Teksa qëndron përballë metalit të shkrirë që derdhet nga një furrë gjigante, Sylejman Hajdari 60 vjeç, thotë se kjo pamje po e lumturon.
Hajdari ka mbi 40 vjet përvojë pune në korporatën metalurgjike në Drenas, NewCo Ferronikeli Complex LLC, e cila prodhon dhe eksporton nikel nëpër shumë vende të botës.
Kjo kompani ndaloi prodhimin më 8 tetor të vitit 2021 për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë duke rrezikuar punën e mbi 2 mijë punëtorëve.
“(Jam ndier i frikësuar) sepse një karrierë e gjatë, të të ndërpritet puna para pensionit, nuk është bash mirë”, thotë Hajdari.
Prodhimi u rikthye të mërkurën, më 21 qershor, pas rreth tri javësh parapërgatitje për rindezjen e makinerive.
“Jemi gëzuar shumë se edhe më është mësuar trupi të punoj, 40 vjet [punë]”, shton Hajdari.
Ferronikeli ka qenë kompani publike para se të privatizohej në vitin 2005. Në vitin 2018, ajo është blerë nga kompania e Shqipërisë, Balfin Group.
Ndërkaq, rreth një vit më parë, ajo kaloi në pronësi të konsorciumit turk “Yildirim Group”.
“Objektivi ynë është që Ferronikelin ta bëjmë një kompani aktive, efiçiente, që të ketë një kontribut të vyer në ekonominë e Kosovës”, tha Cemil Acar, drejtor i përgjithshëm i kësaj kompanie, në hapjen zyrtare të prodhimit.
Arsyeja pse Ferronikeli ishte prekur direkt nga shtrenjtimi i rrymës në Evropë është për faktin se kompania e blen rrymën direkt nga tregjet e jashtme dhe nuk furnizohet fare brenda Kosovës.
Sipas të dhënave në bursën e Hungarisë – HUPX, çmimi momental i megavatit të rrymës është rreth 120 euro, ndërsa në fillim të krizës kishte kapur shifrat mbi 230 euro.
Në fund të tetorit të vitit 2021, punëtorët e Ferronikelit kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar ndihmë që puna e tyre të mos ndërpritej.
“Nëse Qeveria na ndihmon, na shpëton”, kishte thënë në atë kohë për Radion Evropa e Lirë, Sehat Behrami, punëtor i kësaj kompanie, i frikësuar se do të mbetej pa punë.
*Video nga arkivi: Protestat e punëtorëve të Ferronikelit
Sipas zyrtarëve të kompanisë, në vitin e parë pas ndaljes së prodhimit, punëtorët ishin paguar me 50 për qind të pagës.
Ndërkaq në vitin e fundit ata kanë marrë 75 për qind të pagës, dhe kanë punuar me kohë të përgjysmuar, në mirëmbajtjen e pajisjeve.
Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj korporate thotë se nga kompania i është premtuar stabilitet i prodhimit.
“Ia kemi dalë me vështirësi të mëdha. Shpresat nuk i kemi humbur asnjëherë. Prandaj, është i plotë stafi i punëtorëve”, thotë Nika për REL-in, duke treguar se si shumicë punëtorët nuk janë larguar nga vendi i tyre i punës.
Ai shton se mbi 90 për qind e punëtorëve të kësaj kompanie kanë kredi nëpër banka dhe u është dashur t’ia dalin me 75 për qind të pagave të tyre.
“(Rikthimi i prodhimit) do të thotë shumë për punëtorët”, thotë Nika, i cili vetë punon në këtë kompani që nga viti 1982.
Ferronikeli është ndër eksportuesit më të mëdhenj në Kosovë.
Në periudhën para pandemisë, në vitin 2019, kjo kompani kishte eksportuar nikel në vlerë prej 51 milionë eurosh.
Nëse krahasohet kjo shumë me eksportin e përgjithshëm nga Kosova për vitin 2019 që është 383 milionë euro, i bie që Ferronikeli përbënte rreth 13 për qind të të gjithë eksportit në vend.
Në rihapjen e prodhimit të kompanisë mori pjesë edhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili e quajti atë "ndër asetet më të mëdha në Kosovë".