Ndërlidhjet

Adebahr: BE dëshiron marrëveshje Kosovë - Serbi para pranverës së vitit të ardhshëm


Diplomatët botëror në Forumin Evropian Alpbach në Austri
Diplomatët botëror në Forumin Evropian Alpbach në Austri

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve territoriale përfshin edhe vende tjera dhe jo vetëm Kosovën dhe Serbinë prandaj duhet dëgjuar se çfarë mendojnë ata për këtë çështje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Cornelius Adebahr, ekspert i politikës së jashtme të BE-së, pranë Qendrës për Hulumtime Politike, Carnegie Europe.

Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet para pranverës së vitit të ardhshëm, përderisa thekson se gatishmëria për njohje e pesë vendeve të BE-së varet nga vlerësimi i tyre për marrëveshjen mes dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian tashmë ka vënë disa afate siç është viti 2025 për integrimin e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, megjithatë ekzistojnë ndasi në kuadër të BE-së për këtë çështje. Së fundi, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se integrimi duhet të shtyhet për shkak të problemeve me BREX-it. Edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron nuk ka shfaqur entuziazëm për anëtarësim të shpejtë të këtyre vendeve. Si mund të reflektojë kjo në Ballkanin Perëndimor?

Cornelius Adebahr: Nuk ekzistojnë afate për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por vetëm kritere ekonomike dhe politike. Këto duhet të plotësohen nga vendet kandidate dhe nuk është ndonjë fshehtësi që këto kritere janë bërë më të ashpra që nga zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, ashtu siç rregulloret e BE-së janë bërë më komplekse.

Pra, pikërisht pse apetitet për anëtarësime të reja janë të ulëta në disa vende anëtare, dhe menaxhimi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja është një presion dhe shqetësim kryesor, është qenësore që vendet aspiruese të zbatojnë kushtet e nevojshme. Në fund të fundit reformimi i sistemit të tyre politik dhe ekonomik karshi standardeve të BE-së është në interesin e tyre, pavarësisht se kur mund të anëtarësohen në BE.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju përparimin që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE?

Cornelius Adebahr: Përparimi ka qenë i ngadalshëm në shumicën e vendeve dhe shumë më i ngadalshëm në të tjerat. Janë raportet e rregullta të Komisionit Evropian që japin më shumë detaje në këtë drejtim dhe tashmë është fshirë fjala “progres” nga titujt e këtyre raporteve.

Rusia, Turqia dhe Kina drejt Ballkanit Perëndimor

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, tha para Parlamentit Evropian se aktorë tjerë mund të shtrijnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor nëse BE-ja e lë atë pas dore. Nga kush rrezikohet Ballkani sipas jush në rast se vazhdojnë shtyrjet e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE?

Cornelius Adebahr
Cornelius Adebahr

Cornelius Adebahr: E përsëris, nuk është Bashkimi Evropian ai që shtyn afate të anëtarësimeve të mundshme të vendeve të rajonit, por janë pikërisht këto vende që nuk janë ende të gatshme për anëtarësim. Të theksojmë se BE-ja është e vetëdijshme se Rusia, Turqia dhe Kina janë vende që në nivele të ndryshme, kanë bërë oferta për Ballkanin Perëndimor që duken atraktive për politikanë ose qytetarë apo për të dy bashkë.

Megjithatë, asnjë nga këta aktorë nuk mund të ofrojë perspektivë të një mbështetje afatgjate përmes anëtarësimit, dhe as ndihmë financiare të krahasueshme. Pra “të mos neglizhohet Ballkani” është njëri aspekt, dhe tjetri aspekt është të pranosh vendet të reja anëtare para kohe që në fakt është veprim i pamatur.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim me rritjen e ndikimit turk në rajonin e Ballkanit. Tregtia mes Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë ka shënuar rritje prej 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë gjatë vitit 2016. Cili është interesi kryesor i Turqisë, por edhe i Rusisë dhe Kinës për shtrirje të ndikimit në Ballkan sipas jush?

