Ndërlidhjet

Mbi 90% e marrëveshjeve me Kosovën "nuk janë zbatuar nga Serbia"


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të procedojë për në seancë plenare raportin e qeverisë mbi dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi Dragusha, e lëshoi mbledhjen, ndërkaq deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, nuk mori pjesë në votim.

Për raportin votuan vetëm 5 anëtarë të komisionit nga 10 anëtarë sa gjithsej.

Në raportin e qeverisë për dialogun theksohet së ka pasur ngecje dhe vështirësi në zbatimin e pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se ky raport është më i detajuar sa i përket dialogut, krahasuar me raportet tjera paraprake, edhe pse, sipas saj, mungon analiza e marrëveshjes së vitit 2013, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, dokument i cili edhe është ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka pasur asnjëherë vlerësim nga ana e Kuvendit për tërë procesin e dialogut, i nevojshëm sidomos për këtë periudhë kur jemi në përmbyllje të tij. Si konkludim mund të themi se mbi 90 për qind e marrëveshjeve me Kosovën nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. Pra, nuk ka marrëveshje që ajo nuk e shkel së paku pjesërisht. Kjo flet mjaft sa i përket suksesit të këtij procesi”, tha Osmani.

Kjo, sipas saj, ka ndodhur për shkak të mosgatishmërisë nga ana e shtetit serb për t'i zbatuar këto marrëveshje dhe pikërisht për këtë shkak, ajo tha se duhet të përpilohen disa rekomandime nga ana e Kuvendit për Qeverinë për periudhën e ardhshme.

Deputetja e partisë në pushtet, AAK-së, Time Kadriaj, e vlerësoi të panevojshëm dërgimin në seancë plenare të këtij raporti, me arsyetimin se për dialogun është diskutuar disa herë.

“Nuk kemi nevojë ta dërgojmë në seancë plenare pasi dialogu është diskutuar në Kuvend. Ky është një raport informues dhe s’kemi nevojë as të shkojmë me rekomandime, as ta dërgojmë në seancë plenare”, deklaroi Kadriaj.

Raporti, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është dëshmia më e mirë e një procesi të dështuar negociator me Serbinë.

“Veç me një lexim të thjeshtë i nxjerr nja 50 dështime, defekte, mospërmbushje, ngecje, kryesisht obstruksione nga ana e Serbisë. Nëse doni të shihni çka ka ndodhur prej vitit 2011, ky nuk ka se si të quhet ndryshe, perveç proces krejt i dështuar”, u shpreh deputeti opozitar, Konjufca.

Pavarësisht dështimit që Komisioni për Punë të Jashtme ta procedojë këtë raport për në seancë plenare, deputetja Vjosa Osmani tha se do të jenë grupet parlamentare ose grupet e deputetëve që do të arrijnë ta dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit në mënyrë që të procedohet në seancë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG