kosova nuk hyn në INTERPOL, t’i bie që ata kanë shpëtuar 5 mijë serbë. Në anën tjetër, natyrisht që në fletarrestim do të mund të vendosnin edhe Vuçiqin dhe marko Gjuriqin (shefin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë), siç ne i kemi vënë në një listë të tillë Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin dhe kështu me radhë".
"Çështje tjetër, me të cilën ky regjim do të mund të kishte problem është që ekziston një numër i njerëzve që gjenden në Kosovë, të cilët atje bëjnë punë që janë të rëndësishme për pushtetin e këtushëm dhe merren me gjëra të lejuara dhe të palejuara. Ata fshihen në veri të Kosovës dhe gjithsesi që nuk iu konvenon që kundër tyre të ngrihen procedura, të cilat do t’i pengonin që të udhëtonin”, tha Preleviq.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që shifrat fletarrestimeve, të deklaruara nga autoritetet serbe, si të mundshme në rast të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, janë joreale.
Sipas tij, deri më tash, “Serbia e ka keqpërdorur pozitën e saj në INTERPOL dhe ka lëshuar fletarrestime të pabaza për gati se të gjithë strukturën e ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht që për krimet eventuale të luftës ka pasur ose nuk ka pasur dëshmi. Sipas tij, Serbia tash frikësohet që Kosova mund t’i revanshohet.
“Unë mendoj që nuk është e saktë, për arsye se ne, realisht, kemi argumente për disa apo për një numër të caktuar, por jo në atë numër që Serbia pretendon që është. Ata që kanë bërë krime lufte do të përfshihen, por jo në atë numër aq masiv. Absolutisht nuk është real dhe është i tejet i zgjeruar. Pra, është tendencioz në kuptim të saj që ata nisen nga vetja e tyre, sikurse që ata kanë bërë, mendojnë që ne do të fillojmë një formë të revanshizmit. Sido që të jetë, nuk është e mundshme që të jetë gjithë ai numër të cilin ata e kanë shfaqur”, tha Ibishi.
Ai ka shtuar se me anëtarësimin eventual në INTERPOL, Kosova do të mund të jetë pjesë aktive e asaj organizate, gjë që e lehtëson sistemin e shkëmbimit të informatave, të lëshojë fletarrestime por edhe t’i zbatojë ato të cilat i lëshon INTERPOL-i. Gjithashtu, sipas tij, vendit i hapet mundësia për trajnimin e stafit në fushën e krimit të organizuar në Kosovë, në rajon dhe botë.
Aplikimin e parë për anëtarësim në INTERPOL, Kosova e kishte bërë në vitin 2010 dhe më pas e kishte përsëritur 5 vjet më vonë. Në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.