Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar për largim të Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë, nëse ky trup dështon të ndryshojë mënyrën si po e trajton Amerikën.
“Nëse ata nuk përmirësohen, unë do të largohem nga Organizata Botërore e Tregtisë”, ka thënë Trump në një intervistë për Bloomberg News.
Organizata në fjalë është themeluar për të krijuar rregulla për tregti globale si dhe për zgjidhjen e konflikteve në mes shteteve.
Mirëpo Trump, i cili është duke shtyrë përpara politika proteksioniste, ka thënë se SHBA-ja është duke u trajtuar padrejtësisht nga kjo organizatë.
Ai ka thënë të enjten, se marrëveshja e vitit 1994 për të themeluar OBT-në “ka qenë marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë për tregti”, ndonëse ka pranuar se SHBA-ja ka fituar disa raste në të kaluarën.
Paralajmërimi i tij për tërheqje të SHBA-së nga ky trup, thekson konfliktin në mes të politikave tregtare të presidentit amerikan dhe sistemit për tregti të hapur që mbikëqyr Organizata.
Në po të njëjtën kohë, Uashingtoni ka bllokuar së fundmi zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj në sistemin për zgjidhjen e konflikteve në këtë Organizatë, çka potencialisht mund të paralizojë aftësinë e së njëjtës për të marrë vendime.
Përfaqësuesi amerikan për Tregti, Robert Lighthizer, ka akuzuar OBT-në për ndërhyrje në sovranitetin e SHBA-së.
Presidenti amerikan ka nisur deklarata për tregti të padrejtë prej kur është bërë president.
Prandaj, SHBA-ja ka nisur betejë reciproke në muajt e fundit me fronte të ndryshme.
Njëra nga to, që ka fituar më së shumti vëmendje, ka qenë me Kinën, një nga ekonomitë më të madha globale.
Trump ka njoftuar për vënie të tarifave në një varg të mallrave kineze të importuara në SHBA.
Një valë e tretë e tarifave në vlerë të 200 miliardë dollarëve në mallrat kineze mund të vijë shumë shpejtë, ka raportuar Bloomlberg, duke cituar burime të ndryshme.
I pyetur për të konfirmuar një gjë të tillë, gjatë intervistës, Trump ka thënë se “nuk është plotësisht e gabueshme”.
Kina, në anën tjetër, u është përgjigjur tarifave amerikane duke vënë taksa hakmarrëse në disa produkte amerikane dhe ka nisur ankesa për të njëjtat në Organizatën Botërore për Tregti.
Ministri kinez i Tregtisë ka thënë se “ka dyshime të qarta” se SHBA-ja ka shkelur rregullat e kësaj Organizate.
Trump dhe marrëveshjet tregtare
Presidenti Trump nuk ka qenë asnjëherë përkrahës i marrëveshjeve për tregti multilaterale.
Në një debat presidencial më 2016 me rivalen demokrate Hillary Clinton, Trump e ka përshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Amerikës Veriore me Meksikën dhe Kanadanë (NAFTA), si “marrëveshjen më të keqe të nënshkruar ndonjëherë” dhe “vrasëse” të vendeve të punës në SHBA.
Andaj, në momentin që ka fituar zgjedhjet, ai ka kërkuar të rinegociojë dhe jo të largohet nga marrëveshja, duke nxitur bisedime njëvjeçare.
Të hënën, Trump ka njoftuar se SHBA-ja dhe Meksika janë pajtuar për të riformuluar marrëveshjen paraprake, duke e cilësuar “pakt shumë të mirë” që është “shumë më i drejtë” për të dyja shtetet.
Kanadaja në anën tjetër pritet të pajtohet me kushtet e reja.
Mirëpo, presidenti Trump u ka vënë autoriteteve kanadeze, të premten si afat të fundit për nënshkrim të marrëveshjes, dhe ka kërcënuar për të ngritur taksat për sektorin e automjeteve të këtij vendi.
Po ashtu gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump nuk ka qenë në favor të Partneritetit Trans-Atlantik, një marrëveshje tregtare mes 12 kombeve, e cila ishte në linjë me politikat e ish-presidentit amerikan, Barack Obama për Azi.
Trump pati deklaruar se pakti ka qenë “katastrofë potenciale për shtetin tonë”.
Në një nga vendimet e tij të para si president, Trump ka larguar SHBA-nga nga kjo marrëveshje, ndonëse së fundmi ka thënë se mund t’i bashkohet sërish asaj nëse kushtet janë “më të mira”.