Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga veriu i Kosovës, ka ngritur dyshime dhe reagime për atë se si dhe në çfarë forme kanë dhënë betimin ata. Ceremonia e dekretimit dhe betimit, e mbajtur javën e kaluar, ishte e mbyllur për mediat dhe se e tillë vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme në Prishtinë dhe në Beograd.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha javën e kaluar se gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk e kanë bërë betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, porse kanë dhënë deklaratë të veçantë dhe neutrale.
“Që të keni informacione të sakta: gjykatësit tanë nuk kanë bërë kurrfarë betimi, por kanë dhënë një deklaratë të veçantë, neutrale ndaj statusit. E vërteta është e rëndësishme”, tha Brnabiq.
Për mënyrën sesi u informuan qytetarët lidhur me betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të veriut, deputetët e partive politike opozitare, kanë reaguar në Kuvendit e Kosovës, duke thënë se ata nuk janë betuar sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Deputetët opozitarë, pos tjerash kanë thënë se betimi i formës, siç e kanë thënë ata, të fshehë ka qenë marrëveshje e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Opozitarët kanë kërkuar nga Presidenca e Kosovës dhe një video incizim për të parë në detaje mënyrën e betimi të tyre.
Nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në një përgjigje me shkrim thanë se "procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit joshumicë, brenda sistemit tonë unik të drejtësisë, është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen për drejtësi. Në Kosovë tani e tutje funksionon vetëm një sistem unik i drejtësisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës", thuhet në përgjigjen e presidencën dërguar Radios Evropa e Lirë.
Gjyqtarët dhe prokurorët serbë që, siç thuhet, kanë dhënë betimin para Presidentit të Kosovës, përveç paraqitjes fizike ende nuk kanë filluar me punën e rregullt.
Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se sot prokurorët janë paraqitur në vendet e tyre të punë.
"Natyrisht ata kanë dalë në zyre, ta dinë kush në cilën zyre do të punojë. Janë duke i instaluar kompjuterët. Janë duke u kyçur në rrjetin zyrtar. I kanë pranuar kodet penale në gjuhën serbe. I kemi porositur në kompani kodet e procedurës dhe kodet për të mitur dhe aktualisht kjo është situata", tha Isufaj. Ai nuk ka dashur të flas për mënyrën sesi janë betuar prokurorët, por se si tha ai "prokurorët do të punojnë me ligjet e Kosovës".
Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, ishte arritur në shkurt të vitit 2015.
Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.