Ndërlidhjet

Dëmtohen ambasadat e Shqipërisë, Maqedonisë së V. dhe Malit të Zi nga sulmet ruse në Kiev


Pamje nga Kievi pas sulmeve ruse të 20 dhjetorit.
Pamje nga Kievi pas sulmeve ruse të 20 dhjetorit.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka bërë të ditur të premten se ambasadat e gjashtë shteteve, përfshirë ato të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, janë dëmtuar si pasojë e sulmeve ruse në Kiev.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se stafi diplomatik nuk është lënduar.

Në të njëjtën ndërtesë në Kiev kanë qenë ambasadat e këtyre tri vendeve, plus tri vendeve tjera.

Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, është thënë se "si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik".

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar. Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.

"Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dritaret e ambasadës janë dëmtuar si pasojë e shpërthimit të madh në afërsi.

“Në kohën e shpërthimit, stafi i ambasadës nuk ka qenë në ndërtesë. Askush nuk është plagosur”, ka thënë ministria malazeze.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se asnjë mision diplomatik nuk duhet të jetë kurrë në shënjestër.

“Ky është një tjetër sulm barbar i Rusisë kundër shënjestrave civile, që nuk tregon gatishmëri për paqe”, ka shkruar ajo në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.

Ndërkohë, autoritetet lokale në Ukrainë njoftojnë se të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë valës intensive nga bombardimet ruse që goditën Kievin bashkë me rajonin jugor të Hersonit.

Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë.


Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, Rusia hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev.

Bombardimet e së premtes në Ukrainë pasuan deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili të enjten propozoi "një duel të armëve të shekullit 21”, mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për të treguar fuqinë e raketës së re hipersonike balistike të Rusisë, të quajtur Oreshnik, për të cilën tha se nuk mund të shkatërrohet nga mbrojtjet ajrore të Perëndimit.

Zyrtarët perëndimorë i hedhin poshtë këto pretendime.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG