Ndërlidhjet

“Perimet nuk i blej më me kilogramë”


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Sapo është kthyer nga puna dhe pazari që ka bërë Valbona Shuli, janë pak perime, sa për të gatuar një supë për darkë dhe një sallatë.

“Perimet nuk i blej më me kilogramë, por me kokrra”, thotë kjo nënë e tre fëmijëve, e cila bashkë me familjen e saj jeton në një banesë me qira në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Valbona Shuli
Valbona Shuli

“Çdo gjë është dyfishuar, përveç rrogave që nuk kanë ndryshuar. Nëse më parë shpenzonim gjithçka për të ngrënë, por na mbetej ndonjë lek për diçka tjetër, tani kemi përgjysmuar sasinë e ushqimeve që blejmë”, thotë Valbona për Radion Evropa e Lirë.

“Gjithçka është më e shtrenjtë, duke nisur nga buka, që tani nuk e blej, por e gatuaj vetë”, tregon ajo.

Valbona punon në një pastiçeri në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë dhe paguhet 40 mijë lekë në muaj, apo rreth 350 euro.

Rroga e saj thotë se shkon për të paguar qiranë e banesës, faturat e energjisë elektrike dhe ujit, transportin për në shkollë për vajzën e vogël, e cila është në klasë të 6-të, si dhe për kujdestaren që i shërben vjehrrës së saj të sëmurë, e cila banon pranë tyre.

Bashkëshorti i Valbonës punon si shofer kamioni për një pagë që varion nga 50 deri në 60 mijë lekë në muaj, apo 440-520 euro.

Këtë shumë, Valbona thotë se duhet ta menaxhojë me shumë kujdes, që të sigurojë ushqimin për familjen, si dhe të përballojë nevojat që lidhen me shkollimin e fëmijëve - dy prej të cilëve studentë.

“Kemi harruar të dalim me familjen, apo t’u blejmë diçka të re fëmijëve”, thotë Valbona.

Inflacioni, gjetkë në botë, ka shënuar rritje, fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, e pastaj edhe për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Të dyja ngjarjet kanë çrregulluar tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit - gjë që ka çuar në shtrenjtimin e produkteve të konsumit.

Në Shqipëri - vend me mbi 2.7 milionë banorë - inflacioni ka arritur në mbi 8 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Sipas Institutit të Statistikave në këtë vend, INSTAT, produktet me rritjen më të madhe të çmimit janë vajrat dhe yndyrat me 30%, pastaj qumështi, djathi, vezët me 24% dhe buka e drithërat me 17%.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për ushqim

Një anketë e publikuar muajin e kaluar nga INSTAT-i për buxhetin e familjes, nxjerr në pah vështirësitë që kanë familjet në Shqipëri për të përballuar rritjen e çmimeve.

Sipas kësaj ankete, 41.3% e buxhetit të një familjeje shkon për ushqim.

Produktet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim, janë: qumështi me nënproduktet e tij dhe vezët (17.5%), perimet (17.4 %), mishi me nënproduktet (16.2%) dhe buka dhe drithërat (13.6 %).

Duke analizuar të dhënat e INSTAT-it, eksperti i ekonomisë në Shqipëri, Gent Beqiri, thotë se shpenzimet për ushqim në këtë vend janë shumë më të mëdha se në disa vende të tjera, që kanë numër shumë më të madh banorësh.

“Nëse krahasohemi me Anglinë apo Gjermaninë, ne shpenzojmë dy herë më shumë. Në këto vende, shpenzimet për ushqim nuk shkojnë më shumë se 20%”, thotë Beqiri për Radion Evropa e Lirë.

Beqiri thekson edhe faktin se kjo shifër vlen për atë që në metodologjinë e INSTAT-it njihet si familje tipike, pra familje me katër anëtarë, ku prindërit janë të moshës 35-45 vjeç.

“Nëse janë moshë më e madhe, nëse kanë anëtarë të familjes në pension, apo shumë fëmijë, ushqimi nuk zë më 41%, por shkon në 60-70% të buxhetit familjar”, thotë Beqiri.

Të dhënat e INSTAT-it pasqyrojnë situatën në vitin 2021, kur çmimet shënuan rritje prej 2%.

Çfarë ka bërë Qeveria?

Për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve, në muajin mars, kanë hyrë në fuqi disa masa, që Qeveria e Shqipërisë i ka cilësuar si “paketë e rezistencës sociale”. Prej saj kanë përfituar rreth 434 mijë qytetarë, në mesin e tyre: pensionistë që e kishin pensionin më pak se gjysma e pagës minimale në atë kohë, d.m.th. nën 15 mijë lekë; pensionistë që jetonin vetëm dhe persona me aftësi të kufizuara.

Ata kanë përfituar 3 mijë lekë, apo rreth 25 euro ndihmë për tre muaj me radhë: prill, maj, qershor. Gjithashtu, pensionet janë rritur për rreth 9% këtë vit, ashtu si edhe paga minimale nga 30 mijë në 34 mijë lekë.

Pagat për 41 mijë punonjës të sektorit publik janë rritur po ashtu për 7%.

Paga mesatare në Shqipëri është 59 mijë lekë, apo 510 euro.

Niveli i varfërisë në këtë vend, në vitin 2019, ka qenë 21.8 për qind. Kjo është edhe hera e fundit kur është matur nga INSTAT-i.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG