Ndërlidhjet

Zyra e presidentit Thaçi: Dialogu ende s’ka hyrë në fazën finale


Pamje nga takimi i fundit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me shefen e BE-së, Federica Mogherini.
Pamje nga takimi i fundit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me shefen e BE-së, Federica Mogherini.

Pavarësisht thirrjeve të krerëve të institucioneve të larta të Kosovës për një unitet të spektrit politik për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk është arritur ende dhe për më shumë, lidhur me mundësitë e qasjes ndaj këtij dialogu, ekzistojnë kundërshti edhe ndërmjet vetë liderëve institucionalë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është shprehur i gatshëm për, siç ka thënë ai, “korrigjim të kufirit” në funksion të arritjes së një marrëveshjeje paqeje më Serbinë, nuk e ka marrë mbështetjen e gjithë spektrit politik.

Megjithatë, Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që në Kosovë ekziston konsensus i plotë lidhur se duhet të ketë dialog dhe se në fund të këtij procesi, Kosova të marrë njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Sipas tij, duhet gjetur mënyra se si të arrihen këto qëllime.

“Presidenti vazhdimisht flet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pra, një marrëveshje që sjell njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara, si dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nga e drejta e komuniteteve e kështu me radhë”, theksoi Arifaj.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdimësi ka kundërshtuar idenë e “korrigjimit të kufirit” apo ndryshimit të kufirit. Ditë më parë ai pati theksuar që “mund të ketë marrëveshje ligjore për njohje reciproke me Serbinë, por jo marrëveshje të bazuar në territor as në kufi”, sepse sipas tij, “ato janë kamuflazhe për ndarje të Kosovës”.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ditë më parë i ka thënë të përditshmes londineze Financial Times, që Serbia dhe Kosova janë larg nga arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pavarësisht gatishmërisë, siç është shprehur ajo, për bisedime lidhur me këmbimin eventual të territoreve.

“Nuk mund të thoni që para 10 vjetësh kemi qenë të gatshëm t’i ndryshojmë kufijtë, ndërkaq sot nuk mundemi të bisedojmë për ndryshim të kufijve”, ka thënë Bërnabiq për Financial Times.

Bërnabiq ka thënë që edhe nëse arrihet pajtimi për këmbim të territoreve, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për marrëveshje të paqes dhe se ajo “do të duhej të përfshijë edhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave, bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin afatgjatë të serbëve dhe shqiptarëve, mësimin e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, të kishave dhe manastireve”.

Një raund i ri i bisedimeve në Bruksel, i nivelit të lartë të përfaqësimit, ende nuk është ftuar nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila e ndërmjetëson dhe lehtëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Arifaj thotë që takimi i ardhshëm eventual i zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, nënkupton një fazë të re të dialogut.

“Nuk është më ajo faza e bisedimeve qoftë teknike, qoftë politike, kështu që edhe mënyra e organizimit të mbledhjeve, sigurisht që do të ndryshojë. Pra, ende nuk ka filluar ky dialog, kjo faza finale, në kuptim të takimeve në mes të dy delegacioneve. Se si do të bëhet, mbetet të përcaktohet”, tha Arifaj.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ende pa nisur, reflekton mjaft paqartësi.

“Ne kemi një mungesë të madhe të transparencës për sa i përket çështjes së çfarë do të përmbajë faza finale e dialogut Kosovë-Serbi. Nuk është e qartë se cilat janë temat që do të diskutohen apo janë duke u diskutuar. Ne e kemi një ide për çështjen e ‘korrigjimit të kufirit’. Kushtetuta e Kosovës i përcakton shumë qartë përgjegjësitë dhe detyrat e secilit institucion. Kushdo që e përfaqëson Kosovën në bisedime, duhet të shkojë në përputhje me atë çfarë e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, çështjet që mund të diskutohen dhe çështjet të parapara të mos diskutohen”, u shpreh Krasniqi.

Sidoqoftë, Krasniqi shton se mungesa e një konsensusi të spektrit politik në Kosovë lidhur me qasjen ndaj dialogut, si dhe për atë se kush do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces, do ta vë palën e Kosovës në pozitë të pafavorshme të bisedimeve eventuale, të cilat pritet të përfundojnë me një marrëveshje juridikisht obliguese për të dyja vendet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG