Ndërlidhjet

Kush ishte Silvio Berlusconi?


AP

Mediat italiane kanë raportuar se miliarderi Silvio Berlusconi, personazh i fuqishëm në media, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Pavarësisht skandaleve të tij rreth ndejave private dhe akuzave për korrupsion, Berlusconi ishte kryeministri më jetëgjatë i Italisë.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve LaPresse, Berlusconi vdiq pasi u shtrua në spital për herë të dytë brenda muajit, të premten për trajtimin e leukemisë së vazhdueshme.

Sipas mjekut të tij personal, Dr. Alberto Zangrillo, Berlusconi u shtrua në një spital në Milano më 5 prill për shkak të një infeksion në mushkëri. Përveç kësaj, ai pati probleme me zemrën, kancerin e prostatës dhe ishte hospitalizuar gjatë pandemisë COVID-19.

Një ish-këngëtar që performonte në anijet turistike, Berlusconi filloi karrierën e tij të gjatë politike duke shfrytëzuar rrjetet e tij televizive dhe pasurinë e tij, çka bëri që në të njëjtën kohë të fitonte besim dhe urrejtje.

Kryeministër i Italisë përgjatë tri mandateve, Berlusconi u konsiderua nga mbështetësit si një politikan i aftë dhe karizmatik që synonte të avanconte Italinë në skenën ndërkombëtare. Për kundërshtarët e tij, ai ishte një populist që kërcënoi të shkatërronte demokracinë duke përdorur ndikimin politik si një mjet për të rritur pasurinë e tij personale dhe interesat e tij tregtare.

Pavarësisht se nuk kishte asnjë pozicion zyrtar në qeveri, partia e tij politike Forza Italia ishte në koalicion me kryeministren aktuale, Giorgia Meloni, një politikane e ekstremit të djathtë që e mori detyrën vitin e kaluar.

Meloni, një admiruese e zjarrtë e Ukrainës, nuk u pajtua me Berlusconin për shkak të lidhjes së tij me presidentin rus, Vladimir Putin. Putini i dërgoi Berlusconit urime dhe vodka për ditëlindjen e tij të 86-të, ndërkohë që konflikti ishte ndezur dhe italiani mburrej se e shpërbleu favorin duke ia kthyer verën italiane.

Disa talleshin me rrezitjen e lëkurës, transplantin e flokëve dhe të dashurat e Berlusconit, të cilat ishin dekada më të reja sesa ai. Pavarësisht skandaleve të tij personale, Berlusconi u shfaq i paprekshëm për një kohë të gjatë.

Në sistemin e drejtësisë së vonuar të Italisë, çështjet penale u ngritën, por u hoqën kur skadonte afati i parashkrimit ose kur ai fitonte një apel.

Ndejat private të quajtura "bunga bunga", ku ishin të përfshira gra të reja dhe vajza të mitura, ishin në qendër të hetimeve, ashtu si edhe bizneset e tij, ku përfshiheshin ekipi i futbollit AC Milan, tri rrjetet më të mëdha televizive private në vend, revista dhe një gazetë e përditshme, si dhe kompani reklamash dhe filmash.

Vetëm një rast rezultoi në një dënim; për evazion fiskal dhe shitje të të drejtave të filmit brenda “perandorisë” së tij të koorporatave. Vendimi u la në fuqi në vitin 2013 nga gjykata më e lartë penale e Italisë, por për shkak të moshës së tij të shtyrë – 76 vjeç– atij iu kursye koha e burgut dhe iu kërkua të kryente punë vullnetare me personat e prekur me sëmundjen Alzheimer.

Sipas legjislacionit kundër korrupsionit, ai megjithatë u hoq nga pozita si senator dhe iu ndalua për gjashtë vjet të kërkonte ose të mbante poste publike.

Ai mbeti në krye të partisë së qendrës së djathtë, Forza Italia, të cilën e themeloi në vitet 1990 dhe thirri pas këngës së futbollit "Let's Go, Italy". Pa asnjë pasardhës të rregulluar, votuesit filluan ta braktisnin atë.

Pas një kohe, ai u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian në moshën 82-vjeçare dhe më pas në Senatin italian.

Partia e Berlusconit si forca dominuese në të djathtën politike të Italisë u zbeh: së pari nga Liga, e udhëhequr nga populisti anti-migrant Matteo Salvini, më pas nga partia Vëllezërit e Italisë e Melonit, me rrënjët e saj në neofashizëm. Pas zgjedhjeve të vitit 2022, Meloni formoi një koalicion qeverisës me ndihmën e tyre.

Ai, gjithashtu, përjetoi edhe situata jo të këndshme. Berlusconi humbi pozitën e tij si njeriu më i pasur i Italisë, por zotërimet e tij të mëdha mediatike dhe pasuritë e paluajtshme luksoze ende e mbanin atë miliarder.

Një valltare e mitur nga Maroku, e cili, sipas autoriteteve, kishte kryer marrëdhënie seksuale me Berlusconin në këmbim të parave dhe bizhuterive, ishte mes të pranishmëve në një nga festat private të tij në vitin 2013. Një gjykatë në Milano fillimisht e shpalli Berlusconin fajtor për këtë dhe përdorimin e zyrës së tij në përpjekje që ta mbulojë atë pas një dosje përplot dëshmi të mbushura me detaje grafike. Të dyja palët mohuan të kenë pasur marrëdhënie dhe ai u shpall i pafajshëm.

