Ndërlidhjet

Pse Facebook-u bllokoi publikimin e lajmeve në Australi?


Logo e Facebook-ut dhe flamuri australian në prapavijë.
Logo e Facebook-ut dhe flamuri australian në prapavijë.

Kur australianët u zgjuan në mëngjes të enjten panë se në faqet e tyre në Facebook nuk kishte asnjë lajm të platformave lokale dhe globale. Facebook-u ka bllokuar përdoruesit australianë nga mundësia e shikimit ose shpërndarjes së përmbajtjes së lajmeve, duke shkaktuar reagime të shumta.

Masa u mor si një përgjigje ndaj një projektligji, i cili detyron kompanitë e teknologjisë të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve në platformat e tyre. Edhe disa faqe qeveritare dhe shëndetësore u bllokuan. Por, më vonë Facebook-u tha se bllokimi i tyre ishte një gabim.

Në reagimin e saj, Qeveria e Australisë kritikoi veprimin e Facebook-ut, duke thënë se këto masa tregojnë “fuqinë e jashtëzakonshme në treg të këtyre gjigantëve të mediave sociale”.

Autoritetet australiane thanë se vendimi për bllokim e lajmeve ka një ndikim të madh në komunitet pasi llogaritet se çdo muaj, rreth 17 milionë australianë vizitojnë mediat sociale.

Çfarë thotë Facebook-u?

Autoritetet australiane kanë përgatitur një projektligj, për siç kanë thënë “rregullimin e tregut” të mediave sociale. Rregullatorët duan që gjigantët e teknologjisë si Facebook-u dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e ripostuar nga mediat.

“Ligji thjesht synon të garantojë drejtësi dhe transparencë në marrëdhëniet e Facebook-ut dhe Google me bizneset australiane të mediave", ka thënë kreu i Komisionit australian të Konkurrencës dhe Konsumatorëve, Rod Sims, transmeton BBC.

Por, Facebook-u ka thënë se plani i autoriteteve australiane e lë atë para një zgjedhjeje të vështirë.

“Të jemi në përputhje me një ligj që injoron realitetin e kësaj marrëdhënieje, apo të ndalojmë përmbajtjen e lajmeve në shërbimet tona në Australi. Me zemër të thyer po themi se kemi zgjedhur këtë të fundit”, kishte thënë Facebook.

Ligji synon "të ndëshkojë Facebook-un për përmbajtjen që nuk e merrte ose nuk e kërkonte", tha drejtori rajonal i kompanisë Facebook, William Easton, transmeton BBC.

Facebook-u ka thënë se lajmet përbëjnë vetëm 4 për qind të asaj që njerëzit shohin në faqen e saj të internetit, por për australianët roli i Facebook-ut në shpërndarjen e lajmeve po rritet.

Më 2020, përmes një studimi, Universiteti Canberra, tha se 21 për qind e australianëve përdorin mediat sociale si burimin e tyre kryesor të lajmeve, 3 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas studimit, 39 për qind e popullsisë e përdorin rrejtin social Facebook për të marrë informacion nga lajmet.

Si u përgjigj Australia?

Vendimi i Facebook-ut për të bllokuar përmbajtjen e lajmeve në Australi, u kritikua ashpër nga publikuesit, politikanët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, shkruan Reuters.

Në veçanti reagimet u bën pasi faqet zyrtare të informacioneve shëndetësore ishin fshirë nga Facebook së bashku me lajmet.

“Veprimet e Facebook-ut për të mos qenë miq me Australinë, duke ndalur informacionet thelbësore mbi shëndetin dhe shërbimet e urgjencës, ishin sa arrogante aq edhe zhgënjyese", shkroi kryeministri australian, Scott Morrison, në faqen e tij në Facebook.

Sipas tij, këto veprime vetëm sa konfirmojnë shqetësimet në rritje të shumë vendeve se kompanitë e teknologjisë “mendojnë se janë më të mëdha mëdha se qeveritë dhe se rregullat nuk duhet të vlejnë për ato".

Megjithatë, shumë faqe qeveritare në Facebook u bën të qasshme, por disa faqe bamirësie dhe të gjitha faqet e medias mbetën të ndaluara, duke përfshirë ato të mediave ndërkombëtare si New York Times, BBC, Wall Street Journal dhe Reuters.

Për disa orë faqja e Facebook-ut në Australi ishte krejtësisht e mbyllur para se të rifillonte me ndryshimet e bëra.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, tha se “është e pandërgjegjshme që brenda natës një vend i tërë të mos ketë qasje në informacione”.

Problemi nuk i ka rrënjët vetëm në Australi

Ligji i propozuar i Australisë do të ishte i pari i këtij lloji, por qeveritë e tjera gjithashtu po bëjnë presion te Google, Facebook dhe kompanitë tjera të internetit për të paguar mediat dhe publikuesit e tjerë.

Franca është qeveria e parë evropiane që po zbaton rregullat, por vendimi sugjeron që Google, Facebook dhe kompani të tjera do të përballen me kërkesa të ngjashme në pjesë të tjera të bllokut tregtar të 27 vendeve anëtare.

Vitin e kaluar, Facebook-u njoftoi se do të paguante organizatat e lajmeve në SHBA duke përfshirë The Wall Street Journal, The Washington Post dhe USA Today. Asnjë detaj në lidhje me marrëveshjet financiare nuk u bë i ditur.

Zhvillimet në Australi dhe Evropë sinjalizojnë që bilanci financiar midis kompanive të internetit që vlejnë miliarda dollarë organizatave të lajmeve mund të ndryshojë.

Facebook dhe Google deri vonë ishin bashkë në kundërshtimin e këtyre masave. Edhe Google kishte kërcënuar se do të anulojë shërbimet në Australi. Por, në ditët e fundit kjo kompani ka njoftuar marrëveshje për të paguar disa publikues në Australi. Google ka njoftuar marrëveshje me News Corp të Rupert Murdoch dhe Seven West Media.

Nuk është bërë i ditur asnjë detaj financiar i marrëveshjeve. Në negociata me Google është edhe Australian Broadcasting Corp.

Më herët Google kishte njoftuar për marrëveshje edhe me disa publikues francezë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG