Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk u ka bërë thirrje, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës të parandalojnë nisjen e luftërave tregtare, të cilat mund të kërcënojnë rregullin global dhe të rrezikojnë paqen në botë.
Tusk ka thënë më 16 korrik se “ende ka kohë për të ndalur konfliktin dhe kaosin” dhe se të gjitha palët kanë “detyrim të përbashkët” për të punuar së bashku dhe t’i ikin përballjes.
Tusk ka nisur këto dekarata drejt presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, të cilët takohen të hënën në Helsinki.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se arkitektura e botës është duke ndryshuar para syve tanë dhe është përgjegjësi e jona të bëjmë ndryshim për të mirë”, ka thënë ai.
“Është detyrë e përbashkët e Evropës dhe Kinës, por edhe e Amerikës dhe Rusisë që të mos shkatërrojnë rregullin tregtar global, por ta përmirësojnë atë dhe të mos nisin luftëra tregtare, të cilat shumë shpesh janë kthyer në konflikte të nxehta në histori”, ka thënë Tusk, i cili ka qenë në Pekin në një samit në mes të liderëve të BE-së dhe atyre të Kinës.
Ai ka thënë se botës i duhen reforma tregtare, mirëpo duhet të parandalohet konfrontimi.
“Për këtë arsye jam duke bërë thirrje te nikoqirët tanë kinezë, por edhe te presidentët Trump dhe Putin, që të bashkohen në këtë proces drejt reformimit të Organizatës Botërore të Tregtisë”.
“Sot përballemi me dilemën rreth asaj se a duhet të luajmë ashpër siç janë tarifat e luftës dhe konflikti në vendet si Ukraina dhe Siria apo të shikojmë për zgjidhje të përbashkëta të bazuara në rregulla të drejta”, ka thënë Tusk.
Tusk dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kanë qenë në Pekin në samitin vjetor të 20-të me liderët kinezë, të cilin e ka udhëhequr kryeministri kinez, Li Keqiang.
Liderët e BE-së dhe ata kinezë janë duke synuar arritjen e një marrëveshjeje, përmes së cilës do të niste procesi i lehtësimit në qasje të tregjeve të njëra-tjetrës.
Zyrtarët kanë shfaqur shpresën e prezantimit të një komunikate modeste, e cila do të siguronte se të dyja palët janë të përkushtuara për një sistem tregtar multilateral.
Në dy samitet e fundit ka qenë e pamundur që të arrihet një deklaratë e tillë.
Ekspertët kanë thënë se Kina do të kërkojë krijimin e një aleance kundër Shteteve të Bashkuara, të cilën Pekini mund ta përdorë më pas kundër SHBA-së, pas vënies së tarifave nga presidenti amerikan.
Trump ka kërcënuar me vënie të tarifave në vlerë të 500 miliardë dollarëve në mallrat kineze, nëse Pekini nuk ndryshon ato që presidenti amerikan i ka cilësuar si politika të padrejta tregtare.
Kina në anën tjetër ka thënë se do të hakmerret nëse Uashingtoni aplikon tarifa të reja.
Rusia po ashtu ka premtuar se do të hakmerret kundër sanksioneve amerikane që do të ndikojnë në industrinë apo bizneset ruse.