Cornelius Adebahr: Rritja e tregtisë është e mirë për rajonin, e cila padyshim nuk duhet të mbështetet vetëm në të bërit biznes me Bashkimin Evropian. Megjithatë, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së duhet të përvetësojnë rregullat e qasjes në treg, transparencën, sundimin e ligjit dhe kështu me rradhë. Kjo do të ndihmonte në të bërit e dallimit midis biznesit të mirë dhe të keq pavarësisht se nga cili vend vjen.

Radio Evropa e Lirë: Me 30 shtator në Maqedoni mbahet referendum për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ditëve të fundit kemi parë vizita shumë të larta të përfaqësuesve të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në këtë shtet për t’i dhënë shtytje votës pozitive në këtë referendum. Sa ka rëndësi ky referendum për rajonin?

Cornelius Adebahr : Zgjidhja e “çështjes së emrit” përmes kompromisit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do të dërgonte një sinjal të fuqishëm në tërë rajonin, do të zhbllokonte rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe NATO dhe gjithashtu do të shërbente si shembull i zgjidhjes së negociuar të mosmarrëveshjeve. Dështimi i këtij procesi, qoftë në referendumin e këtij muaji ose në ratifikimin më vonë nga ana e Athinës, do të ishte një kthim i madh mbrapa. Kjo është arsyeja pse aktorë evropianë po i japin mbështetje të tillë kompromisit.

Të konsultohen edhe vendet e rajonit për ndryshim të kufijve

Radio Evropa e Lirë: Një proces tjetër i rëndësishëm në Ballkan janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Së fundi ka dalë në sipërfaqe edhe ideja e ndryshimit të kufijve si zgjidhje afatgjate. Cili është vlerësimi juaj?

Cornelius Adebahr: Siç është rasti me çështjen e emrit (Shkup-Athinë), nëse të dyja vendet i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes kompromisit, kjo do të duhej, në parim të gjente mbështetje. Megjithatë bën dallim nëse po bëni përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin, që kryesisht shqetëson vetëm dy vende, apo nëse po provoni të zgjidhni mosmarrëveshje territoriale që i përfshin edhe vendet tjera. Përgjatë historisë së ish-Jugosllavisë dhe po ashtu nga luftërat e viteve 90-ta, kjo çështje nuk është shqetësuese vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

“Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën”

Radio Evropa e Lirë: Mirëpo, jo të gjithë e përkrahin një ide të tillë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë vija të kuqe përderisa Gjermania, por edhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur hapur kundër ndryshimit të kufijve? Si e vlerësoni këtë?

Cornelius Adebahr: Deri vonë ka ekzistuar një konsensus ndërkombëtar për të mos ndryshuar kufijtë ekzistues. Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën. Megjithatë pas argumentit tim të mëparshëm duhet të them se nuk është vetëm çështje se çfarë mendojnë fuqitë perëndimore, por gjithashtu se si vendet fqinje që nga – Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe deri të Bullgaria dhe Greqia - i shohin rezultatet e mundshme të këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Kur prisni që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare? A i siguron ajo Kosovës njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe anëtarësim në OKB, siç po shpresojnë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës?

Cornelius Adebahr: Për arsye të kuptueshme, autoritetet e BE-së do të dëshironin të shihnin një përfundim para pranverës së ardhshme, kur mbaron mandati i tanishëm i Komisionit Evropian. Kjo pasi tranzicioni pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian konsumon shume kohë dhe energji.

Plus që Brukseli do të dëshironte disa lajme të mira pas largimit të Britanisë së Madhe nga blloku në fund të marsit të vitit 2019. Gatishmëria e pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën varet se si ata e vlerësojnë marrëveshjen e arritur, bazuar në shqetësimet e tyre të brendshme. Pra ne mund ta rrisim listën e vendeve mendimet e të cilave duhet të dëgjohen, siç janë këto pesë vende.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG