Ndërlidhjet

Thaçi: Korrigjimi i kufijve siguron njohjen nga Serbia


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë konferencës për media.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë konferencës për media.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të martën se vetëm marrëveshja paqësore për ndryshim të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, i siguron Kosovës njohjen formale nga Serbia, bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës si dhe i hap rrugë të sigurt Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij kjo marrëveshje nënkupton edhe njohje të reja.

Thaçi: NATO nuk mund ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Thaçi i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media, duke shtuar se në rast se arrihet një marrëveshje paqësore, e njëjta do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare çka sipas tij kontribuon edhe në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës. Po e përsëris edhe njëherë, korrigjim i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura të cilat do të njihnin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra, kurdo që do të ndodhë marrëveshja paqësore Kosovë- Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Thaçi.

Thaçi ka thënë se nuk beson që dikush do t'i bëjë presion shtetin të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“E kam obligim t’iu them të vërtetën e plotë nga e cila varet ardhmëria e vendit. Në këtë kontekst mund të them, që askush nuk bën të shpresojë në Kosovë, por edhe jashtë që, Aleanca veri- atlantike apo kushdo qoftë, do të detyrojë me forcë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nuk e besoj se Këshilli i Evropës gjithashtu do të rrisë sanksione ndaj Serbisë për të njohur Kosovën” ka thënë ai.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011 në Bruksel, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve midis dy shteteve.

Ideja për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është proklamuar nga presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si zgjidhje e mundshme që do të ofronte një marrëveshje paqeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se do ta mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen të dy vendet, derisa Gjermania dhe Britania e Madhe, janë shprehur kundër kësaj ideje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG