Drejtuesi i autobusit të Kosovës, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e rëndë në Sllavonski Brod të dielën, të hënën u mor në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit.
Atij i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare, dhe ai është mbrojtur në heshtje, u ka thënë gazetarëve, zëvendës-Prokurori i Shtetit për qarkun në Sllavonski Brod, Franjo Kopuniq.
“Nuk e morëm mbrojtjen e tij. Do të merret një vendim mbi hetimin. Pas kësaj do të propozohet paraburgimi, mbi të cilën do të vendoset nesër”, tha ai.
Pasi është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit, ai është kthyer në mbajtje.
Autorietet kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në anën jugore të autostradës në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.
Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.
Për pasojë, autobusi më pas është përplasur.
Shoferi i autobusit do të dalë sërish para prokurorisë, të martën në orën 09:00, ku do të vendoset për paraburgim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha se 26 persona janë në proces të lirimit nga spitali, 15 të tjerë, që janë në gjendje stabile, do të vazhdojnë trajtimin mjekësor në Sllavonski Brod. Ndërsa, njëri nga pacientët është në gjendje kritike.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Sllavonski Brod, Josip Samarxhiq tha se "dy pacientë me rrezik për jetën janë ende në njësitë e kujdesit intensiv dhe gjendja e tyre po monitorohet nga afër dhe i nënshtrohet metodave të kujdesit intensiv".
"Dje, në orët e paradites, shtatë operacione u kryen te të lënduarit e aksidentit të djeshëm të trafikut, ndërsa gjatë ditës, 20-25 pacientë do të lirohen për trajtim në shtëpi ", tha Samarxhiq më herët gjatë së hënës.
Të dielën, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.
Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.
Në pansionin, që ka pranuar udhëtarët që nuk kanë qenë të lënduar nga aksidenti, janë 15 persona.
Autoritetet kroate thanë të hënën se identiteti i tetë viktimave nga aksidenti me autobus në Kroaci tashmë është konfirmuar kurse për dy të tjerë po vazhdon procesi i identifikimit, sipas policisë në Kroaci.
Gjini: Pesë të vdekur dhe dy të lënduar janë nga Gjakova
Komuna e Gjakovës është rajoni nga ku vijnë gjysma e viktimave të aksidentit në Kroaci.
Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pesë të vdekur janë nga Gjakova si dhe dy të lënduar rëndë.
Sipas Gjinit, komuna ka formuar një ekip që është në kontakt edhe me familjarët lidhur me informacionin për varrosjen e të vdekurve në aksident.
“Familjarët i kam vizituar, por nuk kemi ndonjë informacion se kur pritet kthimi i viktimave. Shumë shpejt do të dalim me një raport [lidhur me çështjen e varrimit të viktimave]”, tha Gjini.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se në organizim e sipër është udhëtimi për në Kosovë i të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë.
“Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm, do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, tha po ashtu Gërvalla.
Sveçla: Për shoferin do të respektojmë ligjet e shtetit kroat
Shoferi i autobusit, 52 vjeç, sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë kroate, Nikola Milina mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku.
I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të transferohej në Kosovë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, të hënën nga Kroacia deklaroi se po presin të gjejnë një zgjidhje.
"Ne jemi këtu për të respektuar ligjet e Republikës së Kroacisë, aksidenti ka ndodhur këtu, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje", ai shtoi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.
“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.
Gërvalla, së bashku me kryeministrin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës udhëtuan të dielën drejt Kroacisë.
Disa prej tyre u kthyen tashmë në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.
Ata janë atje “për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i trishtuar” dhe “i pikëlluar” nga ngjarja, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjithashtu shprehu ngushëllime dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë publikoi numrin e telefonit: +383 (0) 38 200 76 000, si kontakt për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve në Kroaci.
Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.
Facebook Forum