Unë e dua jetën dhe gratë".
Silvio Berlusconi

Kisha Katolike, në disa raste dashamirëse e politikës së tij konservatore, u indinjua nga veprimet e tij si dhe gruaja e tij prej gati 20 vjetësh u shkurorëzua nga ai. Por, Berlusconi nuk ndryshoi, duke thënë: "Unë nuk jam shenjtor".

Berlusconi këmbënguli se votuesit ishin të impresionuar nga guximi i tij fyes.

"Shumica e italianëve në zemrat e tyre do të donin të ishin si unë dhe ta shihnin veten tek unë dhe në mënyrën se si sillem", tha ai në vitin 2009, gjatë mandatit të tij të tretë dhe të fundit si kryeministër.

Mandati i tij i dytë, nga viti 2001 deri në 2006, konsiderohet të ketë qenë më i miri i tij, sepse ai u bë kreu më jetëgjatë i shtetit në Itali në atë kohë dhe ngriti profilin e tij ndërkombëtar falë miqësisë së tij me ish-presidentin Xhorxh W. Bush të Shteteve të Bashkuara. Berlusconi mbështeti pushtimin e Irakut nga Amerika, duke sfiduar opinionin, si në vend, ashtu edhe në Evropë.

Si një biznesmen që kuptoi rëndësinë e imazhit, Berlusconi ishte pionier i fushatave politike të stilit amerikan, të kompletuara me konventa të mëdha partiake dhe reklama të shkëlqyeshme, duke u thyer me botën e zymtë të politikës italiane, në të cilën votuesit më së shumti zgjodhën partitë sesa kandidatët. Konkurrentët e tij duhej të përshtateshin me këtë.

Vite pas rënies së Murit të Berlinit, Berlusconi besonte se mund ta shpëtonte Italinë nga siç e quajti ai, kërcënimi komunist. Që nga fillimi i karrierës së tij politike në vitin 1994, ai është paraqitur si objektiv i një gjyqësori që, sipas tij, është i mbushur me mbështetës komunistë. Ai këmbënguli të ishte i pafajshëm në çdo kohë.

Berlusconi e përshkroi Lëvizjen anti-themeluese 5-Yjet, si kërcënimin më të keq se komunizmi.

Miqësia e tij e ngushtë me liderin veteran socialist dhe ish-kryeministrin Bettino Craxi, shpesh vlerësohet se e ka ndihmuar atë të bëhet një manjat mediatik. Megjithatë, Berlusconi e pozicionoi veten si një lider i vetë-krijuar, duke deklaruar: "Formula ime e suksesit gjendet në katër shkronja: punë".

Ai mburret me libidon e tij dhe pret miq dhe liderë ndërkombëtarë në vilat e tij. Gazetat shkruanin se në një mbledhje, gratë ishin të veshura si "Babagjyshët e vegjël". Një grup tjetër fotografish tregonte gra dhe burra të zhveshur të shtrirë pranë pishinës.

"Unë e dua jetën dhe gratë!", deklaroi një Berlusconi në vitin 2010.

Ai i zgjidhte herë pas here yjet televizive për postime në festën e tij në Forza Italia. "Nëse nuk do të isha i martuar, do të martohesha me ty menjëherë", thuhet se i tha Berlusconi më 2007 Mara Carfagnas, e cila më vonë u bë ministre e kabinetit. Gruaja e Berlusconit kërkonte nga ata t’i kërkonin falje.

Në anijen e tij turistike, Berlusconit i pëlqente të kompozonte dhe të këndonte këngë napolitane. Ashtu si miliona italianë, ai kishte një pasion për futbollin dhe shpesh ishte në tribunat e AC Milan.

Presidenti i AC Milan, Silvio Berlusconi, mbahet nga lojtarët e Milanit pasi fitoi kampionatin italian të vitit 1988 në stadiumin San Siro të Milanos, Itali.
Presidenti i AC Milan, Silvio Berlusconi, mbahet nga lojtarët e Milanit pasi fitoi kampionatin italian të vitit 1988 në stadiumin San Siro të Milanos, Itali.

Ai nxiti zemërimin pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se qytetërimi perëndimor ishte superior ndaj Islamit.

Si përgjigje ndaj kritikave nga një ligjvënës gjerman në Parlamentin Evropian në vitin 2003, Berlusconi e krahasoi rivalin e tij me një roje në një kamp përqendrimi. Vite më vonë, kur ai i lidhi problemet ligjore të familjes së tij me atë që mund të kenë kaluar hebrenjtë në Gjermaninë naziste, ai ngjalli edhe më shumë zemërim.

Berlusconi lindi në Milano më 29 shtator 1936, si fëmijë i një bankieri të klasës së mesme. Ai shkroi tezën e tij ligjore në lidhje me reklamat për të marrë diplomën e tij. Në moshën 25-vjeçare, ai themeloi një biznes ndërtimi dhe, si pjesë e bumit të ndërtimit të pasluftës, ndërtoi objekte me apartamente për familjet e klasës së mesme në periferi të Milanos.

Por, media ishte burimi kryesor i pasurisë së tij. Ai krijoi një rrjet de facto ku stacionet lokale transmetonin të gjithë të njëjtën përmbajtje me qëllim që të kalonin monopolin televiziv shtetëror të Italisë RAI në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980. Rreth 90 për qind e tregut kombëtar kontrollohej nga RAI dhe rrjeti i tij Mediaset më 2006.

Kur sistemi politik që kishte sunduar Italinë e pasluftës u shkatërrua nga skandalet e korrupsionit "Duart e Pastra" të viteve 1990, Berlusconi themeloi Forza Italia në vitin 1994.

Fotografi e Berlusconit në prill të vitit 2022.
Fotografi e Berlusconit në prill të vitit 2022.

Në vitin 1994, administrata e tij e parë u shpërbë pas tetë muajsh kur një mbështetës dhe udhëheqës i një partie anti-imigruese u tërhoq. Megjithatë, Berlusconi fitoi në vitin 2001 falë një fushate agresive që përfshinte postime masive të periodikëve me shkëlqim që përshkruanin historinë e tij të suksesit.

Ai mbajti pushtetin për pesë vjet, duke riorganizuar herë pas here kabinetin e tij, duke thyer rekordin e Italisë për presidentin më jetëgjatë. Nuk ishte e lehtë.

Një samit i G8-ës, që ai priti në Genova në vitin 2001, u dëmtua rëndë nga demonstratat e dhunshme kundër globalizimit dhe vdekja e një protestuesi që u qëllua nga një polic. Berlusconi u përball me kundërshtime të ashpra të brendshme dhe i largoi disa aleatë duke dërguar 3000 trupa në Irak pas përmbysjes së Sadam Huseinit në vitin 2003. Për një kohë, Italia ishte kontingjenti i tretë më i madh në koalicionin amerikan.

Ai u akuzua shpesh për ndryshimin e ligjeve për të përfituar bizneset e tij ose për ta mbrojtur veten, por ai tha se sillej gjithmonë në interesin më të mirë të të gjithë italianëve. Kundërshtarët e tij pretenduan se legjislacioni i miratuar gjatë mandatit të tij si kryeministër i dha Berlusconit mundësinë e përsosur për të pasur sukses duke u mundësuar zyrtarëve të zotërojnë kompani mediatike, por jo t'i drejtojnë ato.

Si një admirues i kryeministres britanike, Margaret Thatcher, dhe presidentit amerikan, Ronald Reagan, Berlusconi miratoi reforma që liberalizuan kryesisht sistemin e punës dhe të pensioneve, dy nga më të ngurta në të gjithë Evropën. Një mik i ngushtë i Putinit, ai vizitoi shpesh presidentin rus, veçanërisht në Krime në vitin 2014, pasi Moska kishte pushtuar me forcë gadishullin.

Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas), dhe ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, më 12 shtator 2015 në Krime.
Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas), dhe ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, më 12 shtator 2015 në Krime.

Me ekonominë që nuk po përjetonte rritje, ndërsa një deficit buxhetor në rritje më 2006, Italia u tall si "e sëmura e Evropës" dhe Berlusconi humbi zgjedhjet e përgjithshme me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit Romano Prodi, që kishte shërbyer më parë si president i Komisionit të Bashkimit Evropian.

Ai u rikthye në vitin 2008 për të shërbyer në mandatin e fundit si kryeministër. Mirëpo, ky mandat mori fund papritur në vitin 2011, kur tregjet financiare humbën besimin në aftësinë e tij për të parandaluar që Italia t'i nënshtrohej krizës së borxhit sovran në eurozonë. Për lehtësimin e fuqisë ekonomike të Gjermanisë, Berlusconi dha dorëheqjen me ngurrim.

Me kalimin e viteve, gjendja e tij u rëndua nga problemet shëndetësore. Në vitin 1997, ai iu nënshtrua një operacioni kundër kancerit të prostatës. Ai humbi vetëdijen gjatë një fjalimi në nëntor të vitit 2006; muajin tjetër, ai fluturoi për në Shtetet e Bashkuara dhe iu nënshtrua një operacioni me stimulues kardiak në klinikën Cleveland. Në vitin 2016, ai iu nënshtrua një operacioni tjetër në zemër.
Një skulpturë e katedrales së Milanos iu hodh Berlusconit gjatë një ngjarjeje politike në vitin 2009 nga një kalimtar i rastësishëm, duke i thyer hundën, dy dhëmbë dhe ia lëndoi nofullën.

Berlusconi ishte martuar për herë të parë në vitin 1965 me Carla Dall'Oglio, me të cilën kanë dy fëmijë, Marina dhe Piersilvio. Ata ishin të përgatitur për të mbajtur poste të larta në perandorinë e tij të biznesit. Ai u martua me gruan e tij të dytë, Veronica Lario, në vitin 1990 dhe kanë tre fëmijë bashkë, Barbara, Eleonora dhe Luigi.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG