Ndërlidhjet

Vuçiq kundërthënës, debat për njohje apo ndarje të Kosovës? 


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Përmes ftesës për një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, të cilën e ka bërë kryetari serb Aleksandar Vuçiq, ky i fundit po përpiqet të marrë mbi vete obligimin historik dhe politik, që çështjen e Kosovës ta zgjidhë në interes të dy popujve, shqiptar dhe serb, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, po ashtu shqiptarë dhe serbë. Ndonëse nismën e Vuçiqit ata e shohin si pozitive, për faktin se opinioni në Serbi do të duhej të ballafaqohej me realitetin aktual, megjithatë, vlerësojnë se ky veprim i Vuçiqit është mjaft i vonuar.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidenti serb Vuçiq nuk është i obliguar detyrimisht që ta hapë një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, për shkak se sipas tij, nuk ka asnjë sinjal se ka marrë ndonjë premtim nga Bashkimi Evropian se mund të përfitojë nga kjo. Siç thotë Tahiri, nëse dialogu në Serbi për Kosovën do t’i qasej fakteve reale, atëherë presidenti serb do të arrinte në situatën që do ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e vendit.

Do ta njoh pakon e Ahtisaarit, si dokument ndërkombëtar dhe mbi Kushtetutën e Kosovës, si dokument themelor për të drejtat e serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë, si dhe do të zhvillojë marrëdhënie normale me Kosovën, si shtet fqinj. Nuk shpresoj që do të ketë rivlerësim të marrëdhënieve dhe as shkëmbim të territoreve dhe as marrëveshje të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta shkelte ose nuk do ta respektonte Pakon e Ahtisaarit”, thotë Tahiri.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se është mirë që presidenti serb Vuçiq, ndonëse vonë, më në fund është kujtuar të hapë një dialog të tillë të brendshëm në Serbi. Megjithatë, sipas tij, ideja e Vuçiqit, përveç në strukturat e pushtetit, nuk ka ndonjë mbështetje entuziaste te opozita, por as te institucionet tjera, sikurse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Kjo, sipas tij, për faktin se janë humbur mjaft raste deri më tash që të arrihet një zgjidhje, përfshirë edhe dokumentin e Ahtisaarit.

Të gjitha këto nxisin dyshime tek të gjithë faktorët politik dhe tek ata të cilët i fton Vuçiqi për dialog dhe të bisedojnë lidhur me këtë çështje. Mendoj se ky është tentim që zoti Vuçiq ta bartë përgjegjësinë edhe tek disa të tjerë dhe mendoj se ai është krejtësisht i vetëdijshëm për një situatë të tillë”, tha Nojkiq.

Por, a përmbajnë deklaratat e Vuçiqit dhënë medieve serbe lidhur me dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën, pretendime për ndonjë ndarje eventuale ose shkëmbim territoresh?

Në një shkrim autorial për një media të Beogradit, Vuçiq ka thënë se “duhet provuar që të jemi real dhe të mos lejojmë që të humbasim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që kemi, por edhe të mos presim se do të na kthehet në dorë ajo që e kemi humbur kaherë”.

Politologu Tahiri vlerëson se Vuçiq ka shprehur bindjen se duhet respektuar realiteti pa zgjidhje të imponuara.

Pikërisht, duke e respektuar realitetin, realiteti është ky që Kosova është shtet i pavarur, pa ndryshim të kufijsh dhe pa këmbim territoresh. Unë mendoj se ky do të jetë vizioni dhe ky do të jetë mësimi i Vuçiqit. Por, këtë duhet ta imponojë në Serbi, në diskutim me faktorët e Serbisë dhe të shpresojmë që kjo do të jetë edhe platforma përfundimtare e popullit serb dhe e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, si dhe për raportet me popullin shqiptar në Ballkan”.

Ndërkaq, Nojkiq, i quan kundërthënëse dhe pa bazë reale deklaratat e Vuçiqit.

Këto janë konstatime krejtësisht kundërthënëse, në njërën anë ‘nuk do ta japim’, e në anën tjetër ‘nuk mund ta kemi atë që e kemi humbur’. E shoh se po insistohet mjaft për këtë ndarje. Por, ndarja është krejtësisht e papranueshme në këto kushte, sepse, para së gjithash, unë jam krejtësisht i sigurt që një konstatim i tillë nuk e ka pajtimin dhe mbështetjen e asnjë anëtari të bashkësisë ndërkombëtare, që janë mjaft të rëndësishme. Ai vetëm po lason balona provues në mënyrë që ta shohë se në cilin drejtim do t’i orientoj bisedimet”, tha Nojkiq.

Sidoqoftë, dialogu i brendshëm i Serbisë për Kosovën, sipas njohësve të zhvillimeve politike është çështje vetëm e Serbisë. Ndërkaq, sipas tyre, Kosova duhet ta presë vetëm rezultatin e këtij dialogu, cila do të jetë platforma që do të dalë nga ky dialog dhe kush do të jetë pjesë e saj dhe përballë kësaj ta ndërtojë qëndrimin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG