Zyrtarët e SHBA-së kanë shfaqur qëndrim më fleksibil ndaj çështje së zgjidhjes përfundimtare të kontestit Kosovë- Serbi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Donika Emini dhe Agon Maliqi.
Njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një “zgjidhje ideale” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka përmendur zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë një dëshmie para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, diplomati Escobar ka përmendur rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duke thënë se palët “si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”.
Emini: Formulimi i Escobarit, ndryshe nga letrat e Bidenit
Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se në deklaratat e deritashme zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Escobar, ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është integrimi i të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
Por, siç thotë Emini, përmendja e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e formuluar si “mënyrë ideale” për normalizimin e marrëdhënieve, është ndryshe nga letrat që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka dërguar liderëve në Kosovë dhe Serbi, ku njohja e ndërsjellë përmendet si zgjidhje e vetme.
Megjithatë, sipas saj, njohja e ndërsjellë, si zgjidhje e vetme dhe jo si zgjidhje ideale, të cilën e ka thënë diplomati Escobar, është hequr fare edhe nga fjalori i Bashkimit Evropian. Deri më tash, siç thotë ajo, flitet për pranim të Kosovës nga ana e Serbisë, por jo edhe njohje, në kuptimin diplomatik, ndërmjet dy vendeve.
“Kjo mbase për shkak të pozicionit të Vuçiqit, por ndoshta edhe për shkak të pamundësisë që të negociohet me Vuçiqin, duke pasur parasysh rolin e tij komplet në Ballkan, për nga aspekti i sigurisë. Përveç destabilizimit potencial të Kosovës, destabilizimi i Bosnjës (e Hercegovinës) është një çështje urgjente, e cila po trajtohet edhe në kuluaret e BE-së. Pastaj edhe situata në Mal të Zi. Këto tregojnë që Serbia, si faktor destabilizimi në rajon, është rinuar dhe është problem komunitetin ndërkombëtar, sidomos për Shtete e Bashkuara të Amerikës. Kështu që kjo, ndoshta duhet të jetë alarm edhe për ne në Prishtinë”, thotë Emini.
Maliqi: Ide për pranimin e Kosovës, por jo edhe njohje të saj nga Serbia
Por, pikëpamje tjetër ka analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thekson që në deklaratat e diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, nuk ka pasur diçka ndryshe në përmbajtje, krahasuar me qëndrimet e deritashme amerikane, lidhur me formulimin që përfundimi i dialogut duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi.
“Por, edhe fleksibilitetin, që njohja reciproke do të ishte ideale, e ka pasë theksuar në disa raste më herët edhe Matthew Palmer (ish i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor), gjë që e lë të hapur edhe mundësinë që njohja të mos jetë. Si mundësi, padyshim që SHBA-ja e parapëlqen një zgjidhje të tillë ose e synojnë një zgjidhje të tillë. Por, këtë lloj fleksibiliteti e shoh jo si të ri, por edhe si një lloj deklarimi me inercion i faktit që SHBA-ja, për momentin, nuk sheh dinamikë në proces (të dialogut) dhe nuk ka koordinim në mes Qeverisë sonë ( të Kosovës) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Do të thotë, nuk ka bashkërendim”, thekson Maliqi.
Zgjidhjet e mundshme “në pako”
Fjalimi i diplomatit amerikan, Escobar, para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, ishte më i përqendruar lidhur me problemet në Bosnjë e Hercegovinë, përkatësisht entitetin e Republikës Serbe, si dhe problemet në Malin e Zi.
Po ashtu edhe pyetjet që kanë bërë kongresistët, anëtarë të këtij nën-komiteti, kanë qenë më të pakta lidhur me Kosovën.
Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili vjen nga Republika Serbe, ka kërkuar transferimin e të gjitha kompetencave nga shteti në nivel të entitetit, si dhe ka thënë se Republika Serbe do të shkëputet nga Bosnjë e Hercegovina nëse këto kompetenca nuk i kthehen entitetit.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike, bazuar në pyetjet dhe përgjigjet e shtruara në këtë nën-komitet, janë dërguar sinjale që çështjet problematike në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të mund të trajtohen dhe të zgjidhen në pako.
Donika Emini thotë se në Kosovë është krijuar përshtypja që çështja e dialogut me Serbinë është prioritet dhe se SHBA-ja do të negociojë në emër të Kosovës. Por, sipas saj, ky vlerësim nuk qëndron, sepse ka çështje të tjera në Ballkanin Perëndimor që aktualisht kërkojnë qasje urgjente, sikurse situata aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, ku diskursi i zyrtarëve të entitetit të Republikës Serbe, i ngjan atij të viteve ‘90, kur edhe u zhvilluan luftërat në ish-Jugosllavi, por edhe zhvillimet në Mal të Zi.
Ajo beson që çështja e Kosovës dhe dialogu i saj me Serbinë, nuk është prioritet i parë për SHBA-në, për sa i përket Ballkanit Perëndimor, ndoshta edhe për faktin që ajo po ndahet me BE-në. Por, siç thotë Emini, deklaratat e diplomatit Escobar kanë dhënë të kuptohet që për problemet në vendet e Ballkanit Perëndimor, do të mund të ketë një qasje për zgjidhje në pako.
“Mendoj që kjo qasja në pako ndaj rajonit, mund të jetë edhe në përfitim të Kosovës. Mund të përfitojmë nga kjo qasje dhe nga urgjenca e ngritur, sidomos në aspektin e sigurisë. Përndryshe, në qoftë se nuk do të ketë qasje proaktive amerikane, për momentin nuk besoj që BE-ja mund të bëjë diçka. Përkundrazi, status-quoja do të shndërrohet në përkeqësim të gjendjes dhe i gjithë Ballkani rrezikon që të kthehet në situatën e viteve 90”, thekson Emini.
Ndërvarësia në mes zhvillimeve në rajon
Agon Maliqi shpreh mendimin që fakti që në seancën e Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, është folur shumë pak për Kosovën, është reflektim i faktit që, siç thotë ai, nuk ka ndonjë dinamikë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Për më shumë, sipas tij, për shkak të dinamikës së zhvillimeve në Bosnjë e Hercegovinë, ajo ka qenë një nga temat që ka dominuar në seancën e nën-komitetit.
“Por, absolutisht, gjithmonë ka pasur ndërvarësi në mes të zhvillimeve në rajon. Mendoj se Kosova do të mund të riaktivizohej si temë me ardhjen e ambasadorit (Christopher) Hill në Beograd, i cili, me gjasë, mund ta luajë një rol më prijës në atë proces (të dialogut) nga pozita e tij në Beograd. Por, me gjasë, që nga fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm, është i pashmangshëm një dinamizëm i ri në rajon, me emërimet e ndryshme".
"Pra, e kemi zotin Palmer që merret me reformën në Bonjë e Hercegovinë, pastaj zoti Hill, i cili nga Beogradi mbase do ta luajë një rol edhe për dialogun Kosovë- Serbi. Por, e kemi edhe zotin James O’Brien, si udhëheqës i divizioneve të sanksioneve, e të cilat u përmendën që mund të përdoren jo vetëm për korrupsionin, por edhe ndaj pengimit të marrëveshjes së paqes rajonale”, shprehet Maliqi.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se zhvillimet në terren, veçanërisht, sikurse ato që u panë në muajt e fundit në veri të Kosovës, por edhe ndonjë përshkallëzim i situatës në Bosnjë e Hercegovinë, mund t’i japin shtysë dhe urgjencë proceseve diplomatike.
Facebook Forum