Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, do të jetë një nga çështjet parësore, por edhe sfidë kryesore për qeverinë e ardhshme të vendit, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që presioni ndërkombëtar për të rifilluar dialogun me Serbinë, ashtu siç ishte ndaj Qeverisë së Kosovës në largim, do të jetë edhe ndaj qeverisë së ardhshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve, është mirë që të jetë një qeveri e spektrit të gjerë dhe të ketë numër të mjaftueshëm të votave, që në mënyrë të zotërueshme dhe kompetente t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, drejtë arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Këto bisedime duhet të çojnë në njohje reciproke, por para së gjithash, duhet t’i hapin Kosovës perspektivën euroatlantike”, tha Tahiri.
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që rifillimi dialogut me Serbinë, për qeverinë e ardhshme të vendit do të jetë prioritet, madje edhe i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, është bërë e qartë edhe nga deklarata e ambasadorëve të vendeve të Quint-it, por sinjale të qarta, siç thotë ai, janë dërguar edhe me emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
Maliqi, vlerëson se të gjitha këto janë shenja që vendet perëndimore, e në veçanti SHBA-ja, do të insistojnë që tema parësore e qeverisë së re, të paktën në vitin e ardhshëm, të jetë dialogu. Çështja e dialogut, sipas tij, mund të jetë edhe tema që do ta përcaktojë edhe koalicionin e mundshëm për formimin e qeverisë së re.
“Meqë tema parësore do të jetë dialogu, kjo do të jetë temë që ndoshta edhe e përcakton natyrën e koalicionit. E dyta, pastaj, meqë dialogu ose çfarëdolloj marrëveshjeje, nëse arrihet, do të kërkojë njëfarë lloj konsensusi më të gjerë, ndoshta do të shkohet edhe me ndonjë formë – por, kjo është shumë spekulative në këtë moment – që të zgjerohet, të jetë më gjithëpërfshirëse. Kushdo që të jetë në qeverinë e re, për shkak të përvojës së kaluar, duhet ta ketë parasysh që nuk mundet të shkojë të negociojë pa u siguruar që e ka një lloj shumice kushtetuese, nëse jo në qeveri, të paktën parapa procesit të dialogut”, theksoi Maliqi.
Ai ka theksuar se qeveria e re mund të shpëtojë nga kjo rrethanë vetëm për arsye të tjera të jashtme, që ndërlidhen me atë se cili do të jetë roli i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe a do ta trashëgojë shefi i zgjedhur i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell punën e paraardhëses së tij, Federica Mogherinit, si dhe zgjedhjet në Serbi, të cilat priten në pranverën e vitit të ardhshëm. Në të kundërtën, presioni ndërkombëtar ndaj saj do të jetë mjaft i madh, për rifillimin e dialogut dhe arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Politologu Tahiri, shpreh mendimin që dialogu do të jetë sfidë e paalternativë për Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Sipas tij, dialogu është detyrues për Kosovën dhe për Serbinë, për shkak se për këtë i obligon rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e 10 shtatorit të vitit 2010, të cilën e kishin propozuar 27 vende të Bashkimit Evropian.
“Qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveri e mendjes së hapur, qeveri që i respekton të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare. Si e tillë, duhet një qeveri, e cila nuk frikësohet të marrë vendime dhe e cila e ka autoritetin të marrë vendime. Në këtë rast, duhet të jetë qeveri, e cila që në javën e parë do të suspendonte taksën e institucioneve të Kosovës për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës”, vlerësoi Tahiri.
Marrë parasysh që çështja e dialogut me Serbinë dhe përfolja e opsionit të ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e mundshme, kanë krijuar rrethana që kanë çuar në ndërprerjen e dialogut, e më pas edhe arsye shtesë për rënien e qeverisë në Kosovë, analisti Maliqi vlerëson që nuk përjashtohet mundësia që situata të përsëritet.
“Në një kohë kur nuk e dimë se cila do të jetë përbërja e qeverisë dhe nuk e dimë se për çfarë lloj marrëveshje përfundimtare po flasim, është vështirë të parashikohet. Por, edhe nëse Qeveria e Kosovës ndoshta do të mund ta përballojë ndonjë presion dhe të mund t’i rezistojë bashkësisë ndërkombëtare, kjo do të jetë me kosto dhe pasoja afatgjate për Kosovën, në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare qoftë në Bruksel, qoftë në Uashington. Duket sikur ka një lloj përafrimi në bashkësinë ndërkombëtare në insistimin që Kosova të ecë përpara në dialog dhe Kosova mund të refuzojë pafundësisht, po me një kosto të lartë që nënkupton humbjen e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Maliqi.
Sidoqoftë, senatorët amerikan, Chris Murphy nga radhët e demokratëve dhe Ron Jonson nga radhët e republikanëve, kanë paralajmëruar se bashkë më një delegacion të Kongresit, gjatë kësaj jave do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur, siç kanë thënë, mbështetje për dialogun midis dy vendeve.