Ndërlidhjet

Prokurorët dhe gjyqtarët serbë japin betimin para presidentit Thaçi


Ceremonia e betimit
Ceremonia e betimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komunitetet jo shumicë, kryesisht të përkatësisë serbe nga veriu i Kosovës.

Pas ceremonisë së betimit, Zyra për Informim e Presidentit njofton se Thaçi ka uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ”, ka theksuar presidenti.

Ai ka thënë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës. Sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial të funksionojë sa më mirë.

“Në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetje edhe nga miqtë tonë ndërkombëtarë, të cilët i falënderojmë. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi, pa marrë parasysh dallimin e tyre gjinor, racor, fetar e kombëtar”, ka shtuar presidenti.

Ai ka mirëpritur gatishmërinë prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë për t'u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

“Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Integrimi i gjyqësorit në veri ndërlidhet me zbatimin e Marrëveshjen për Drejtësi, të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Me aktin e betimit bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Në ceremoninë e betimit kanë marrë pjesë dhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe misionit të EULEX-it.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG