Maringlen Avdolli, një fermer nga fshati Vashtmi i Korçës - pjesa juglindore e Shqipërisë - prej vitesh mbjell me perime gjithë sipërfaqen e tokës që zotëron - rreth 15 dynymë.
Sivjet thotë se ka vendosur ta lërë djerrë, sepse puna nuk i shpaguhet.
“Janë shtrenjtuar plehrat kimike, është rritur çmimi për plugimet, frezimet... farat janë rritur për 30% e më shumë. Përse ta punoj? Të më ikë gjithë mundi kot?”, shprehet 38-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.
Për më tepër, shton ai, edhe grumbulluesit e marrin me një çmim shumë të lirë prodhimin e tij, ashtu si edhe të fermerëve të tjerë.
Si gjetkë në botë, inflacioni në Shqipëri është në rritje - aktualisht mbi 8 për qind – dhe çmimet e gati të gjitha produkteve janë shtrenjtuar.
Maringleni, baba i dy fëmijëve, thotë se, tash e tutje, do të punojë vetëm aq sa i nevojitet për familjen e tij.
Ai nuk është i vetmi fermer që ka vendosur ta lërë djerrë tokën që posedon.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) tregojnë se rreth 30% e tokës bujqësore në këtë vend nuk punohet.
Nga rreth 2 milionë e 875 mijë hektarë tokë sa ka Shqipëria, 699 mijë hektarë janë tokë bujqësore.
Nga Qeveria e vendit kanë paralajmëruar se lënia e tokës djerrë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.
“Do të ketë super-taksim të tokës [së lënë] djerrë”, ka thënë kryeministri Edi Rama, por pa specifikuar se sa do të jetë ajo taksë.
“U kam kërkuar deputetëve të ulen bashkë me ju [fermerët] dhe të punojnë me Ministrinë e Financave, për të vënë një normë ligjore, që kush nuk e punon tokën, nuk mund ta lërë atë djerrë, të rrijë rehat dhe të thotë: s’ta jap me qira, s’ia jap kujt ta punojë...”, ka thënë Rama në takimet që ka zhvilluar gjatë këtij muaji me fermerë në Fier dhe Korçë.
Aktualisht, taksa e tokës bujqësore në Shqipëri varion nga 1.800 lekë (15 euro) për hektar në vit deri në 5.600 lekë, varësisht kategorisë, e cila klasifikohet nga Ministria e Bujqësisë.
“I falimentuar edhe nëse e punoj, edhe nëse nuk e punoj tokën”
Fermeri nga fshati Vashtmi në Korçë thotë se nuk është aspak dakord me qasjen e paralajmëruar të Qeverisë.
“Unë jam i falimentuar edhe nëse e punoj, edhe nëse nuk e punoj tokën”, thotë ai.
“Provova ta punoj dhe vetëm sa u sfilitëm e gjithë familja, asgjë nuk fituam. Tani që e lë pa mbjellë, dashkan të na taksojnë, të na gjobisin. Keq këtej, keq andej”, thotë Maringleni.
“Super-taksa” nuk është zgjidhje as për Ervin Resulin, udhëheqës i Shoqatës së Fermerëve në Shqipëri.
Sipas tij, zgjidhja do të ishte te “stimulimi [i fermerëve] me skema mbështetëse”.
Ekspertë të kësaj fushe pajtohen se duhet zgjidhur urgjentisht problemi i tokës së lënë djerrë, por, po ashtu, thonë se zgjidhja nuk duhet të rëndojë mbi fermerët.
“... përkundrazi, [fermerët] duhen ndihmuar dhe stimuluar që të mos e lënë tokën djerrë. Çdo nismë ligjore duhet të ndërmerret në konsultë edhe me fermerët, edhe me ekspertë të fushës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Agim Rrapaj, udhëheqës i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.
Sipas ekspertit të bujqësisë, Ilir Pilku, plani i Ramës, përveçse nuk është zgjidhje, ka edhe probleme juridike.
“Vendosja e një ligji të tillë për taksim të rëndë për fermerët që nuk e punojnë dot tokën ose nuk e japin me qira, ka një problem juridik. Nëse kanë paguar detyrimin për taksën bujqësore... si do t’i taksosh? Por, edhe për ato familje fermerësh që nuk e paguajnë taksën e tokës, apo për ata që janë në emigracion, duhet lënë një kohë për marrjen e vendimit”, thotë Pilku.
Ai shton se, në vend të taksave të mëdha për fermerët, duhen shikuar mundësitë për punimin e tokës.
“Unë do ta vija theksin te rritja e prodhimtarisë në Shqipëri, për t’i bërë produktet tona më të konkurrueshme. Duhet parë me interes edhe toka e pashpërndarë, që është tokë apo pyll në inventarin e Ministrisë së Bujqësisë. T’u jepet prioritet të rinjve që të mos ikin, por t’u jepet kjo sipërfaqe e pandarë”, thotë Pilku.
“Të aplikohet nisma ‘Shqipëria 1 euro’ për të rinjtë, që ta marrin tokën [për 1 euro] dhe të zhvillojnë një aktivitet”, shton ai, duke iu referuar një nisme të shpalosur vite më parë, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike.
Fermerët e zonave të ndryshme në Shqipëri kanë dalë shpesh në protesta dhe kanë hedhur në rrugë prodhimet e tyre, duke thënë se nuk u sigurohet treg i mjaftueshëm dhe se subvencionet e Qeverisë janë të pamjaftueshme.
Sa ndihmohen fermerët?
Në takimet e ditëve të fundit me fermerë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bujqësia, këtë vit, është mbështetur me fondin më të lartë ndonjëherë - gati 50 milionë dollarë. Ai, po ashtu, ka thënë se fermerëve u janë dhënë 8 milionë litra naftë pa taksa.
Programet e Qeverisë shqiptare për fermerë janë: skema kombëtare, skema për naftën dhe skema e njohur si IPARD.
Këto skema përfshijnë mbështetje financiare për fara dhe fidanë me 200.000 lekë për hektar, mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën e 60.000 lekëve për hektar e të tjera.
IPARD, në anën tjetër, mundëson përfitimin e fondeve për zhvillim të fermave apo agrobizneseve, si dhe për tregtimin apo përpunimin e produkteve bujqësore.
Sipas Organizatës së Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO), fermerët shqiptarë marrin mbështetje direkte vetëm 3 euro për hektar, ndërsa 42 euro shkojnë për institucionet dhe entet që monitorojnë bujqësinë.
Sipas raportit të kësaj organizate, të publikuar në qershor të këtij viti, në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pjesa më e madhe e fondeve shkojnë për fermerët.