Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur shumë të rëndë ditën e diel, kur 10 persona kanë vdekur në një aksident me autobus me targa të Kosovës, në Sllavonski Brod në Kroaci.
Si pasojë e aksidentit, që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit më 25 korrik, janë plagosur edhe mbi 40 persona.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë "bashkatdhetarë", të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Ende nuk dihet se cili është shkaku i aksidentit.
Shoferi, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, është arrestuar.
“Kjo është një ditë shumë e rëndë, me dhembje e pikëllim për gjithë popullin tonë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media nga spitali në Sllavonski Brod.
Kryeministri i Kosovës, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa të plagosurve shërim të shpejtë.
Ai ka falënderuar homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq për bashkëpunimin në këtë rast dhe ndihmën që u kanë ofruar autoritetet të plagosurve në këtë aksident.
Kurti ka thënë se ka vizituar të gjithë pacientët në spital, përfshirë dy persona që janë në kujdes intensiv.
Sipas tij, një pjesë e mirë e udhëtarëve kanë qenë në gjumë, në kohën e aksidentit.
Kurti ka thënë se qindra mijëra persona shkojnë në vendlindjen e tyre në Kosovë, për pushime.
“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për neve”, ka thënë Kurti, mirëpo ka theksuar se në bashkëpunim me autoritetet kroate beson se do t’ia dalin më shpejt.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, po ashtu u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të plagosurve, dhe ka thënë se autoritetet kroate po synojnë t’iu qëndrojnë afër të plagosurve.
Kurti ka arritur të dielën në mbrëmje në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci me helikopterin e ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it.
Ai është shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Zyrtarët e Kosovës janë pritur nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, si dhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman.
Bashkë me Kurtin në Kroaci janë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh ka thënë për mediat lokale në Kroaci se disa persona, pa plagë të rënda, do të lirohen të hënën nga spitali në Sllavonski Brod.
“Të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë ngjarje tragjike do t’iu ofrohet ndihmë psikologjike”, ka thënë ai.
Autoritetet kroate kanë përmendur edhe krijimin e qendrës së informacionit me numër 035 201 111, e cila është duke mbledhur vazhdimisht informacione nga të gjitha shërbimet përkatëse për familjet e viktimave dhe të plagosurve.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka thënë para mediave gjatë ditës së diel, se të gjithë personat që kanë qenë në autobus, punojnë në Gjermani dhe kanë dëshiruar të kalojnë pushimet në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka publikuar edhe këtë numër kontakti +383 (0) 38 200 76 000, për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve.
Dhjetëra qytetarë kanë ndezur qirinj, të dielën në mbrëmje para Teatrit Kombëtar në Prishtinë për të nderuar viktimat e aksidentit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore.
Arrestohet shoferi
Zëvendës-Prokurori komunal i Shtetit, Sllavko Pranjiq, ka thënë se shoferi, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, është arrestuar ndërkohë.
“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat", ka thënë ai.
Pranjiq ka thënë po ashtu se përgjatë dëshmisë së tij, shoferi ka thënë se ka rënë në gjumë për një moment.
“Por ne do të përcaktojmë gjithçka më vonë”, ka thënë mes tjerash Pranjiq.
Më herët, drejtori i Mbrojtjes Civile Kroate, Damir Trut, u ka thënë gazetarëve se nëntë pasagjerë dhe një shofer kanë vdekur, duke deklaruar se në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.
Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.
Policia kroate e ka konfirmuar më herët se autobusi ka qenë me targa të Kosovës.
"Gjatë hetimit, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një autobus me tabela të Kosovës dhe sipas informacionit që kemi aktualisht, dhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor", ka thënë zëdhënësi i Policisë në Brod Posavina, Damir Breziq, për Radio Televizionin Kroat (HRT).
Shefi i policisë së trafikut në Sllavonski Brod, Franjo Galiq, u ka thënë gazetarëve se policia ka marrë raportime më 25 korrik në orën 6:20, se një autobus ka dalë nga rruga.
"Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është përcaktuar se ishte një autobus me targa të regjistrimit të Kosovës, i cili po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë", ka thënë Galiq.
Flet djali i shoferit të vdekur
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me djalin e shoferit të autobusit Deva Tours, i cili është raportuar se ka vdekur.
Adhurim Sylmetaj (i biri i Naser Sylmetajt), nga fshati Gërçinë në afërsi të Gjakovës, ka thënë se babai i tij ka rreth tetë muaj që ka filluar punën në këtë kompani.
“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar, dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë”, tha Sylmetaj për Radion Evropa e Lirë.
“Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka thënë Sylmetaj.
Shoferi tashmë i ndjerë kishte vozitur autobusin për disa orë. Aksidenti besohet se ka ndodhur pasi ai është ndërruar nga shoferi tjetër, i cili është intervistuar nga policia kroate.
Plenkoviq: Qeveria dhe shërbimet tjera do të bëjnë gjithçka për t'iu ndihmuar të plagosurve
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Qeveria që drejton ai, dhe të gjitha shërbimet tjera në këtë shtet, do të bëjnë gjithçka që munden për t’iu ndihmuar të plagosurve.
Plenkoviq ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një person është duke u trajtuar në Zagreb, ndërsa të tjerët në spital në Sllavonski Brod.
Personat që janë mirë më shëndet, janë dërguar në një hotel.
“Unë përsëri shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm trafiku, ndërsa të gjithë atyre që janë plagosur, u është siguruar ndihma urgjente mjekësore. Të gjitha shërbimet përkatëse janë në terren dhe ne do të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi”, ka thënë Plenkoviq përmes një postimi në Twitter.
Duke publikuar fotografi nga spitali në Sllavonski Brod, ai ka thënë se përveç ndihmës mjekësore, autoritetet kroate do të organizojnë kthim e secilit person në Kosovë.
Osmani, Kurti: Aksident tragjik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tragjik, lajmin për aksident.
“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!
Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Osmani.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, ka shprehur ngushëllime për familjet e pasagjerëve të vdekur, derisa ka thënë se është me autoritetet dhe popullin e Kosovës në këtë moment të vështirë për ta.
“U uroj shërim të shpejtë pasagjerëve të plagosur”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Ndërkohë kryeministri i Krocisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë në Twitter se me trishtim të madh e ka pranuar lajmin për incidentin me autobus, me targa të Kosovës.
“Bashkëndjejmë me familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllime të thella. Shpresoj që pasagjerët e plagosur të shërohen”.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman, ka thënë se ka biseduar me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, për t’i shprehur ngushëllime popullit të Kosovës dhe familjeve të viktimave.