Libra, piktura, punime artizanale dhe gjëra të tjera gjenden në listën e dhuratave që krerët e shteti kanë pranuar që nga pranimi i pozitave të tyre.
Radio Evropa e Lirë ka siguruar listat e dhuratave që presidentja, kryeministri dhe kryetari i kuvendit kanë pranuar deri më tani si dhe shpenzimet që këta liderë kanë pasur për reprezentacion.
Pranimi i dhuratave nga zyrtarët publikë rregullohet me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave.
Sipas këtij ligji, zyrtarët mund të pranojnë dhurata të rastit dhe dhurata protokollare. Këto të fundit duhet t’i mbesin institucionit.
Sipas dokumenteve zyrtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që nga marrja e mandatit në mars deri në fund të korrikut 2021, ka pranuar 23 dhurata.
Në tri raste ai ka pranuar kravata.
Ato iu sollën nga Nabil Alshamsi, ambasador jorezident i Emirateve të Bashkuara Arabe, nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim si dhe nga Ismail Hakki që tani është edhe zyrtar i lartë i protokollit në kabinetin e kryeministrit.
Dy palë mansheta për këmishë, kryeministrit Kurti iu dhuruan nga një komandant i KFOR-it si dhe Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.
Përveç këtyre, Kurtit iu dhuruan libra, stilolaps, pjata e gota dekoruese si dhe piktura.
Në dokumentet që Zyra e kryeministrit i ka dërguar Radio Evropës së Lirë, nuk ceket vlera monetare e këtyre dhuratave.
Sipas Zyrës së kryeministrit, shpenzimet e reprezentacionit (për dreka dhe darka zyrtare) të kabinetit të kryeministrit, Albin Kurti, prej marrjes së mandatit e deri më datën 19 korrik 2021 janë 6.781 euro.
Më poshtë gjeni listën e plotë të dhuratave të pranuara nga kryeministri:
Presidentja pranoi dhurata protokolare
Në kërkesën e njëjtë që iu parashtrua Zyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nga kjo zyrë kanë deklaruar se presidentja ka pranuar tetë dhurata.
Këto dhurata përfshijnë: Galata Tower në qelq, anije me vela dhe një portret në pjatë, vazo, piktura, punime në argjend si dhe pullë postare me portretin e presidentes.
Zyra e Presidentes nuk ka treguar vlerën monetare të këtyre dhuratave e as se kush ia ka dhuruar ato.
Megjithatë, ata kanë bërë të ditur se të gjitha këto dhurata do të mbesin në pronësi të Presidencës.
Në anën tjetër, sipas të dhënave zyrtare, që nga marrja e mandatit e deri më 25 gusht, presidentja Vjosa Osmani ka harxhuar 2.300 euro për reprezentacion.
Zyra e Presidentes ka treguar edhe darkat zyrtare për të cilat janë bërë këto shpenzime.
Kryetari i Kuvendit pa dhurata e pa reprezentacion
Në kërkesën për qasje në dokumente publike, Kuvendi i Kosovës ka thënë se nuk ka të deklaruar ndonjë dhuratë për kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufcën.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nga marrja e mandatit, mars 2021 dhe deri më tani, nuk ka pranuar asnjë dhuratë në vlerë mbi 50 euro që, sipas ligjit, duhet deklaruar”, thuhet në përgjigjen e kuvendit dërguar Radios Evropa e Lirë.
Sipas zyrës për media në kuvend, shpenzimet e reprezentacionit të kryetarit të kuvendit, për periudhën mars-gusht 2021 janë zero euro.
Ndërsa shpenzime të bufesë për delegacione janë 690 euro.
“Edhe pasqyra financiare e reprezentacionit të kabinetit të këshilltarëve të kryetarit është zero euro, meqë kanë hequr dorë nga reprezentacionet e tyre”, thuhet në përgjigjen nga Kuvendi i Kosovës.
Më shumë transparencë e kontroll mbi dhuratat për zyrtarët publikë
Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë është institucioni që merret me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë si dhe dhuratat që ata mund të pranojnë.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet transparencë më e madhe nga zyrtarët publikë lidhur me dhuratat që i pranojnë.
“I kushtojnë shumë pak vëmendje në raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Mendoj që duhet të ketë më shumë hapësirë pranimi i dhuratave që mënyrë që të kuptohet sa dhurata pranohen nga zyrtarët e lartë publikë, vlera e tyre dhe risku i korrupsionit dhe konfliktit të interesit”, tha Demhasaj.
Sipas Demhasajt, deklarimi i vlerës së saktë të secilës dhuratë është shumë e rëndësishme për të vlerësuar rrezikun për korrupsion.
“Mendoj që duhet të shikohet vlera e tyre. Një kravatë mund të jetë nga pesë euro ndoshta deri në 5.000 euro. Duhet të shihet arsyeja pse është dhënë.., duhet të ketë kontroll më të madh nga Agjencia Kundër Korrupsionit”, tha ai.
Nga Agjencia Kundër Korrupsionit thanë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2020, dy institucione kanë lajmëruar se kanë pranuar dhurata, përkatësisht, Zyra e presidencës - gjashtë dhurata dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës - 22 dhurata.
Në anën tjetër, në raportin e fundit të kësaj agjencie, për vitin 2019 thuhet se institucionet të cilat kanë dorëzuar kopjet e katalogut të dhuratave për vitin 2019 janë: Kuvendi i Kosovës një dhuratë; Zyra e kryeministrit 24 dhurata; Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren tetë dhurata dhe Kuvendi Komunal Rahovec një dhuratë.
Sipas ligjit që rregullon pranimin e dhuratave, “personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit”.
Facebook Forum