Ndërlidhjet

Kupchan: Çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave


Charles Kupchan.
Charles Kupchan.

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, Charles Kupchan, beson se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kupchan ka thënë se shkëmbimin e territoreve do ta përkrahte për arsye pragmatike.

“Unë besoj se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave, sidomos nëse do të ofronte një mundësi për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në një mënyrë do të përbënte problem për rajonin, pasi do të rikrijoheshin mundësi për vija kufitare në baza etnike, por të paktën është një mundësi për të tejkaluar këtë situatë bllokuese. Kjo do të kërkonte më pas mbështetjen e popullsisë në Kosovë dhe Serbi, tani shihet se nuk ka disponim për një gjë të tillë, sidomos në anën e Kosovës. Mirëpo mendoj se evropianët dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të tentojnë të shtyjnë përpara Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bisedimet, sepse duhet të ketë normalizim dhe Kosova, që është de fakto e pavarur, duhet të bëhet de jure e pavarur për të pasur paqe afatgjatë në Ballkan”, ka thënë Kupchan.

Sipas tij muaj më parë disponimi për të negociuar mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë ndryshe, mirëpo dialogu tani gjendet në rrugë qorre edhe për shkak të tarifës prej 100 për qind, që Qeveria e kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Ramush Haradinaj u ka vënë importeve nga Serbia.

...nëse do të ketë ndonjë një marrëveshje afatgjatë në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkak të shkëmbimit të territoreve, unë do ta përkrahja për arsye pragmatike.

“Ka qenë një kohë kur bisedimet në mes të presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi, kanë treguar shenja të përparimit, sidomos sa i përket çështjes së shkëmbimit të territoreve, ku disa pjesë në veri të Kosovës do t’i transferoheshin Serbisë dhe një pjesë e Luginës së Preshevës do të transferohej në Kosovë. Mirëpo ajo gjë duket se ka vdekur për shkak të kundërshtimeve të kryeministrit Haradinaj, një pjesë për shkak të kundërshtimeve nga Gjermania dhe palëve tjera evropiane, dhe tani jemi në një situatë kur ekziston një rrugë qorre, kryesisht për shkak të tarifave që Kosova ka vendosur.

I pyetur nëse ndonjë zgjidhje eventuale e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të përfshinte shkëmbim territoresh, do të përbënte precendent në vendet tjera të Ballkanit, Kupchan është përgjigjur kështu:

"Çështja e shkëmbimit të territoreve është shumë kontraverse dhe shumica e analistëve për Ballkanin besojnë se duhet larguar nga tavolina. Unë mendoj se duhet të jetë aty sepse nuk e shoh shkëmbimin e territoreve më të pakëndëshëm politikisht apo moralisht sesa ndarja e Kosovës nga Serbia, e që ka qenë rikrijim i kufijve përgjatë vijave etnike. Andaj nëse do të ketë ndonjë një marrëveshje afatgjatë në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkak të shkëmbimit të territoreve, unë do ta përkrahja për arsye pragmatike.

Por, po ashtu mendoj se është shumë e vështirë për Kosovën që të ecë përpara dhe të funksionojë si shtet demokratik kur ka një pjesë të territorit që nuk dëshiron t’i përkasë shtetit. Veriu i Kosovës ende ka lidhje të fuqishme me Serbinë, shumica e serbëve që jetojnë atje besojnë se nuk duhet të jetojnë brenda Kosovës, prandaj është një çështje e vështirë".

Por, a do të kishte rrezik të përhapjes së kësaj ideje?

Kupchan: Mendoj se ndoshta po. Mendoj se do të ketë individë, duke përfshirë vetë (liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad) Dodik, që do të thoshte se nëse veriu i Kosovës mund të shkëputet nga Kosova, atëherë pse Republika Srpska nuk mund të shkëputet nga Bosnja? Mirëpo sërish unë besoj se ana pozitive e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përbënte arsyetim, edhe pse ekziston mundësia e krijimit të trazirave në Bosnje dhe ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut, ku mund të ketë rritje të tensioneve në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve si pasojë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë në një pjesë të intervistës ai shprehet kështu:

Nëse përfshirja e veriut të Kosovës me Serbinë ndikon që ata (serbët) të kenë ndjenjën e kthimit të shtetit, ose aq sa për t’i shtyrë që ta njohin Kosovën si shtet, atëherë unë them se duhet të ndodhë kjo gjë. Sepse ky është hap tutje drejt paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.​

Ndryshim të kufijve? Shqiptarë e serbë në ankth
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:52 0:00

Cila është politika e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi?

Kupchan ka treguar gjatë intervistës se beson që çështjet e Ballkanit nuk janë prioritet i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump dhe se SHBA-ja nuk ka një politikë të qartë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Administrata Trump nuk i konsideron çështjet e Ballkanit si prioritet.

“Nuk besoj se ka një qëndrim të qartë të Qeverisë amerikane. Kam parë disa deklarata nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, që ka sugjeruar që nëse palët, pra Kosova dhe Serbia janë të gatshme të shkëmbejnë territore, atëherë Shtetet e Bashkura do ta përkrahnin këtë marrëveshje. Kam kuptuar se edhe ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka përkrahur ndonjë shkëmbim eventual të territoreve nëse palët do të pajtoheshin, mirëpo në anën tjetër ka shumë diplomatë amerikanë që kundërshtojnë këtë ide. Sinqerisht, mendoj se është e vështirë që të them se çfarë politike ka SHBA-ja në këtë pikë, ndonëse mendoj se nëse hiqen tarifat dhe rifillon dialogu mes Thaçit dhe Vuçiqit, atëherë ndoshta SHBA-ja mund të përfshihet më drejtpërdrejt në dialog dhe të tentojë të kujdestarojë ndonjë marrëveshje. Fakti që John Bolton në një pikë ka treguar përkrahje eventuale për shkëmbim territoresh, ka treguar se ai personalisht mund të përfshihet, nëse rrethanat e kërkojnë".

Kupchan ka thënë përveç tjerash, se në një situatë ideale do të duhej të kishte një diplomaci më energjike si amerikane ashtu dhe evropiane, kur është në pyetje Kosova dhe Serbia. Por, gjithsesi ai nuk është shumë optimist.

“Unë dyshoj se Shtetet e Bashkuara do të përfshihen më shumë sepse në përgjithësi presidenti (amerikan, Donald) Trump synon të zvogëlojë angazhimet dhe jo t’i rrisë ato. Administrata Trump nuk i konsideron çështjet e Ballkanit si prioritet. Ajo është e fokusuar më shumë se si të largohet nga Siria dhe Afganistani, para zgjedhjeve më 2020. Prandaj dyshoj se do të shihni një ekip të Trumpit të përfshirë drejpërdrejt dhe të marrë rol udhëheqës në këtë çështje, sepse e shoh që ata nuk e kanë prioritet. Pra topi është ende në anën e Bashkimit Evropian, një komisionar i ri do të jetë në detyrë deri në fund të vitit, Evropa është ende e fokusuar në Brexit, me çështje të imigrimit, andaj edhe Evropa mund të mos ketë energjinë dhe kapacitetin që duhet për t’u përballur me këtë çështje”, ka shtuar ai.

Si përfundon rrëfimi për mospajtimet Kosovë-Serbi?

Kupchan: Unë besoj se ne e dimë ku do të përfundojë ky tregim. Kjo çështje përfundon kur vendet e Ballkanit integrohen në institucione atlantike dhe do të përfundojë me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Pyetja është se sa kohë do të marrë për të arritur aty? Fatkeqësisht Serbia nuk po ndihmon në këtë proces duke anuar herë nga Bashkimi Evropian herë nga Rusia. Rusia manipulon me ndasitë në Ballkan për përfitime të saj. Ne e dimë se ajo ka tentuar të bllokojë integrimin e Malit të Zi në NATO, ka tentuar të bllokojë marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e dimë po ashtu se ka shfrytëzuar ndasitë në Bosnje, mirëpo në fund unë mendoj se vendet e Ballkanit do të shohin se e ardhmja do të jetë më e mirë nëse integrohen në BE sesa nëse lihen në harresë. Në mendjen time qarkullon pyetja se kur do të kemi një udhëheqës të guximshëm që do të marrë këto vendime të vështira.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG